Përplasja me Dvoranin, Meta hedh shortin “live” për KED

AKTUALITET


Presidenca njofton se Meta do të hedhë shortin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi mesditën e së enjtes ndërkohë që e gjithë procedura do të transmetohet live për të bërë sa më shumë transparencë.

Pika 3 e nenit 149/d të Kushtetutës së ndryshuar në vitin 2016, parashikon që Presidenti i përzgjedh me short anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë (që edhe e drejton këtë institucion), një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë, dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Por nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor.


Ky short hidhet në një moment kur presidenti është përplasur ashpër me kreun aktual të KED, Ardian Dvorani, duke depozituar një padi kundër të tij, pasi e akuzon atë për shkelje ligjore dhe marrje kompetencash në rastin e emërimit të Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Më herët presidenti ka theksuar se do ta ndjekë me shumë rigorozitet veprimtarinë e këtij institucioni në mënyrë që të mos lejohet devijimi nga dispozitat kushtetuese.

“Presidenti Meta bën publik edhe faktin se ka vendosur që shorti për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, do të realizohet nga Institucioni i Presidentit të Republikës në datë 5 dhjetor 2019 dhe pas fillimit të funksionimit të KED-së së re, do ta ndjekë me shumë rigorozitet gjithë veprimtarinë e saj, për të mos lejuar më asnjë devijim nga parimet dhe dispozitat kushtetuese dhe të ligjit për të mbrojtur integritetin e mëtejshëm të gjithë procesit për ngritjen dhe funksionimit e plotë të Gjykatës Kushtetuese.” -thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës pak javë më herët.

Në kushtet ku vendi nuk ka ende një Gjykatë Kushtetuese funksionale, dhe madje ka një debat kompleks për ngritjen e këtij institucioni, shorti i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KED-së merr një rëndësi të madhe për shkak të rolit të rëndësishëm që ka KED, si institucioni që ka si funksion që të bëjë vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Prokurorëve etj.




Skip to toolbar