PD sulmon Ramën me deklaratën në Real Story

AKTUALITET


Partia Demokratike kërkon shkarkimin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku dhe megjithëse vendimi për të do të merret të premten nga Komisioni Qendror Zgjedhor, PD akuzon kryeministrin Rama se vijon ta mbajë në detyrë. Ish deputetja e PD-së, Dhurata Çupi ka publikuar në selinë e PD-së, një deklaratë të Ramës të bërë në emisionin Real Story të Sokol Ballës pak ditë më herët ku kryeministri thoshte se Agim Kajmaku nuk ka paguar kurrë një gjobë. Sipas PD-së kjo deklaratë e Ramës vërteton se ai mbron shkelësin e ligjit Agim Kajmaku.

“Sot bëhen 3 ditë që Edi Rama është zyrtarisht në mbrojtje të Agim Kajmakut, i cili fshehu me qëllim arrestimin e tij në Greqi disa vjet më parë me emrin Jorgo Toto.


Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar Agim Kajmakun që në momentin, kur prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur krimin për të cilin ishte arrestuar dhe ishte në kërkim në Greqi dhe në kërkim europian deri pak kohë më parë.

Duke mbajtur në detyrë një funksionar të lartë publik që shkel ligjin, që kryen vepra të rënda penale dhe mashtron qytetarët, Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes.

Duke kandiduar persona me të kaluar kriminale, si në Shkodër, Vorë apo Vaun e Dejës, Edi Rama dëshmon se nuk ka ndërmend të marrë seriozisht plotësimin e 9 kushteve të Bundestagut, që është e vetmja rrugë për të hapur derën e mbyllur të Europës për të katërtën herë radhazi”, tha Çupi.

Të premten KQZ do të zhvillojë një mbledhje për të vendosur për mandatin e Agim Kajmakut pas vërtetimit nga prokuroria se ai ka shkelur ligjin e dekriminalizimit duke fshehur arrestimin në Greqi.

Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes, pasi vazhdon të mbrojë Agim Kajmakun edhe pasi prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai ka shkelur ligjin e dekriminalizimit. Dhurata Çupi deklaratë për mediat

Gepostet von Partia Demokratike e Shqipërisë am Donnerstag, 31. Oktober 2019



Skip to toolbar