Reagimet e Presidentit nga sondazhet? Vasjari: Nuk e lidh aksionin e tij politik me to. Ndreca: Thjesht ka ndryshuar gjestet. Lubonja: Sheh kërcënim se këto forma do thellohen

Më të fundit


Analisti Arjan Vasjari nuk i sheh aksionet e Presidentit të Republikës Ilir Meta si një reagim për sondazhet që nxjerrin forcë të parë PS-në. Duke iu referuar qëndrimeve të Presidentit për selinë e FRD dhe Elbasanin, ai tha në “Real Story” në News24 se mund të ketë informacion më të detajuar.

“Në qoftë se Presidenti i Republikës ka një informacion te detajuar dhe lëvizjet e tij i kondicionon nga sondazhet OK, por sa i përket aksionit të tij politik nuk i lidh me sondazhet”, tha Vasjari.


Juristi Plarent Ndreca tha se Presidenti ka treguar njëtrajtshmëri në mënyrën se si reagon, thjesht ka ndryshuar gjestet.
“Në lidhje me sondazhet gjykoj që aty ka ca emra kompanish të cilat besoj se nuk mund t’i përlyejnë emrin për një vend si Shqipëria dhe trendë të tilla. Trendi është shumë i qartë. Të gjitha sondazhet në momentet që janë bërë kanë treguar një trend të qartë që fitues është një parti politike dhe PD ka një farë rritje nëse do marrim maksimumi duke përfshirë marzhet e gabimit. Sa të sakta janë është për t’u parë. Nuk besoj që kompani serioze dhe me emër të prishin emrin e tyre për një vend si Shqipëria.

Sondazhet nuk kanë marrë në konsideratë që ne kemi sistem proporcional rajonal, ata kanë të dhëna proporcionale kombëtare. Ndoshta kështu është më e thjeshtë, kanë arsyet e tyre. Në 2017 PS në 48% të votave kombëtare ka marrë 74 mandate. Mënyra se si opozita ka shkuar në këto zgjedhje, fakti që kanë bërë një marrëveshje për të qenë të ndarë, është një tregues tjetër i faktit që opozita nuk ka besim mes veti që ata duan t’i fitojnë këto zgjedhje. Shkojnë në zgjedhje për të ruajtur status quo-n. As ata vetë nuk e besojnë, as nuk e duan të fitojnë. Vijnë në mënyrë këmbëngulëse me humbësa në zgjedhje. Lista e Tiranës ka vetëm një të ri, Alfred Rushaj”, deklaroi Ndreca.

Sipas tij, strategjia e PS është e fokusuar ashtu siç është sistemi zgjedhor, proporcional rajonal. “Mendoj që strategjia e zgjedhur është fituese dhe do prisni rezultate surpriza. PS ka hyrë si fituese në zgjedhje sepse nuk mund të rrezikonte figurat kryesore”, deklaroi ai.




Skip to toolbar