Qeveria franceze sqaron vonesat me vaksinën

CORONAVIRUS


Qeveria franceze i ka dalë në mbrojtje fushatës së saj të vaksinimit kundër koronavirusit, përkundër kritikave se ajo po shkon shumë ngadalë. Në javën e parë të fushatës janë vaksinuar 516 persona.
Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal, tha se vonesat janë shkaktuar për arsye të logjistikës. Sipas tij, ekipet shëndetësore duhej të vizitonin të moshuarit në shtëpitë e kujdesit dhe të merrnin pëlqimin e secilit person.

Bashkimi Evropian filloi vaksinimin me vaksina Pfizer/BioNTech më 27 Dhjetor. Nga e diela në mëngjes rreth 240.000 persona ishin vaksinuar në Gjermani.
Britania e Madhe është bërë vendi i parë në botë që filloi t’u japë njerëzve vaksinën kundër koronavirusit të Oksford-AstraZeneca. Ndërsa, në këtë vend rreth një milion njerëz tashmë janë vaksinuar me atë të Pfizer/BioNTech.


Gabriel Attal, i cituar nga faqja franceze e lajmeve LCI, tha se qeveria franceze po ndiqte këshillat shkencore, duke u dhënë përparësi të moshuarve në shtëpitë e kujdesit. “Një fillim i vaksinimit më gradual është i nevojshëm për arsye logjistike: nuk mund t’u kërkoni këtyre njerëzve të shkojnë diku tjetër në vend, dhe vonesa lidhet gjithashtu me një konsultë para-vaksinimit dhe marrjen e pëlqimit. Kjo kërkon pak më shumë kohë”, tha ai. Franca është ndër vendet më të goditura të Evropës nga pandemia. Numri i të vdekurve nga sëmundja COVID-19 deri më tani është 65.037 – pak më pak se Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Spitalet franceze po trajtojnë 24.780 pacientë.




Skip to toolbar