Marrëveshja për sigurinë e Ukrainës/ Kërcënon Rusia: Nënkupton shpalljen e luftës ndaj nesh

BOTA


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe kryeministri britanik, Rishi Sunak nënshkruan të premten në Kiev një marrëveshje sigurie mes dy vendeve. Zelensky tha se marrëveshja midis dy vendeve do të mbetet në fuqi derisa Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s, duke e quajtur atë një “marrëveshje të paprecedentë të sigurisë”.

“Jam i kënaqur që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë me Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është baza për bashkëpunim me partnerë të tjerë”, tha udhëheqësi ukrainas.


Ai shtoi se Ukraina dhe Britania do të jenë në gjendje të lidhin marrëveshje shtesë të sektorit specifik nëse është e nevojshme.

Pas kësaj, ka ardhur një reagim edhe nga Rusia. Ish-presidenti i Rusisë dhe ndihmësi i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Medvedev, paralajmëroi se Moska do ta konsideronte çdo lëvizje të Britanisë për të vendosur një mision ushtarak në Ukrainë si një deklaratë lufte kundër Rusisë. Medvedev e bëri komentin në përgjigje të vizitës së kryeministrit britanik Rishi Sunak në Kiev, gjatë së cilës u njoftua një rritje e fondeve ushtarake për Ukrainën për të blerë drone të rinj ushtarakë.

“Shpresoj që armiqtë tanë të përjetshëm – britanikët arrogantë – të kuptojnë se vendosja e një misioni zyrtar ushtarak në Ukrainë do të jetë një shpallje lufte kundër vendit tonë,” shkroi Medvedev në një postim në Telegram./abcnews.al




Skip to toolbar