Moti i keq bën kërdinë edhe në Divjakë

AKTUALITET


Moti i keq me erë të fortë dhe shi me shtrëngata është rikthyer sërish pasditen e së mërkurës, pasi shkaktoi disa dëme gjatë orëve të para të mëngjesit në disa qytete të Shqipërisë. Pasdite ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në Divjakë, ndërsa banorët thonë se kanë parë tmerr me sy nga shtrëngatat. Qyteti dhe zona e plazhit është pa energji si pasojë e dëmtimit të linjave të transmetimit nga thyerja e pemëve nga era e fortë.

Gjithashtu është bllokuar më për shumë se një orë rruga që lidh parkun kombëtar të Divjakës me plazhin. Aktualisht rruga është zhbllokuar pas prerjes së pemëve që bllokuan kalimin. Në qytet kanë rënë pemët dekorative.


Probleme ka pasur edhe në Berat, ku mjaftuan vetëm pak minuta reshje të dendura duke sjellë vërshimin e ujit dhe bllokimin e rrugëve kryesore të qytetit. Për disa minuta ka pasur edhe ndërprerje të energjisë, por është rikthyer.

Moti i keq ka sjellë dëme edhe në Shkodër e Lezhë. Në Shëngjin era e fortë rrëzoi shtyllat e energjisë elektrike, të cilat kanë rënë mbi automjetet e parkuara pranë tyre. Kjo gjithashtu ka sjellë probleme në furnizimin me energji elektrike në zonën përreth. Nga erërat e forta janë thyer edhe xhamat e disa banesave. Ndërsa në Shkodër dëmet kanë qenë kryesisht në kulturat bujqësore. Situata më problematike është paraqitur në Velipojë ku ashtu si në Shëngjin shtyllat e rrëzuara nga era e fortë kanë shkaktuar dëme mbi automjetet.




Skip to toolbar