Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave dhe premtimeve të kryeministrit Edi Rama për planin e nxitjes së punësimit në mbështetje të atyre që kanë mbetur të papunë gjatë pandemisë.
Basha pyet nëse ka njeri që ia vë më veshin ‘këtij’? Sipas kreut të PD, sikur të ishin bërë realitet ato që thotë kryeministri, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje.
“Sikur të ishin bërë realitet ato që thotë ky, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje sot. Por pas 7 vitesh premtimesh të pambajtura, a ka njeri që ja vë më veshin këtij?”
Në një event të organizuar ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama prezantoi një skemë të re sociale të qeverisë, e cila i vjen në ndihmë personave që mbeten ende të papunë pas humbjes së vendit për shkak të epidemisë së COVID-19. Sipas të dhënave zyrtare, përgjatë karantinës, në Shqipëri humbën vendin e punës 33 mijë qytetarë. Nga qershori, 20 mijë prej tyre janë ripunësuar në kompani të reja apo në kompanitë origjinale që rifilluan aktivitetin ekonomik.
Për 13 mijë të tjerët që mbeten ende të papunë, skema e re ofron avantazhe direkte për punonjësit dhe kompanitë që do t’i punësojnë. Sipas këtij programi, shteti do të ndërhyjë duke paguar në nivelin e pagës minimale rrogën e punonjësit për 4-8 muaj në vazhdim.
Njëkohësisht, përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së subvencionit, shteti merr përsipër të paguajë kontributet shoqërore dhe shëndetësore në 100% të vlerës së tij. Që do të thotë se shteti do të mbulojë edhe përqindjen e ulur nga paga e punonjësit, edhe përqindjen që duhet të paguajë kompania.
Pjesë e këtij skeme është edhe një mekanizëm i ri, i cili zgjat 12 muaj, përgjatë të cilëve shteti mbulon 100% të vlerës së kontributeve, për ata persona që janë të punësuar në sektorin informal dhe vendosin të deklarohen. Programi i ri për punësimin e personave të dalë në papunë nga COVID i bashkangjitet një numri programesh ekzistuese për punësimin e personave në kërkim pune.
Midis tyre, tre progamet kryesore janë programi i punësimit, 1 vit subvencion për punëdhënësin, formimi përmes punës, ku të interesuarit përfitojnë kurse formimi falas nga ana e shtetit dhe programi i praktikave, nga i cili përfitojnë direkt të sapodiplomuarit.
Në muajin shkurt 2020, me 11.2% Shqipëria arriti nivelin më të ulët të papunësisë që prej vitit 1991, njëkohësisht nivelin më i ulët i papunësisë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për shkak të epidemisë, niveli i papunësisë është rritur aktualisht në 11.9%. Në rang vendi, janë 84 mijë të papunë të regjistruar në zyrat e punës.
Rama tha ndër të tjera se veç heqjes së tatim-fitimit dhe TVSH-së për bizneset e vogla, do punohet për rritjen e pagës minimale si në shtet ashtu edhe në privat deri në masën 30 mijë lekë.
“Lajm i imirë është që Shqipëria është vendi me më pak vende të humbura pune për frymë se sa vendet e rajonit. Sot jemi duke definuar edhe atë masë që ka qënë një nga objektivat tona vendosja e pagës minimale 30 mijë lekë, kjo masë edhe në sektorin privat. Studimi për një rishikim të taksimit progresiv po vazhdon, do kemi edhe aty zhvillime pozitive.
Duke u nisur nga njerëz që s’kanë dëshirë të pranojnë të mirën, progresin që këto masa kanë dhënë që nga korriku kur zeruam taksat dhe TVSH, iu them se kjo nuk ka të bëjë me fushatën. Ne nuk u kujtuam sot, janë të gjitha fryte që merren në kohë pas një pune të gjatë”,- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar punimet që po kryhen për ndërtimin e maternitetit të ri të Beratit.
Gjatë inspektimit të punimeve, Manastirliu tha se brenda muajve të parë të vitit tjetër materniteti i Beratit do të përfundojë dhe ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë.
“Brenda muajve të parë të vitit tjetër do ta kemi gati. Është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare. Materniteti i Beratit deri para pak kohësh ishte me të vërtetë një spital i degraduar, ndaj filluam këtë investim të qeverisë prej 216 milionë lekë për ndërtimin e godinës së re të spitalit. Nga 40 shtretër që jemi aktualisht, do të bëhet 54 shtretër, me standardet më të mira. Do t’i shërbejë më mirë gjithë qarkut, pasi edhe numri i lindjeve kishte rënë për shkak të infrastrukturës”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se pavarësisht situatës së vështirë, investimet në maternitete do të vazhdojnë për të ofruar kushtet më të mira për nënën dhe fëmijën.
“Aktualisht jemi duke punuar në strukturat e materniteteve të Lezhës, Beratit, Kukësit, së shpejti edhe të “Mbretëreshës Geraldinë”, pjesë e planit tonë për rijetësimin e materniteteve në të gjithë Shqipërinë. Kjo jo vetëm që përmirëson shërbimin por ndikon edhe në indikatorët kombëtarë”, tha ministrja Manastirliu.
Kryeministri Rama rikonfirmoi rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët e sistemit shëndetësor publik.
“Do jetë ndërhyrje e fortë dhe rritje e konsiderueshme. S’dua të flas për shifrën finale por besoj që do arrijmë në 40%. Faktikisht po e llogarisim këto ditë, se duam ta bëjmë të kombinuar me pagat e mësuesve”, tha Kryeministri Rama.
Pak ditë më parë, raporti i Bankës Botërore e renditi Shqipërinë ndër 10 vendet e para në Botë për përmirësimin e treguesve që lidhen me shëndetësinë dhe arsimin, ku një fokus të veçantë kishte indikatori i zhvillimit të fëmijëve, i cili ishte përmiresiar me më shumë se 2 herë.
Në mbarë botën sot kujtohet 1 Maji që njihet
si Dita e punëtorëve e cila i ka fillesat në Çikago në 1886-n dhe më pas në
1904-n, kur sindikatat e punonjësve protestuan për vendosjen e ditës së punës 8
orarëshe.
Por si paraqitet situata e punëtorëve në Shqipëri,
dhe cilat janë punët më të paguara që ofrojnë edhe paga më të larta.
Sipas një shkrimi të revistës ekonomike
Monitor, referuar të dhënave të INSTAT, punët më të paguara në Shqipëri janë
ato të organizatave ndërkombëtare. Paga mesatare në këto institucione është
rreth 152 mijë lekë (rreth 1,200 euro), sa trefishi i pagës mesatare në vend.
Organizmat ndërkombëtarë i kanë rritur më shumë pagat për punonjësit e tyre në
vlerë absolute vitet e fundit, me gati 200 euro më shumë në raport me 2014-n.
Në vend të dytë renditen bankat e sigurimet,
me pagën mesatare prej rreth 106 mijë lekë (850 euro) në muaj. Edhe bankat e
sigurimet i kanë promovuar vit pas viti punonjësit e tyre, me pagat mesatare që
janë 130 euro më të larta në raport me 2014-n. Por, ritmet e rritjes janë
ngadalësuar dy vitet e fundit.
Në vend të tretë janë Aktivitetet
Profesionale, Shkencore dhe teknike, me pagë mesatare 79 mijë lekë në muaj, me
rritje 15% në raport me katër vjet më parë.
Aktiviteti i Furnizimit me Energji Elektrike,
Gaz e Avull paguan mesatarisht 79 mijë lekë në muaj, me rritje 14% në katër
vitet e fundit. Ndonëse përgjithësisht janë kompani shtetërore, që operojnë në
këtë sektor, ato funksionojnë si shoqëri anonime, dhe rezultojnë me fitime të
larta, ndërsa paguajnë mesatarisht më shumë se shteti.
Informacioni dhe Komunikacioni ka paga
mesatare prej rreth 75.8 mijë lekësh në muaj. E indeksuar me inflacionin,
rritja e pagave ka qenë negative për këtë sektor, si rrjedhojë e uljes së
konkurrencës, pas daljes nga tregu të operatorit të katërt.
Një tjetër aktivitet, që ka parë rënie të
ndjeshme të pagave është industria nxjerrëse, që kishte një pagë mesatare prej
75.7 mijë lekësh në 2018-n, ose 30.5 mijë lekë (240 euro) më pak se në 2014-n.
Ky sektor nuk ka kaluar kohë të mira vitet e fundit, si rrjedhojë e konjukturës
së pafavorshme të tregjeve ndërkombëtare.
Në administrimin publik dhe mbrojtjen, paga
mesatare ishte 63.7 mijë lekë, me një rënie reale prej 6.1% në raport me
2014-n.
Arsimi ka pagë mesatare prej gati 62 mijë
lekësh, me një rritje reale prej 6% në raport me katër vite më parë.
Një aktivitet që ka njohur zhvillim vitet e
fundit është ai i shërbimeve në shtëpi, që paguhen gati 40 mijë lekë në muaj,
me rritje 23% në krahasim me katër vjet më parë.
Ndërsa ata që paguajnë më pak punonjësit e tyre në Shqipëri janë aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit të ushqimit, me vetëm 28 mijë lekë në muaj, ku më të papaguarit mbeten kamerierët, të cilët kompensohen nga bakshishet.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha
premtoi rritje të pagave të mjekëve kur PD të vijë në pushtet. Në një takim që zhvilloi
sot me ekspertë të shëndetësisë, Basha tha se mjekët do ta kenë rrogën 1200
euro, ndërsa infermierët 700 euro. Ai akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të këtij sektori
duke e cilësuar atë si një ndër më të korruptuarit.
“Pa
zgjedhje të lira nuk mund të këtë bashkëjetesë demokratike dhe as Bashkim
Europian. Do të kem mundësinë për një
shpalosje të plotë të programit për nxjerrjen e shëndetësisë nga kolapsi ku
ndodhet. Keq menaxhimi i çoi shëndetësinë në gjendje kome. Sot shqiptarët paguajnë
më shumë për shëndetësinë dhe shëndetësia bën shërbim më të keq.
Shëndetësia në Shqipëri renditet e fundit në
Ballkan. Sistemi shëndetësor në Shqipëri është primitiv. Në tre vitet e fundit
Shqipëria renditet e fundit për cilësinë në shëndetësi. Mos të flasim pastaj për Check-Up, i cili na i nxjerrë
burrat me barrë dhe gratë me probleme me prostatën. Sektori i farmaceutikës në
Shqipëri dhe Ballkan ka njohur një korrupsion të madh në këto vite. I gjithë
sistemi është në kolaps, sepse ka asgjësuar perspektivën e zhvillimit të paktën
për momentin.
Rrogat më të ulëta në rajon. Rrogat më të larta nuk kapin as gjysmat e
rajonit. Rajoni i ka rritur, ndërsa ne nuk kemi indeksuar as për inflacionin.
Ky është një nivel që nuk është parë as në vitet 70. Numri i specialiteteve
disa herë më i ulët, pagat katastrofë.
Të gjithë dështimin mundohen t’ia faturojnë bluzave të bardha. Mjekët
dhe infermierët përpiqen t’u shërbejnë
qytetarëve, por po e bëjnë shërbimin
si në spitale lufte. Spitalet e rretheve kanë mbetur vetëm në godina.
Shërbim shëndetësor është i varfër, pak
mjekë dhe pak ilaçe. Këto probleme nuk
zgjidhen sa hap dhe mbyll sytë, por kemi nisur
një diskutim me të gjitha grupet për të hartuar politikat e duhura dhe
përmirësimin e sistemit shëndetësor. Me
ardhjen e PD në pushtet paga minimale e doktorëve do të arrijë 1200 euro në
muaj dhe për infermierët në 700 euro në muaj. Ky është realiteti në Kosovë. Ky
është synimi dhe objektivi. Këto do të
jenë pagat minimale në sektorin shëndetësor.
Unë zotohem sot këtu para jush se këtë objektiv do ta bëjmë realitet”-
tha Basha.
Deputeti i parlamentit të Kosovës, Labinot
Tahiri i është bashkuar edhe ai nismës për të dhuruar para për të rindërtuar katedralen
e Parisit, Notre-Dame. Ai shkruan në një mesazh në facebook se megjithëse janë
pak, 1000 euro, gjesti i tij simbolik është për të shprehur mirënjohjen për
shtetin francez, që ka mirëpritur familjen e tij, por dhe shumë shtetas kosovarë,
atëherë kur kanë pasur nevojë.
“Për Notre Dame nga paga ime!
Edhe pse nuk jam me financa ashtu siq kam
qenë, duke kujtuar se nuk punojë jashtë Kosovës, derisa dorëzova pasaportat e
mia!
Prap, jam i gatshëm sado pak të jap nga vetja
ime, si një djalë i një nane dhe djalë i babasë, kur ata ishin në gjendje të
rëndë sebashku me vajzën Anduenen dhe djalin Milotin gjatë luftës! Duke mos
harruarë kurrë, Franca e dashur, dhe qyteti Amien’s, i strehoi duke ua
mundësuar bukën, fjetjen sigurinë dhe gjithçka të mirë që kishin deri në ditët
që u kthyen në Kosovën e Lirë. Si qytetarë i ri i këtij atdheu, humanitar,
këngëtarë, e tani deputet i zgjedhur nga dora e 20 mijë të rinjëve e të rejave
nē Parlamentin e Kosovës, dua të ndaj nga paga ime mujore, 1000 euro për rastin
e Notre Dame!
Këto nuk jan shumē, por zemra ime i është mirënjohës kësaj Kosove e shqiptarëve, që ma mundesojnë, ku sot e kam mundesinë sëpaku një mirësi ta bëjë si shejë mirënjohëje për Prindët dhe familjen time dhe shumë familje që u ndihmoi SHTETI FRANCEZ. Polemikat se ku bën të bëhet mirë apo keq, i di vetëm KRIJUESI YNË ZOTI. Prandaj, kujtojeni ditën e vështirê, ani që sot nuk kemi luftë, mund të kemi prap. Faleminderit FRANCË. Zoti ju bekoftë juve dhe ata që i duan shqiptarët✊ Labinot Tahiri, Ferizaj Kosovë e Shqipërisë”, shkuan Tahiri.