Gazi lotsjellës, i certifikuar nga BE dhe importuar edhe gjatë qeverisë Berisha

Gazi lotsjellës i përdorur gjatë protestave të opozitës nga policia ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët kanë mbetur të lënduar por dhe vetë organizatorët e protestës.

Opozita është shprehur shpesh se gazi lotsjellës mund të ketë përmbajtje të tjera kimike që janë të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Por sipas një dokumenti zyrtar gazi i përdorur është i certifikuar nga BE dhe NATO dhe se të tilla granata apo fishekë lotsjellëse për shotgan janë importuar edhe më 23 mars 2011 në kohën kur qeveriste Sali Berisha, pak kohë pas protestës së 21 janarit.

Dokumentet tregojnë se ky gaz është certifikuar sipas parametrave të Bashkimit Europian dhe lëndë të ngjashme tregtohen në të gjithë vendet e Europës perëndimore. Përveç efekteve të parashikuara, si lotët, kolla dhe veshja e shikimit, gazi nuk përmban elemente të tjerë të dëmshëm.

Opozita në marshim protestë, policia shton forcat

Ditët e sotme Partia Demokratike ka bërë thirrje për një protestë tjetër në orën 18:30 “për Shqipërinë si Europa”.

Protesta e sotme pritet të jetë një marshim protestë, ndryshe nga ajo e herës së kaluar. Gjithashtu policia ka deklaruar se janë shtuar forcat e saj në terren me mbi 1700 efektivë. Kryeministria është e rrethuar e gjitha me gardh hekuri, ndërsa janë marrë masa për çdo skenar të papritur që mund të dalë nga protestuesit.

Më herët qytetarët janë ftuar në protestë nga vetë lideri i PD, Lulzim Basha. Ndërsa PD-ja në një deklaratë për mediat ka kërkuar nga policia të mos bëhen pjesë e provokimeve dhe dhunës së paligjshme kundër qytetarëve.

Dhuna në protestë, Alibeaj: Të shkarkohet Sandër Lleshaj

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dënoi dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve dhe Sahit Dollapit. Ai tha se Lleshaj do të mbaj përgjegjësi ndaj urdhërit të dhënë për dhunë fizike gjatë protestës.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi dhunën kriminale të policisë kundër protestuesve të shtunën dhe kundër sekretarit organizativ Sahit Dollapi. Sandër Lleshaj, ky mbeturinë tranzicionit shqiptar do të mbajë përgjegjësi personale për urdhrat e paligjshëm që i ka dhënë policisë për goditjen e qytetarëve me gaz helmues luftarak dhe për përdorimin e dhunës fizike kundër protestuesve paqësore. Partia Demokratike disponon të dhëna të mjaftueshme për ta çuar sadistin Sandër Lleshajn para drejtësisë për shkelje flagrante të ligjit të policisë së shtetit!” – tha Alibeaj

Alibeaj i ka bërë thirrje prokurorisë të nis hetimet për dhunën që është ushtruar ndaj protestuesve paqësorë, urdhër ky i dhënë me porosi të Edi Ramës sipas ish deputetit demokrat. Alibeaj kërkoi dhe shkarkimin e Sandër Lleshaj, ndaj të cilit ka prova filmike për shkelje të ligjit gjatë protestës.

“Prokuroria duhet të nisë hetimet e menjëhershme për të provuar se urdhri për dhunën shtazarake kundër qytetarëve është dhënë nga Sandër Lleshaj me porosi të Edi Ramës. Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi dhe krimineli tjetër me uniformë Arben Baro duhet të shkarkohen nga detyra dhe të hetohen menjëherë. Ka prova filmike se Sandër Lleshaj, i cili në shkelje të ligjit komandon operacionet e policisë kundër opozitës, është duke u larguar si hajdut nga dera dytësore e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi njoftohet të shtunën në mbrëmje për zhvendosjen e protestës së opozitës.” – tha Alibeaj

Arrestohet Sait Dollapi, Basha çon protestën tek Drejtoria e Policisë

Pas pamjeve në mediat ku sekretari organizativ i PD, Sait Dollapi është dhunuar nga forcat e policisë dhe më pas arrestuar, Basha ka bërë thirrje nga selia e PD që protesta të zhvendoset para Drejtorisë së Policisë.

“Me urdhër të Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt është dhunuar në mënyrën më barbare të mundshme. Është shoqëruar në drejtorinë e policisë. Ju bëj thirrje gjithëve ju që të na ndiqni në drejtim të Policisë së Tiranës.” – tha Basha.

Dollapi është shtrirë përtokë dhe rrethuar nga policia duke e dhunuar me shkopa gome, më pas është marrë me dhunë nga ato.

Protestuesit janë vendosur para Drejtorisë së Policisë dhe kanë hedhur kapsolla dhe tymuese të shumta në oborrin e saj. Protestuesve iu është bashkuar edhe kreu i PD, Lulzim Basha.

Ambasada Amerikane: Dhuna është thelbësisht jodemokratike

Ambasada Amerikane ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar nga protestuesit me molotov dhe kapsolla në drejtim të policisë dhe institucioneve. Ambasada thotë se dhuna bie ndesh me demokracinë që opozita kërkon të vendosë.

“Ambasada e SHBA dënon dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme. Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje.” – thuhet në deklaratë

Luftë me molotov dhe gaz lotsjellës para Parlamentit

Është përshkallëzuar dhuna e protestuesve që kanë vendosur të zhvendosen para Parlamentit.

Protestuesit kanë gjuajtur me molotov, fishekzjarr dhe tymuese, ndërkohë që policia dhe forcat RENEA nuk ka ndenjur duarkryq. Për të shpërndarë turmën e protestuesve janë përdorur autobotet me ujë dhe gazi lotsjellës. Raportohet se gjatë dhunës ka pasur të lënduar si në radhët e protestuesve edhe të policisë.

Protesta vijon ende edhe pse ora ka kaluar 22:00, ndërkohë që leja e dhënë nga policia për të protestuar ishte deri në 20:30. Janë të shumtë protestuesit dhe ish deputet të PD e LSI, që vijojnë të qëndrojnë para parlamentit dhe kordonit të policisë.

Rama: Zjarri dëmton Shqipërinë, jo qeverinë

Kryeministri Rama ka reaguar pas dhunës në protestë dhe vënies së zjarrit në derën e institucionit që ai drejton. Rama e ka cilësuar atë si një akt dhune ndaj dëmtimit të Shqipërisë dhe jo qeverisë.

Rama bën thirrje që me protestën e sotme, çdo qytetari t’i jenë hapur sytë dhe të mos ndjekin më këtë politikë qorre.

“Çfarë trishtimi një lider opozite që me zë të ikur i thotë qeverisë “Aman ik!”, ndërkohë që ata rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj! Uroj që kujt vete ende pas kësaj politike qorre, t’i jetë hapur sonte syri nga zjarri që qeverisë s’ka ç’i bën, po Shqipërisë i bën veç dëm.” – shkruan Rama

Dhuna në protesta, Meta: Ruani qetësinë!

Përplasjet me policinë dhe dhunimin e institucionit të Kryeministrisë gjatë protestës së opozitës, kanë bërë që presidenti Ilir Meta të reagojë duke bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë.

Në një deklaratë për mediat thuhet se presidenti Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet.

“Protestat nuk duhet të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve.” – thuhet në deklaratë

Basha: Nuk mund të luhet më me fatin e popullit

Fjala e kryedemokratit Lulzim Basha është shoqëruar me tensionime të protestës ku shumë kapsolla, molotov dhe tymuese janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë. Gjithashtu ka pasur edhe përplasje të protestuesve për të çarë kordonin e policisë. Basha tha se nuk do të ketë më marrëveshje me krimin dhe se në 6 vite kanë qeverisur kriminelët. Gjithashtu Basha tha se ora e lojës me popullin dhe fatin e tij kam marrë fund, kriminelët duhet të jenë në burg dhe jo të pandëshkuar.

“Jemi mbledhur sot, me një qëllim për të mos pranuar më kurrë Shqipërinë e krimit, korrupsionit, hajdutërisë, por të Shqipërisë si e gjithë Europa. Ka 30 vite që shqiptarët bëjnë sakrifica të përditshme që ju të gjithë e dini se si në këto 30 vite e vetmja mënyrë për të rilindur ishte përmes largimit. Ne jemi sot përsëri në një udhëkryq të tmerrshëm si produkt i lidhjes së krimit me qeverinë. Ne jemi këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë e të prerë Ramës nuk të lëmë më të bllokosh rrugën tonë drejt Europës “Rama ik”. 6 vite e gjysmë të sundimit kriminal të Ramës dhe Organizatës së tij e kanë lënë Shqipërinë jashtë Europës. Vendi i vetëm në botë pa Gjykatë Kushtetuese. Ora e lojës me popullin dhe fatin e tij ka marrë fund. Bashkimi i Edi Ramës me krimin ka qëllim të dhunojë shqiptarët, të dhunojë zgjedhjet. Shumë duhet të jenë në burg, por janë sot të pandëshkueshëm. Zgjedhje me krimin nuk do të ketë më.” – tha Basha

Basha u bëri thirrje protestuesve që të mos dhunojnë policinë, pasi beteja ishte me krimin dhe qeverinë e lidhur me të. Protestat kanë treguar se ky vend mund të bëhet dhe kanë dhënë shpresë për një të ardhme më të mirë ka thënë Basha.

“Efektivët e policisë janë vëllezër tanë ata janë po kaq të kërcënuar nga krimi sepse krimi është komandanti i vërtetë i Policisë së Shtetit. Mos cenoni efektivët e policisë. Beteja jonë është me krimin, me qeverinë e lidhur me krimin. Jemi këtu për t’i dhënë një mesazh kryehajdutit. Misionin tonë nuk ka forcë që ta ndalë. Këtë betejë nuk e bëjmë për pushtet, parti, karrige, mandate. Mandatet tona ishin të vetmet mandate të pastra. Zgjedhje, drejtësi, ekonomi, shëndetësi, arsim false nuk do të ketë. Jini krenar për këtë që keni arritur. Bashkimi më i madh i shqiptarëve. Në vetëm 12 javë është zgjuar shpresa. Është rikthyer besimi se ky vend mund të bëhet dhe do të bëhet.” – tha Basha

Lleshaj: Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë

Pas goditjes me molotov në derën e Kryeministrisë, ka reaguar në Twitter edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Lleshaj bëri thirrje që qytetarët të distancohen nga veprime të tilla pasi në këtë mënyrë nuk ndërtohet demokracia, por shkatërrohet Shqipëria.

“Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!” – shkruan Lleshaj

Skip to toolbar