Terror në Londër, terroristi sulmon me thikë, 2 të vdekur, 12 të plagosur

AKTUALITET


Një ish i burgosur i dënuar më parë për terrorizëm ka shkaktuar një tragjedi në Londër, duke sulmuar me thikë kalimtarët në rrugë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 12 të tjerëve. Ngjarja ka ndodhur të premten në London Bridge, ndërsa policia ka qëlluar për vdekje terroristin 28-vjeçar Usman Khan.

Khan ishte një emër i njohur për autoritetet pasi kishte qenë i dënuar më parë për terrorizëm në vitin 2012. Ai kishte dalë nga burgu rreth një vit më parë, në dhjetor të vitit 2018.

Terroristi sulmoi me thikë kalimtarët të premten duke vrarë 2 prej tyre dhe duke lënë të plagosur 12 të tjerë. Kanë qenë vetë kalimtarët që e kanë bllokuar terroristin, ndërsa policia u afrua menjëherë dhe e qëlloi për vdekje. Agresori kishte veshur një jelek dinamiti, që më vonë rezultoi i rremë, pasi u verifikua nga ekspertët e lëndëve plasëse.

Forca të shumta policie u mblodhën te London Bridge, ku ndodhi sulmi.

Pak orë më vonë, një sulm i ngjashëm ka ndodhur në Hagë, në një rrugë të mbushur me dyqane dhe klientë të shumtë.

Sulmi ndodhi në brendësi të një dyqani dhe policia tani është vënë në kërkim të një mashkulli të moshës 45 deri në 50 vjeç.

Gjendja e të lënduarve në Hagë është ende e paqartë, por janë raportuar 7 të plagosur.

Terroristi i vrare ne Londer


Skip to toolbar