Në zbatim të urdhrit politik ku shkruhej “edhe nëse ju pyesin për motin, flisni për zgjedhjet”, kreu i PD-së Basha çdo ditë publikon në facebook të njejtën video me akuza kundër qeverisë për politikanë kriminelë dhe për abuzime me miliona euro, si për të zbatuar pikë për pikë teorinë “flit – flit se diçka do mbetet”.
Ndërsa kryeministri Rama ka zgjedhur të mos merret më me opozitën dhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryeministri Rama ka nisur të publikojë foto nga projektet e qeverisë në bashki të ndryshme të vendit. Gjatë të martës ai ka publikuar disa foto që tregojnë se si po ndryshon pamje qyteti i Fierit, ndërsa gjatë të hënës ai prezantoi projektet e qeverisë në Shkodër ku do të ndërtohet shëtitorja e Shirokës, si dhe në Durrës.
Përsa i përket Fierit, Rama shkruan se është rehabilituar lumi në mes të qytetit që dikur njëlloj si Lana në Tiranë ishte i rrethuar nga ndërtesat pa leje dhe mbante erë të keqe.
“Edhe pak dhe e kaluara e shëmtuar e Fierit, me “Lanën” e tij si hekurudhë ndërtesash pa leje, me përmbytjet pas çdo shiu e me erën e rëndë të papastërtive, mu në qendër të qytetit, do t’ia ketë lënë vendin një hapësire të re publike për të gjitha moshat”, shkruan kryeministri.
Pas zgjedhjeve të 30 qershorit ku PS fitoi pushtetin vendor në 60 bashki për shkak se PD refuzoi të merrte pjesë në zgjedhje, kryeministri ka deklaruar se të gjitha forcat e PS do të përqendrohen në këtë pushtet të madh që i kanë dhënë njerëzit. Madje ai ka deklaruar se ka hequr dorë dhe nuk do të harxhojë kohë me opozitën. Kjo e fundit vijon me akuzat dhe më kërcënimet për nisjen e protestave popullore në shtator.
Që të dy palët vijojnë të qëndrojnë në ekstrem dhe deri tani nuk kanë treguar asnjë shenjë se mund të ketë një marrëveshje që do të çojë në zgjidhjen e krizës në vend.