Rrëzohet kërkesa e deputetëve të Berishës për mocion me debat për McGonigal

AKTUALITET


Me 39 pro dhe 66 kundër Kuvendi rrëzoi kërkesën e një grupi të deputetëve demokratë, për ndryshimin e rendit të ditës në seancë duke kërkuar mocion me debat me kryeministrin për cështjen McGonigal. Kërkesa u prezantua nga deputeti Luaciano Boci, i cili u shpreh se interesi i gjithë Shqipërisë është sot te ky debat.

“Drejtësia amerikane ka vendosur nën hetim Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij në përpjekjen e financimit me para në dorë për të ekzekutuar opozitën e vendit. Mos harrojmë që nuk është I vetëm dhe rastësisht kryeministri me bashkëpunëtorët e tij. Dora kryesore që godet opozitën sot është vetë kryeministri, ka korruptuar ekonominë, parlamentin. Cdo gjë në Shqipëri, vetëm për të eleminuar opozitën. Ky njeri sot mungon, fshihet ndaj duhet t’i nënshtrohet një mocioni me debat. Ne do zbulojmë të vërtetën dhe që drejtësia duhet të vepronte menjëherë. Pse vonon drejtësia shqiptare. Jemi para veprave penale. 225 mijë $ ishin borxh tha, kjo është deklarata më qesharake e kryeministrit. Kërkojmë që mocioni të nisë menjëherë me praninë e kryeministrit. Interesi I gjithë Shqipërisë është sot te ky debat. Ka hedhur në erë besueshmërinë e institucioneve.” -u shpreh Boçi.


Në argumentet kundër, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se pamja që ofron parlamenti sot, nuk ka asnjë lidhje me çëshjen McGonigal, por është një përpjekje për të hequr vëmendjen nga nisja e hetimeve për 21 janarin e Gërdecin.

“Kemi kërkesë për ndryshim të rendit të ditës. Duhet bërë në kundërshtim me rregulloren. Sic e shpjeguam kërkesa të tilla nuk kalojnë në seancë. I paraqiten konferencës së kryetarëve.
E kam lexuar kërkesën dhe referohen dokumente të një shteti tjetër, që do ishte mirë që deputetët kërkues t’ia vënë në dispozicion edhe anëtarëve të konferencës.

Arsyeja e kësaj pamje të kuvendit nuk ka të bëjë me hetimin ne SHBA, atje nuk ka asnjë zyrtar shqiptar në hetim. Fiks një javë më parë, djali i Sali Berishës, ishte para SPAK. Hetimi i Gërdecit dhe 21 janari janë cështje themelore. Cdo përpjekje për të hequr vëmendjen është përpjekje e kot. Ndërsa jemi në një situatë si kjo ku s’marrim dot fjalën në Kuvend, do kërkoja që kërkesa të procesohet me votim. Nëse janë seriozë në kërkesë të paraqiten në konferencën e kryetarëve. Rendin e ditës e përcakton rregullorja. Ju që qaheni se po ju pengojmë të drejtën e fjalës, edhe ky moment procedurial, ju nuk më latë. Nuk keni asnjë interes as për kërkesën tuaj.” – u shpreh Balla.




Skip to toolbar