Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me homologun e tij kroat, Gordan Grlic Radman. Sipas Ministrit Cakaj, Kroacia dha “mesazh të fuqishëm” për hapjen e negociatave. “Kroacia sot ka dhënë një mesazh të fuqishëm në përkrahje të aspiratës evropiane të Shqipërisë jo vetëm duke e mbështetur hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor, por edhe duke e vendosur procesin e negocimit të Shqipërisë në qendër të Konferencës Ballkanike në kuadër të Presidencës Kroate të Këshillit të BE-së 2020”, shkruan Cakaj.
Ministri shprehet se diskutimi u përqëndruar te bashkëpunimi dypalësh me theks të veçantë shtimin e bashkëpunimit ekonomik. “Thelbi i takimit u përqëndrua te bashkëpunimi dypalësh me theks të veçantë në shtimin e përpjekjeve për të nxitur ndërlidhjen ekonomike, mobilitetin kulturor e rinor dhe zhvillimin e brezit Adriatik në përgjithësi. Në këtë kuadër, riafirmuam angazhimin e përbashkët për vazhdimin e projekteve të rajonit nëpërmjet Korridorit Blu dhe Linjës së Gazit Joniano-Adriatik”, shprehet Cakaj.
Më tej, Cakaj tregon se është rënë dakord, për fillimin e takimeve tripalëshe, Shqipëri-Kosovë-Kroaci, që do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta. “Në shërbim të thellimit të bashkëpunimit rajonal, u dakordësuam parimisht për fillimin e takimeve trilaterale mes Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Kroacisë. Një bashkëpunim i tillë, krahas përfitimeve të drejtëpërdrejta, do të jetë edhe në shërbim të frymës euroatlantike të rajonit”, shprehet Ministri.