Atalanta, Lacio dhe Panucci, Gjimshiti tregon gjithçka!

Berat Gjimshiti ishte një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës për Atalantën mbrëmjen e së enjtes kundër Fiorentinës, në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë.

Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka folur pas kualifikimit të ekipit të tij në finale, duke komentuar disa çështje për mikrofonin e “Rai Sport”.

Fillimisht, gazetarët e kanë pyetur Gjimshitin lidhut me luftën për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Sipas preshevarit, skuadra e Atalantës e kuptoi se mund ta arrinte këtë objektiv kur po fitonte ndaj ekipeve të mëdha në Serinë A.

“Mendoj se e kuptuam shpejt, sepse po shihnim ndeshjet që po bënim ndaj ekipeve të mëdha. Ndaj tyre po bënim lojëra shumë të mira”, ka thënë fillimisht Gjimshiti.

Më pas mbrojtësi i Atalantës ka komentuar ndeshjen me Fiorentinën dhe kalimin në finalen e Kupës së Italisë.

“Ne e njohim potencialin që kemi. Sot (dje) kemi pasur një kundërshtar të vështirë përballë me sulmues të shpejtë. Në pësimin e golit të parë ishim vendosur gabim, por reaguam mirë, jemi të kënaqur dhe presim me padurim finalen”, ka thënë Gjimshiti.

I pyetur nëse ka frikë nga ndonjë nga sulmuesit e Lacios, Berat Gjimshiti shprehet kështu: “Ne nuk mendojmë për lojtarët e kundërshtarit. Të gjithë sulmuesit në Serinë A janë të mirë. Milinkovic, Imobile apo dhe të tjerët janë të mirë, por ne kemi ekip të fortë dhe çdo ndeshje e luajmë për ta fituar”, është shprehur qendërmbrojtësi.

Në fund, gazetarët e kanë pyetur Gjimshitin edhe për ish-trajnerin e Kombëtares Christian Panucci. “Nuk kam folur shumë rreth Italisë me të, vetëm për ekipin kombëtar. Ne kemi një marrëdhënie të mirë së bashku. I uroj Panuccit më të mirat për të ardhmen”, ka përfunduar mbrojtësi i Kombëtares.

Juve i ofron rinovim Moise Kean me pagë të majme!

Moise Kean ka shpërthyer këtë sezon në Serie A, ndërsa Juventus sheh një yll në ngritje çdo ditë e më shumë. Për këtë arsye skuadra “bardhezi”, do të rinovojë kontratën me sulmuesim 19-vjeçar, teksa negociatat kanë nisur tashmë mes klubit dhe agjentit të futbollistit, Mino Rajola.

Parqitjet e mira të Kean në ndeshjet e fundit me “Zonjën”, ka rritur interesin për futbollisti. Zv.presidenti Pavel Nedved dhe drejtori sportiv i Juves, Fabio Paratici, po mundohen të bindin lojtarin për rinovimin e kontratës me klubin.

“Tuttosport”, ka zbuluar se Kean do të përfitojë rreth 2 milionë euro me kontratën e re, nga 550 mijë që përfiton aktualisht. Një shifër goxha e lartë për një lojtar kaq të ri, që vetëm së fundi ka filluar të luajë rregullisht.

Gjithsesi Kean ka bindur të gjithë duke shënuar 6 gola në 7 ndeshje me Juventusin. Madje ai vendosi rekord me Juventusin, duke u bërë 19-vjeçari i parë që shënon 8 gola në këtë moshë.

Dominon Serinë A tetë vitet e fundit, ja formacioni më i mirë i Juves në histori!

Tetë tituj radhazi në Itali, një ekip solid që dominon nga fillimi deri në fund të Serisë A, pavarësisht se në kupat e Europës ka dështuar.

Ky është Juventusi me Masimiliano Alegrin në krye që sapo është shpallur përsëri kampione e Italisë, duke lënë thatë rivalët e tjerë të këtij kampionati.

Të gjitha sukseset i dedikohen një pune të madhe në merkato, me familjen “Anjeli” që nuk ka i kursyer lekët për të sjellë në Torino lojtarë cilësor, të cilët kanë bërë diferencën.

“La Gazzetta dello Sport” ka hartuar top-formacionin e Juventusit, sipas saj, në tetë vitet e fundit, kur titulli në Itali është parë me “dylbi” nga gjithë të tjerët.

Në videon e mëposhtme mund të shihni emrat e lojtarëve, pozicionet e tyre, të vendosur sipas modulit 3-4-3, si dhe diçka unike nga secili, në këtë periudhë 8-vjeçare.

Ky formacion përbëhet nga: Buffon – Barzagli, Bonucci, Chiellini – Vidal, Pirlo, Marchisio, Pogba – Del Piero, Tevez, Ronaldo.

Inter-Roma ndahen në paqe, përfiton Milani

Nuk kanë shkuar më shumë se barazim Inter dhe Roma, me rezultatin përfundimtar 1-1, me gola të realizuar nga një për çdo pjesë.

Ishte Roma që kaloi e para në avantazh me El Shaarawy në minutën e 14′ të pjesës së parë, duke kapur “zikaltrit” në befasi.

Skuadra e Spalletit u mundua të reagonte, por sulmi i Interit shpërdoroi shumë raste para portës kundërshtare gjatë pjesës së parë.

Në pjesën e dytë Inter ka tjetër ritëm pas ndërrimeve, gjë që sollën dhe golin e avantazhit. D’Ambrosio nxjerr një kros fantastik për Perisiç, që realizoi golin e barazimit për vendasit.

Inter është në vend të tretë me gjashtë pikë diferencë nga Milan i vendit të katërt, që do të kishte përfunduar në të pestin nëse Roma do të kishte fituar sot.

Juve harron zhgënjimin në Champions, feston titullin (video)

Titulli i tetë radhazi në Itali për Juventusin u bë realitet mbrëmjen e sotme, pasi ‘Zonja’ mundi Fiorentinën në shtëpi dhe u shpall fituese e Serisë A, pasi tani ia lejon matematika.

Skuadra “bardhezi” mundi 2-1 Fiorentinën me përmbysje, duke hedhur pas krahëve eleminimin nga Champions, teksa këtë gjë e bëri në mënyrën e duhur, pikërisht duke festuar titullin.

Ishte Milenkovic i miqve ai që shënoi golin e avantazhit në minutat e para të takimit. Pak më vonë Chiesa me pak fat mund të kishte dyfishuar, por tentativa e tij ndalet nga shtylla.

Ishte Alex Sandro ai që barazoi rezultatin në minutën e 37’ me kokë përpara se Chiesa të godiste edhe njëherë tjetër shtyllën.

Pas pushimit ishte autogoli i Pazzella-s ai që i dha fitoren Zonjës së Vjetër. Një arritje e pakrahasueshme e Juventus me titullin e 8-të radhazi.

Lazio katastrofë, e mund Chievo i vendit të fundit (video)

Një ekip që ka siguruar rënien nga kategoria dhe një tjetër që lufton për një vend mes katër më të mirave të kampionatit, përballen mes tyre në ndeshjen e radhës… Në fund fiton Chievo, që tashmë ka siguruar zyrtarisht Serinë B për sezonin e ardhshëm, duke u larguar nga elita e futbollit italian.

Ndërsa Lacio, që duhet ta fitonte patjetër këtë përballje, bën gjithçka keq dhe largon veten nga zona “Champions” për sezonin e ardhshëm, pasi u mund në shtëpi nga vendi i fundit në renditje.

Gjithçka dukej normale deri në momentin që Milinkoviç-Saviç godet me shkelm pa kuptim kundërshtarin, Stepinski, ndërsa arbitri e ndëshkon sulmuesin e Lacios me karton të kuq.

Dalja nga fusha e sulmuesit të vendasve, u ka krijuar shansin miqve të përfitojnë nga superioriteti numerik duke shënuar dy gola të shpejtë në fillim të pjesës së dytë me Vignato (49′) dhe Hetemaj (51′). Vendasit kanë ngushtuar diferencat me Caicedo (67′), por nuk kanë arritur të shmangin humbjen.

Një mundësi e artë e shpërdoruar nga Lazio, që ka zbritur në vendin e tetë të renditje. Në rast fitoreje, bardhekaltrit do të kishin qenë vetëm një pikë larg vendit të katërt.

Lajme të këqija edhe për Vesel-in, i cili nuk ka arritur të ndihmojë Empoli-n që të shmangë humbjen 4-2 të pësuar në shtëpi kundër Spal-it. Ekipi i mbrojtësit shqiptar mbetet në vendin e 18-të me 29 pikë, katër larg zonës së mbijetesës, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur.

Parma befason Milanin, kuqezinjtë rrezikojnë Championsin!

Parma ka ndalur Milanin në ndeshjen e radhës në Serinë A, me rezultatin e barabartë 1-1. Ndeshja u duk sikur do të fitohej nga kuqezinjtë të cilë shënuan në minutën e 69′ me Castillejo, mirëpo vendasit barazuan me Alves tre minuta para përfundimit të ndeshjes.

Një pjesë e parë e varfër në raste, ku të dyja ekipet shfaqën shenja frike duke u mbrojtur më shumë se sa duke sulmuar.

Juraj Kucka rrezikoj seriozisht portën e Milanit me një roveshatë në minutën e 19’-t. Ndërsa Piatek u kundërpërgjigj me dy gjuajtje, por të pasakta.

Ndryshimet e Gattusos në pjesën e dytë japin rezultat te Milani. Pikërisht Castillejo, i hedhur në fushë si zëvendësues shënoi golin e avantazhit me kokë.

Pas 4 minutash ishte Patrick Cutrone që shënoi golin e dytë, por arbitri anësor dhe VAR e anuluan për pozicion jashtë loje të Piatek në nisje të aksionit.

Në minutën e 87’-t ndodhi surpriza e madhe, teksa Bruno Alves realizoi një gol të bukur nga goditja e dënimit.

Me këtë pikë Milani shkon në kuotën e 56 të tillave, 2 më shumë se Roma dhe 3 më shumë se Atalanta. Ndërsa Parma hedh një hap të sigurt drejt mbijetesës, me 7 pikë larg vendit të 18-t.

Reagon Dibala: Kapitenët vuajnë më shumë në humbje!

Paulo Dybala nuk po kalon një sezon të mirë te skuadra e Juventus, teksa deri më tani ka shënuar vetëm 5 gola në kampionat. Pak ndeshje të luajtura, shto këtu dhe problemet me dëmtimet, ka bërë që argjentinasi të mos jetë në ditët e tij më të mira.

Ai e nisi si titullar takimin që Juve luajti ndaj Ajaksit në çerekfinalen e Champions League, duke mbajtur dhe shiritin e kapitenit pasi mungonte Chiellini. Mirëpo sulmuesi pritet të mungojë në takimin e radhës në kampionat atë kundêr Fiorentinës, ku ‘Zonja’ pirtet të festojë titullin e tetë radhazi në Itali.

Argjentinasi, përmes rrjeteve sociale ka ripohuar dashurinë për fanellën që mban veshur nga qershori 2015.

“Kapitenët vuajnë edhe më shumë në humbje, ata kalojnë ngadalë, në heshtje. Dhimbja do të kalojë, por bukuria e sportit është se ka gjithmonë një tjetër trofe, një tjetër kupë, një tjetër sezon”.

Kështu shkruan Dybala, teksa është i pari nga kampi bardhezi, që thyen heshtjen, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve prej Ajax-it.

Mesazhi është i qartë, mbart më shumë se një kuptim. Nëse zërat e medias e shohin në largim nga “Zonja e Vjetër”, vetë Dybala përdor Instagram-in për t’i bërë gjërat të qarta. Qëllimi i tij nuk është thjesht të përpiqet të fitojë përsëri, por ta bëjë këtë me fanellën e Juventusit.

“Ai hipnotizoi De Paul”, mediat italiane vlerësojnë Thomas Strakoshën!

“Ai hipontizoi De Paul duke i pritur penalltinë”, apo “Strakosha blindon fitoren e Lacios”, janë disa nga titujt vlerësues të mediave Italiane për Thomas Strakoshën pas ndeshjes me Udinesen. Kjo e fundit u mund nga Lacio në takimin e prapambetur të Serisë A, që u luajt dje në Romë.

Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha ishte deçiziv në fitoren me mjaftë vlerë për skuadrën e tij. Gardiani i portës së “Biancoceleste” priti një penallti të gjuajtur nga lojtari i Udineses, De Paul, duke i mohuar golin e ngushtimit të diferencës së rezultatit, që në atë moment ishte 2-0 për ekipin e Inzagit.

Për penalltinë e pritur dhe shumë gjuajtje të tjera gjatë ndeshjes, Thomas Strakosha është vlerësuar nga mediat italiane me notë të lartë. 7-të është nota e dhënë nga mediat në sinkron, të cilat evidentojnë vlerat e portierit shqiptar në takimin e djeshëm

“Strakosha meriton notën 7-të. Hipnotizoi De Paul dhe pritja vlen sa për një gol në një moment shumë delikat të lojës, ai mban Lazion në 2-0. Për pjesën tjetër bën administrim të zakonshëm të lojës”, shkruan ndër të tjera në vlerësimin që i bën “Calciomercato” futbollistit kuqezi.

Xhaka kërkohet nga Inter në Serinë A

Granit Xhaka drejt Inter. Gazeta më e madhe sportive në Itali, “Corriere dello Sport”, raporton sot se skuadra e Inter është në kërkim të një qendërmesfushori të ri.

Emri i vendosur në krye të listës është ai i Granit Xhakës, futbollistit shqiptar nga Kosova, që përfaqëson Zvicrën në nivel kombëtaresh, ndërsa aktualisht aktivizohet me klubin e Arsenal.

Ky do të jetë një operacion i vështirë financiar në tregun e transferimeve këtë verë për Inter, nëse klubi zikaltër do të jetë i vendosur për të blerë Xhakën. Futbollisti 26-vjeçar ka kontratë me Arsenal deri në vitin 2023, teksa janë paguar 45 milionë euro në 2016, që mesfushori të shkonte në Londër.

Emri i mesfushorit me orgjinë shqiptare ka dalë në skenë pas një vizite të drejtorit sportiv të Inter, Piero Ausilio në Angli. Megjithatë, Xhaka është vetëm një nga mundësitë, pasi në planet e Inter janë dhe disa lojtarë të tjerë.

Skip to toolbar