Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar qëndrimin e ministrit gjerman për Europën, Michael Roth, i cili shkruan në twitter se Evropa duhet të mbështetet në fakte për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, si dhe t’i shqyrtojë faktet me ndershmëri.
“Ministri i Shtetit për Europën i Gjermanisë,
Michael Roth:
Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ne duhet të mbeshtetemi në fakte dhe në ndershmëri. BE dhe Gjermania kanë shumë për të humbur”, shkruan Rama në facebook ndërsa poston foton e Roth në twitter.
Ministri gjerman Roth është pro çeljes që në qershor të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Ai është shprehur së fundmi se Shqipëria i ka qëndruar zotimit për të bërë progres në reformat e kërkuara, tani është radha e BE-së të mbajë fjalën.
Në një koment për gazetën gjermane,
Frankfurter Allgemeine, ministri gjerman e Shtetit për Evropën, Michael Roth është
shprehur se papërgjegjshmëria e opozitës nuk duhet të errësojë progresin e
vendit.
Roth ka vlerësuar veçanërisht reformën në
Drejtësi, ndërsa ka kritikuar opozitën për sjelljen e saj. Sipas Roth opozita në
vend që të konkurrojë me ide dhe alternativa në Kuvend, prodhon pamje
dramatike.
“Në Shqipëri gjendja, në pamje të parë, duket
më e komplikuar. Kjo lidhet para së gjithash me faktin që opozita ia del
gjithnjë të prodhojë pamje dramatike – në vend që të matet në mënyrë konstruktive me qeverinë
në kontekstin e një konkurrimi politik idesh në parlament, të cilin aktualisht
e ka bojkotuar. Por kjo politikë e papërgjegjshme obstruksioniste nuk duhet të
errësojë gjithë sa vendi ka arritur. Në
kuadër të reformës në drejtësi, përmes një procesi deri më tani unik në mbarë
botën – shoqëruar nga ekspertë evropianë – është duke u verifikuar integriteti
i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve. Rreth dy të tretat e subjekteve të
Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të verifikuar deri më tani nuk e kanë
kaluar me sukses këtë test. Ata janë larguar në mënyrë konsekuente nga postet e
tyre, të cilat janë duke u plotësuar hap pas hapi. Organet shqiptare të
sigurisë – policia dhe strukturat e mbrojtjes së kufirit – bashkëpunojnë shumë
ngushtë dhe mirë me autoritetet
gjermane, austriake dhe italiane, e që prej pak kohësh edhe me Agjencinë
e BE-së për Mbrojtjen e Kufirit FRONTEX. Shqipëria ka bërë një pjesë të mirë të
rrugës në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian; veç të tjerash ajo
është anëtare e NATO-s që prej vitit
2009”, është shprehur Roth i cili bën apel që Shqipëria të nisë sa më parë negociatat
për anëtarësim në BE.
“Stabilizimi dhe përfshirja e rajonit është në interesin evropian, e para së gjithash në atë gjerman. Në fund të ditës Ballkani Perëndimor është atriumi i shtëpisë evropiane. Situata e këtyre vendeve, që shtrihen në mes të Evropës, rrethuar plotësisht nga shtete të BE-së, na prek drejt për së drejti. Nëse BE i kthen shpinën këtij rajoni, do të vinte në rrezik zhvillimet pozitive dhe do t’ua linte fushën aktorëve të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia. Dhe që Bashkimi evropian të humbë ndikim në mënyrë të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, kjo nuk mund të jetë në interesin tonë. Suksesi në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian përcaktohet para së gjithash prej faktit, nëse ne do të mund të paqëstojmë, stabilizojmë dhe demokratizojmë Evropën në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë qëllim duhet të veprojmë duke vështruar para, me urtësi dhe kurajo”, shprehet Roth.
Qeveria gjermane i quan të papranueshme, jo
vetëm protestat e dhunshme të opozitës, por edhe djegien e mandateve dhe
bojkotin e zgjedhjeve lokale të 31 qershorit.
Ministri i Shtetit për Evropën, Michal Roth
ka dhënë një intervistë për gazetën “Der Spiegel”, ku ka folur për
situatën në Ballkan dhe politikën në Shqipëri.
“Protestat janë një çështje e
pranueshme sigurisht në një demokraci. Por, dhuna dhe urrejtja, bojkotimi i
zgjedhjeve dhe largimi i opozitës nga parlamenti janë absolutisht të
papranueshme. Shqiperia ka bërë një rrugë të gjatë për në BE. Opozita po
rrezikon njohjen e këtyre arritjeve me politikën e saj penguese”, është
shprehur Roth.
Ndërkombëtarët prej kohësh i kanë bërë
thirrje opozitës shqiptare që të heqë dorë nga protestat e dhunshme dhe të gjejë
gjuhën e dialogut.