24 vite nga genocidi serb, Bosnja kujton masakrën e Srebrenicës

BOTA


Bosnje-Hercegovina kujtoi me dhimbje të enjten 24-vjetorin e Srebrenicës, e konsideruar si masakra më e madhe dhe më tragjike e pas-Luftës së Dytë Botërore. Ajo përbën kulmin e një lufte të përgjakshme, nisur që më 1992, ku fillimisht Sllovenia, e më pas Kroacia e Bosnja, do ishin zinxhiri i shkërmoqjes së Jugosllavisë së Titos me 6 republika, mbajtur në këmbë nën kredon politiko-ideologjike të “Vëllazërim-Bashkimit”, në një rend komunist, ndonëse në pikëpamje ekonomike më liberali i Bllokut Lindor”.

Në 24 vjetorin e kësaj masakre, shumë politikanë dhanë mesazhet e tyre në mbështetje të popullit mysliman.


Sekretari i Shtetit në SHBA, Mike Pompeo tha me rastin e 24-vjetorit të genocidit në Srebrenicë se ky kapitull i dhimbshëm i historisë nuk duhet të mohohet dhe as të harrohet. “Populli amerikan u bashkua me qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës në nderim kujtimin e më shumë se 8,000 viktimave të pafajshme në Srebrenicë, tha Pompeo në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti i Shtetit.

Kreu i diplomacisë së BE-së Federica Mogherini dhe komisionari evropian për Zgjerim Johannes Hahn vlerësojnë se Srebrenica është një nga momentet më të errëta në historinë moderne evropiane dhe bënë thirrje për tejkalimin e barrës të së keqes së kaluar. “Sot shënojmë genocidin në Srebrenicë. Dhe pas 24 vjet të kësaj tragjedie vazhdon të na ndjekë”, tha Mogherini dhe Hahn në deklaratën e përbashkët duke shprehur simpati për “viktimat dhe jetët e atyre që janë prekur nga kjo ndodhi tragjike, ” dhe kujtojnë detyrimin për forcimin e paqes të qëndrueshme në BeH, rajonin më të gjerë.

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar masakrën e Srebrenicës në 24-vjetorin e saj. Në një postim në Facebook, Meta tha se është koha të kërkohet drejtësi deri në fund për shkaktarët e këtij genocidi të pamëshirshëm. “Sot në 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, më të madhes në zemër të Europës, është koha jo vetëm të lutemi për shpirtrat e viktimave dhe dhimbjen e patreguar që përjetuan popujt e rajonit tonë, por njëkohësisht të kërkojmë drejtësi deri në fund për shkaktarët e këtij genocidi të pamëshirshëm,”-shkroi Presidenti.

Në 24-vjetorin e Srebrenicës, edhe presidenti Thaçi kujton se ata që e shkaktuan atë, po  ata më pas shkaktuan dhe tragjedinë kosovare. “Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, riktheu tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popull-vrasjeve masive. Ky gjenocid i urdhëruar nga regjimi i Millosheviqit, ku u vranë rreth 8 mijë njerëz, ishte edhe një paralajmërim se deri në çfarë mase mund të shkonte çmenduria e regjimit serb. Me të njëjtën logjikë, ky regjim vrastar vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999”, shkruan Thaçi. Më tej, kreu i shtetit të Kosovës, e konsideron po aq dëshpërues faktin se drejtësia nuk është vënë në vend. “Është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. Sot, 24 vjet pas masakrës së Srebrenicës, me dhimbje të madhe i kujtojmë tmerret që ndodhën atje”, përfundon Thaçi.

Ndërsa Vladimir Djukanoviç, deputet dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të Aleksandar Vuçiç, ka shkruar një mesazh të turpshëm në profilin e tij në Twitter, duke kremtuar 24 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Deputeti i Vuçiçit, Djukanovic paturpësisht ka shkruar në rrjetin social Twitter duke i përgëzuar popullin serb dhe falënderuar Ratko Mlladic, njërin ndër fajtorët kryesor për gjenocidin në Srebrenicë. “Dua të përgëzoj popullin serb në ditën e çlirimit të Srebrenicës, duke falënderuar gjeneralin Ratko Mlladic për operacionin ushtarak Krivaja ’95 të ekzekutuar shkëlqyeshëm”, shkroi Djukanovic.

Gjenocidi i Srebrenicës është një krim lufte që ka ndodhur në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjet. Një fëmijë i vogël i trishtuar nga ngjarja kishte pyetur nënën e tij, se a vriten fëmijët me plumbat të vegjël. Gjenocidi është zbatuar në rajonin e Srebrenicës nga Ushtria e Republikës Serbe (VRS) nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq, duke përfshirë njësinë paraushtarake “Skorpioni” (Akrepat), e cila ishte pjesë e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, si dhe disa qindra vullnetarë grekë dhe rusë.




Skip to toolbar