Tronditet Seria A, 14 lojtarë dhe anëtarë të stafit të Genoa-s me COVID-19

Seria A është tronditur nga lajmi më i fundit se 14 lojtarë dhe anëtarë të klubit të Xhenovas janë pozitivë me COVID-19.

Prej dy ditësh tek Genoa po shfaqen raste pozitive, fillimisht me portierin Perin dhe Schone por tashmë mediat italiane flasin për 8-10 lojtarë dhe disa anëtarë të stafit.

Dhe pikërisht infektimi i gjithë këtyre vjen një ditë pas transfertës në Napoli, aty ku xhenovezët humbën thellë 6-0.

Por ndëkohë testimet vijojnë tek Xhenova teksa me gjithë këto humbje nuk dihet si do të vijojë fati i ekipit italian apo dhe rrjedha e Serisë A, që në tetor kishte në plan të rikthente tifozët në stadiume.

Raporti i 24 orëve në Kosovë, 1 i vdekur e 46 raste të reja me COVID-19

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë në Kosovë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 664 mostra të marra nga SHSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 46 raste pozitive. Brenda 24 orëve është raportuar një rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

Numri total i rasteve pozitive është 15.379 raste nga 64.894 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 617 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 101 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.088 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.674.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 15 raste, komuna Fushë Kosovë 5 raste, komuna Gjakovë 5 raste, komuna Mitrovicë 5 raste, komuna Podujevë 4 raste, komuna Prizren 3 raste, komuna Gjilan 2 raste, komuna Pejë 2 raste, komuna Vushtrri 2 raste dhe me nga një rast komunat Drenas, Ferizaj dhe Malishevë.

Rritet numri i të infektuarve me COVID-19 në Francë, kryeministri, Jean Castex: Nuk përjashtohet një lockdown i ri

Kryeministri Francës Jean Castex në një intervistë për ‘France 2’ ka deklaruar se nuk përjashton një lockdown të ri nëse situata në vendin e tij përkeqësohet më tej.

“Nuk luhet me pandeminë”- shtoi kreu i qeverisë franceze duke bërë thirrje që të gjithë të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë masat.

“Nëse nuk veprojmë mund të ndodhemi në të njëjtën gjendje që kemi qenë në pranverë dhe kjo mund të nënkuptojë një ripërkufizim, nëse situata do të përkeqësohej më tej”-tha Jean Castex.

Në Paris ndalohet grumbullimi i më shumë se 10 personave në hapësira publike, festat e studentëve, baret dhe restorantet do të mbyllen pas orës 22:00. Më të ashpra ishin kufizimet në Marsejë, qytet që konsiderohet epiqendër për transmetimin e virusit. Në Marsejë që prej ditës së hënë do të mbyllen baret dhe restorantet. Ditët e fundit në Francë ka pasur një numër të lartë të të infektuarve të rinj, me raste ditore mbi 10 mijë persona.

Që prej nisjes së pandemisë Franca ka regjistruar 497,237 të infektuar me COVID-19, nga të cilët kanë vdekur 31,511, ndërsa të shëruar janë 94,413 persona.

Raportoi i pari për rastet me koronavirus në Wuhan, misteri i zhdukjes së gazetarit kinez

Ngelet mister fakti se si u zhduk gazetari kinez, i cili raportoi i pari rastin me koronavirus.
Ai ishte zhdukur në shkurt pasi kishte raportuar rastet e para në Wuhan. Ndërkohë, një miku i tij tha se ai ishte arrestuar nga autoritetet kineze.

‘The Guardian’ shkruan se Chen Qiushi, ish-avokat i shndërruar në gazetar, kishte filluar të raportojë nga rrugët e spitalet e Wuhanit nga 23 janari, ndërkohë zhdukja e tij kishte sjellë reagime.

Autoritetet nuk treguan për asnjë çast në lidhje me faktin se gazetari ishte arrestuar.

Përballja me COVID-19/ Ilir Meta fjalim në sesionin e 75-të të OKB: Vaksina duhet të jetë e përballueshme për të gjithë

Presidenti Illir Meta ka mbajtur ditën e sotme një fjalim për debatin e përgjithshëm të sesionit të 75-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me temë “E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh.”

Mes shumë temave kombëtare dhe ndërkombëtare, Meta ceku dhe integrimin europian të Shqipërisë në BE.

FJALA E PLOTË NGA ILIR META

Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Sh. T. Z. Ilir Meta
në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

24 shtator 2020

“E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh.”

Zoti President i Asamblesë së Përgjithshme!
Zoti Sekretar i Përgjithshëm!
Të nderuar delegatë!

Ju lutem më lejoni ta nis fjalën me urimet e ngrohta për Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Turqisë, Volkan Bozkir për zgjedhjen e tij në detyrën prestigjioze të Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme!

Zoti President, Shqipëria është e nderuar të shërbejë nën udhëheqjen tuaj si Zëvendëspresident i sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme, duke përfaqësuar Grupin e Evropës Lindore.

Përgjatë këtij sesioni historik ju mund të mbështeteni plotësisht në bashkëpunimin dhe partneritetin tonë.

Zoti President,

Kemi pasur shumë arsye për të qenë krenarë gjatë 75 viteve të ekzistencës së Kombeve të Bashkuara. Si rezultat i bashkëpunimit global në kuadrin e OKB-së, ia kemi dalë mbanë të parandalojmë shpërthime të mëdha ushtarake dhe të pakësojmë vuajtjet njerëzore.

75-vjetori i Kombeve të Bashkuara shënon një moment historik dhe duhet të shërbejë si një kohë reflektimi se si të forcojmë OKB-në dhe ta bëjmë atë edhe më të efektshme në përballjen dhe zgjidhjen e sfidave të paprecedenta globale, me të cilat përballen sot shoqëritë tona.

Zoti President,
Pandemia Covid-19 ka zhytur botën në një krizë të thellë shëndetësore dhe ekonomike. Pasojat e saj socialo-ekonomike me siguri që do të vazhdojnë edhe për shumë vite të tjera, me pasoja të paparashikueshme për paqen dhe sigurinë globale.

Kriza aktuale kërcënon të ngadalësojë, madje edhe ta kthejë pas përparimin e shënuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Bëhet fjalë për rrezikun që iu kanoset sigurisë ushqimore, çrrënjosjes së varfërisë, zhvillimit ekonomik, ndryshimit të klimës dhe barazisë gjinore, duke përkeqësuar dobësitë ekzistuese dhe duke rritur pabarazitë që ekzistojnë në dhe midis vendeve të ndryshme.

Mënyra se si do të reagojmë dhe do të përgjigjemi ne do të përcaktojë se sa shpejt do të rimëkëmbet bota, si dhe do të formësojë aftësinë tonë për të arritur dhe përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe për të menaxhuar sfida të tjera globale.

Përgjigja globale ndaj pandemisë së koronavirusit e ka vënë në provë multilateralizmin si dhe ka ekspozuar kufizimet e institucioneve ekzistuese ndërkombëtare. Ajo ka nxjerrë në pah gjithashtu edhe pasojat alarmuese të bashkëpunimit jofunksional botëror.

Pandemia ka theksuar nevojën e njerëzimit për një sistem më të fortë multilateral, bazuar në parimet dhe idealet e mishëruara në Kartën e OKB dhe të drejtën ndërkombëtare.

Kombet e Bashkuara duhet të jenë në qendër të një multilateralizmi gjithëpërfshirës dhe të efektshëm, ku organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, shoqëria civile, bashkësia e sipërmarrjes dhe grupet e tjera të interesit, të veprojnë përmes lidhjeve më të ngushta institucionale.

Ne mbështesim fuqimisht në këtë drejtim vizionin dhe axhendën ambicioze të reformave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Shqipëria është e bindur se një Organizatë e reformuar e Kombeve të Bashkuara do të ofrojë një qasje më të integruar dhe gjithëpërshirëse për të realizuar Axhendën 2030 dhe për të qenë të sigurt se askush nuk do të mbetet pas.

Të nderuar delegatë,

Në këto momente kritike ne duhet t’iu përgjigjemi frikës dhe shpresave të njerëzve, të cilëve iu shërbejmë.

Me qëllim që të zbusim kurbën e pandemisë dhe të parandalojmë një krizë ekonomike globale, duhet të reagojmë në mënyrë kolektive në frymën e bashkimit e të solidaritetit.

Do të dëshiroja të shfrytëzoj këtë rast që të përgëzoja Kombet e Bashkuara për mobilizimin e mbështetjes me pajisje mbrojtëse dhe pajisje të tjera mjekësore në më shumë se 130 vende, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme për të përshpejtuar kërkimin, gjetjen dhe prodhimin e një vaksine, e cila duhet të jetë e përballueshme financiarisht dhe në dispozicion të gjithë njerëzve në mbarë globin.

Zoti President,

2019 ishte një vit i vështirë për Shqipërinë, sepse u goditëm nga dy tërmete të fuqishme, që shkaktuan më shumë se 50 të vdekur dhe një miliard dollarë amerikanë dëme.

U jemi mirënjohës atyre kombeve mike që na ndihmuan në kohën kur kishim aq shumë nevojë, dhe që na ofruan mbështetje financiare dhe materiale gjatë përpjekjeve tona të vazhdueshme të rindërtimit.

Ne jemi gjithashtu mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, që provoi se ishte një partnere e vërtetë.

Agjencitë e saj u angazhuan qysh nga dita e parë. Ekspertët e shpëtimit dhe të ndihmës iu futën punës menjëherë, duke mbështetur autoritetet tona, së bashku me partnerë nga Evropa dhe vende të tjera.

Më pas u përballëm me goditjen e COVID-19. Organizata Botërore e Shëndetësisë na është gjendur në krah në çdo hap të rrugës dhe veprimeve që ndërmorëm për ta përballuar këtë pandemi. OKB-ja ka hartuar gjithashtu një plan të përgjigjes socialo-ekonomike për të garantuar një veprim të koordinuar në të gjithë hapësirën e saj dhe një mbështetje të efektshme ndaj masave në rang kombëtar.

Shqipëria po punon fort për të arritur synimin global të Kombeve të Bashkuara për të ulur emetimet e gazrave dhe efektin serë me 45% në dekadën e ardhshme, si dhe për të mundësuar zero emetime deri në vitin 2050, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit të vitit 2016.

Për më tepër, ne kemi miratuar Strategjinë për Ndryshimin e Klimës si dhe Planin e Veprimit për Zbutjen e emetimeve të gazrave dhe të efektit serë.

Ndërsa Shqipëria po përpiqet të përdorë plotësisht gjithë potencialin e saj ekonomik, ne i kemi përputhur përparësitë dhe objektivat tona kombëtare me Axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, si dhe me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.

Objektiva shumë të rëndësishme të kësaj Strategjie janë mbrojtja e bashkësive rome dhe egjiptiane, e personave me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera potencialisht të të pambrojtura dhe të margjinalizuara.

Kemi shënuar përparim edhe në drejtim të barazisë gjinore, me rritjen dita-ditës të numrit të grave që punojnë në institucionet shtetërore si dhe në administratën publike.

Zoti President,

Ne duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë nevojave të grupeve më të rrezikuara, veçanërisht atyre të të rinjve. Efektet ekonomike që rezultojnë nga pandemia do të çojnë në rritjen e numrit të të rinjve të papunë, duke i shtyrë ata të largohen nga vendi i tyre i origjinës.

Padyshim që ky është një kërcënim global, që prek veçanërisht vendet me ekonomi të dobëta.

Të nderuar delegatë,

Kryesia e Radhës së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020 është një tregues i prekshëm i angazhimit tonë të palëkundur për të promovuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes dialogut dhe bashkëpunimit shumëpalësh, në një kohë kur po përjetojmë rritjen e tensioneve dhe polarizimit.

Në cilësinë e saj si Kryetare e Radhës së OSBE-së, Shqipëria ka mbështetur fuqimisht thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim global.

Me qëllim vijimin e angazhimit aktiv në dobi të stabilitetit dhe të sigurisë, Shqipëria ka paraqitur kandidaturën e saj për t’u zgjedhur si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mandatin 2022-2023.

Shqipëria beson fort se multilateralizmi është thelbësor për trajtimin e sfidave globale. Ne do të ofrojmë një kontribut proaktiv për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes përvojës sonë rajonale, si një faktor kryesor paqeje, stabiliteti dhe sigurie.

Do të ushtrojmë një qasje aktive, konstruktive dhe të matur, si dhe do të veprojmë me përgjegjësi për të forcuar multilateralizmin përmes partneriteteve dhe bashkëpunimit.

Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të gjitha shteteve të nderuara të Asamblesë së Përgjithshme që të mbështesin kandidaturën e Shqipërisë për në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023.

Zoti President,

Në zhvillimet e sotme të ndërlikuara dhe të ndërlidhura globale, vende modeste si Shqipëria nuk priten të konkurrojnë me ekonomitë dhe pasuritë e tyre materiale.

Ato mund të kontribuojnë duke e pasuruar botën me gjithçka që kanë më të çmuar: me identitetin, historinë, kulturën, traditat dhe vlerat e tyre.

Njëra prej traditave që vlerësojmë dhe çmojmë më tepër është harmonia e rrallë ndërfetare që mbizotëron në Shqipëri.

Megjithëse shqiptarët tradicionalisht u përkasin besimeve të ndryshme fetare, ata kanë jetuar paqësisht krah për krah me njëri tjetrin që nga kohë që nuk mbahen mend. Kur vizitoi Shqipërinë në vitin 2014, Papa Françesku e cilësoi atë si “vëllazëria fetare”.

Në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së ne organizuam vjet në Shqipëri një konferencë rajonale, me temë “Feja si instrument për paqen”, me synimin për ta çuar përpara lirinë e fesë si një çështje themelore e të drejtave të njeriut.

Kjo trashëgimi e çmuar e tolerancës ndërfetare dhe kulturore përcakton se cilët jemi ne si komb. Historia e jashtëzakonshme se si shqiptarët rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur dhe shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit është një tregues dhe shprehje e jashtëzakonshme e frymës sonë të tolerancës, dhembshurisë dhe respektit ndaj të tjerëve.

Shqipëria është krenare që i ofron botës mbarë një mesazh të bashkëjetesës dhe dialogut midis feve të ndryshme.

Është një mesazh që mund të shërbejë si një antidot i fuqishëm kundër rritjes së intolerancës dhe ekstremizmit të dhunshëm që minojnë paqen dhe sigurinë.

Të nderuar delegatë,

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë.

Në fillim të këtij viti mirëpritëm vendimin politik të Këshillit të BE-së për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se na duhet të përmbushim standardet e kërkuara para se të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ky proces kërkon një bashkërendim përpjekjesh në nivelin kombëtar, të udhëhequra me vendosmëri nga qeveria, që do të na çojë drejt reformave të mirëfillta dhe të qëndrueshme.

Ky angazhim i ripërtërirë pritet të prodhojë rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve kryesore që lidhen me funksionimin demokratik dhe me sundimin e ligjit, të cilat duhet të pasqyrojnë konsensusin politik ndërpartiak dhe t’i shërbejnë njëkohësisht stabilitetit të përgjithshëm të vendit tonë.

Ne ua kemi shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare për ndihmesën që na dhanë për t’u rimëkëmbur nga tërmeti që na goditi si dhe nga pasojat e pandemisë COVID-19.

Shqipëria vazhdon të jetë plotësisht në një linjë me politikën e jashtme të BE-së në rajon, duke u krenuar me aleancën tonë të fuqishme evropiane dhe euro-atlantike të vlerave të përbashkëta.

Zoti President,

Shqipëria është mëse e vetëdijshme edhe për detyrimet e saj si një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare.

Gjatë përpjekjeve të vazhdueshme për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë, Shqipëria ka kontribuar me trupa ushtarake, nën drejtimin e OKB-së, BE-së dhe të NATO-s, në operacione të ndryshme paqeruajtëse në Sudanin e Jugut, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali dhe Afganistan.

Qëllimi dhe interesi ynë kryesor janë të sigurojmë paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor.

Rajoni ynë ka një histori tragjike diktaturash, shtypjesh të popujve dhe konfliktesh ushtarake. Pavarësisht trashëgimisë së vështirë që ende e përndjek rajonin tonë, gjatë dy dekadave të fundit është shënuar një përparim i rëndësishëm, kryesisht falë ciklit të reformave të ndërmarra në kuadër të proceseve të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Inkurajojmë dhe mirëpresim faktin se faktori shqiptar vazhdon të mbështesë kursin evropian dhe euro-atlantik në të gjithë rajonin, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin rajonal dhe pronësinë në hartimin dhe realizimin e projekteve ambicioze.

Ne e mirëpresim marrëveshjen për normalizimin ekonomik të arritur midis Kosovës dhe Serbisë, e cila u ndërmjetësua dhe u garantua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Mbetemi shpresëplotë se kjo marrëveshje do të injektojë një dinamizëm të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja vendet duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme të njohjes reciproke si dhe të normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes tyre.

Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është një eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Kosova ka ngritur në këmbë një kornizë të fortë kushtetuese dhe ligjore që siguron mbrojtjen e papërjetuar më parë të të drejtave të pakicave dhe të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo është plotësisht në përputhje, madje edhe e tejkalon kuadrin ligjor përkatës evropian për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Sot Kosova është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe nismave rajonale.

Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare.

Në përfundim Zoti President, do të dëshiroja të ripohoja edhe një herë mbështetjen e përkushtuar të Shqipërisë për një rend të mirëbazuar në rregulla, të reformuar dhe ripërtërirë, me Organizatën e Kombeve e Bashkuara në qendër të tij. Ne, shtetet anëtare, duhet të përmbushim pjesën që na takon dhe të luajmë rolin tonë për zbatimin, respektimin dhe forcimin e sistemit shumëpalësh në mënyrë që të përfitojmë nga ai.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

“Masa për çdo situatë”, Manastirliu thotë nëse rrezikohemi nga një valë e dytë e Covid-19

E pyetur nëse Shqipëria rrezikohet nga një valë e dytë e koronavirusit, Ministrja e Shëndetësisë thotë se për fat të mirë, kurba epidemiologjike nuk ka rritje eksponenciale. Deklaratat Manastirliu i bëri në emisionin ‘Real Story’.

Manastirliu deklaroi se qeveria ka marrë masa për të gjurmuar dhe testuar rastet e infeksioneve, duke vlerësuar se mjekët dhe infermierët po trajtohen me kushte sa më optimale.

‘Nëse e sheh kurbën epidemiologjike, është e qartë se kemi një ecuri të epidemisë, e cila për fat të mirë nuk ka një rritje eksponenciale, ka një plato që vijon të jetë e tillë, pra kemi një epidemi në zhvillim.  Qeveria do të gjurmojë dhe testojë rastet për të këputur zinxhirin e infeksionet. Prandaj kemi marrë masa për të bërë testime më të shpejta dhe izolime po ashtu të shpejta. Kemi marrë masa për të përmirësuar trajtimin ambulator dhe gjithashtu qytetarët të marrin në cilësinë më të lartë pajisjet shëndetësore të nevojshme. Do të mbrojmë mjekët dhe infermierët, duke iu garantuar kushtet. Do të dyfishojmë edhe shtratet”, tha Manastirliu.

Ogerta Manastirliu theksoi se qeveria do të sigurojë vaksinim falas për kategoritë më të rriskuara.

Ne kemi një strategji për vjeshtën dhe dimrin. Ne do të shqyrtojmë rastet e personave të dyshuar të infektuar. Ne do të sigurojmë vaksinimin falas për këta kategori, që përfshin personelin mjekësor, kategoritë e riskut që janë të sëmurët kronikë, fëmijët 2 deri në 5 vjeç dhe jemi në pritje të vaksinës së gripit. Ne e kemi vendosur si prioritet vaksinimin e grupeve të riskut”, u shpreh Manastirliu.

‘Gati të paguajmë për vaksinën anti Covid19’ sapo të jetë gati’, Manastirliu flet në Real Story

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se qeveria shqiptare është gati ta blejë vaksinën ndaj koronavirusiit, sapo ajo të jetë gati.

Manastirliu theksoi se qeveria shqiptare nuk do të mbetet pas në marrjen e vaksinës, sapo ajo të lancohet nga institucione të besuara ndërkombëtare.

Facaliteti i Kovaksit është një instrument, ku marrin pjesë 80 shtete në botë. Kjo mundëson që qeveria shqiptare të mund të marrë në dorëzim të certifikuar vaksinën ndaj koronavirusit, kur kjo e fundit të jetë gati. Janë gjithsej 9 vaksina që po testohen.

Qeveria shqiptare është gati të paguaj për vaksinën e koronavirusit, kur të jetë gati. Do të bëhet njëherë disbursimi i parë, ndërsa më pas do të ketë detaje në lidhje me vaksinën. Edhe OBSH po përgatitet për një korridor të vaksinave efikase”, u shpreh Manastirliu.

Rihapet Taxh Mahali në Indi, prej 6-muajsh qëndroi i mbyllur prej pandemisë Covid-19

Taxh Mahali, atraksioni i famshëm turistik në Indi do të rihapet pas mbylljes 6-mujore.

Me 70 mijë vizitorë në ditë Taxh Mahali bëhet një nga vendet më të vizituara në botë, por tashmë do të ketë vetëm 5 mijë në 24 orë.

Autoritetet indiane kanë marrë masat për të rihapur Taxh Mahalin me masa ndaj COVID-19. Herët e fundit kur u mbyllur Taxh Mahali ishte në 1978 dhe 1971, por jo prej pandemive, por prej përmbytjeve dhe luftërave.

India sot përballet me pandeminë teksa është vendi i dytë në botë pas SHBA që shënon shifrat më të larta të të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19.

Skip to toolbar