Analisti Fatos Lubonja, duke bërë një analogji me Italinë, u shpreh në “Real Story” se në Shqipëri Mafia ka kapur shtetin. Duke folur për videon e drogës së kryebashkiakut të Bulqizës, Lubonja tha se një prokurori serioze duhet t`i shkojë në fund dy aspekteve të hetimit. Së pari duhet të hetohet të hetojë nëse kryebashkiaku ka marrë drogë vërtet dhe nëse e ka marrë atë nga grupe kriminale, dhe së dyti, duhet të hetojë nëse pas videos fshihet një grup kriminal.
“Nëse në Itali shteti ka mafien e vet, këtu mafia ka shtetin e vet. Unë nuk përjashtoj dhe anën tjetër të medaljes, këta janë njerëz aktiv. Këta, fillimisht me korrupsionin, kanë shkuar dhe kanë blerë… këtu kemi një klas politike ku politikanët marin një rrogë modeste dhe paguhen njëkohësisht me vila dhe shifra të pallogritshme nga këta njerëz. Këtu është bashkëpunimi i të dy palëve. Këtu është ndërtuar një shtet i mafies, ku futet policia, gjyqtarët, avokatët. Është një krim i madh që gjeneron para. Marksi thotë; është baza ekonomike që përcakton strukturën.
Nëse ke një ekonomi kriminale, do kapet dhe superstruktura nga kjo ekonomi. Unë mendoj që “faza Rama” është një hop cilësor. Nëse krimi ishte në “kategorinë B”, pra krimi qëndronte nën tokë, tani jemi në këtë fazë ku krimi e ka vënë përfund shoqërinë shqiptare. Ne tani e kemi shumë të vështirë pastrimin. Për mua s`ka dyshim që ata që e kanë filmuar kanë interesa të tyre. Fakti konkret është se ky zotëria po thith kokainë. Dhe ky e ka marrë kokainën nga rrjete kriminale. Një prokurori serioze duhet t`i shkojë kësaj hullie, ashtu siç duhet t`i shkojë edhe faktit nëse pas kësaj video ka një grup kriminal. Këta janë bërë palë me shtetin”, tha Lubonja./Realstory.al/