Tërhiqet PS, Prokuroria arreston deputetët pa paraqitur prova në Kuvend

Më të fundit


Partia Socialiste është tërhequr nga propozimi i bërë në fillim të vitit 2018-ës për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit që bënte të detyrueshme nga ana e Prokurorisë paraqitjen e provave për të marrë nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e deputetëve në rast të shkelje të ligjit. Kjo nismë u propozua një vit më parë nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, por Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja u shpreh se PS-ja është tërhequr për të shmangur debatin politik.

Propozimi i PS-së synonte që në Rregulloren e Kuvendit të specifikohej që Prokuroria të japë prova në Këshillin e Mandateve kur kërkon arrestimin për një deputet. PD-ja u shpreh kundër këtij ndryshimi dhe asokohe pati një debat të madh mes shumicës dhe opozitës, pasi në rastin e kërkesës së Prokurorisë për të arrestuar ish-deputetin Saimir Tahiri, deputetët e PS kërkuan paraqitjen e provave dhe nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij, edhe pse, deputetët nuk gëzojnë imunitet.


Me gjithë tërheqjen e PS-së nga ky propozim dy nenet e rregullores së Kuvendit, 118 dhe 119 për autorizimin për arrestimin e deputetëve pritet që të ndryshojnë në mbledhjen e radhës për të reflektuar ndryshimet Kushtetuese, ku nga një person me imunitet, tashmë deputeti nuk e gëzon më këtë privilegj.

Pjesë e debatit mes deputetëve ishte edhe amendimi i nenit 48 të Rregullores, lidhur me përcaktimin e kohës së diskutimit në Kuvend. Kohëzgjatja e diskutimit do të jetë 10 minuta. Gjithashtu është specifikuar edhe rasti kur drejtuesi i seancës mund t’u ndërpresë fjalën deputetëve, kur janë jashtë rendit të ditës. Gjatë diskutimit të kësaj pike ka ndërhyrë kryetari i grupit të partive të djathta në Kuvend, Adriatik Alimadhi që akuzoi se kryetari i kuvendit sillet si “diktator”. “Nuk mund t’ia lemë këtë të drejtë kryetarit të Kuvendit. Deputetët flasin për problematika të ndryshme” tha ai. Por, Fino ka kërkuar vendosjen e disiplinës. “Diskutimet për marrëveshje që janë 20 minutëshe janë abuzuar. Deputetët kanë folur në fillim për marrëveshjen, e më pas për politiken e ditës. Duhet të vendosim disiplinën”, tha Fino. Në përfundim të mbledhjes është lënë sërish që të diskutohet për propozimet e Ballës, por të ndryshuara.




Skip to toolbar