Trafik armësh dhe krime kundër shtetit në Peru / Ukrainasi tenton të hyjë në Shqipëri, por kapet

AKTUALITET


Një 58-vjeçar, banues në Ukrainë ishte në kërkim nga INTERPOL për trafik arme dhe krime kundër shtetit në Peru dhe kjo nuk e ka ndalur që ai të lëvizte lirisht, e madje ka tentuar që të hyjë në Shqipërisë përmes Morinës.

Mirëpo, plani nuk i shkoi siç duhet. Ai u pikas nga Policia Shqiptare, e cila e arrestoi me qëllim ekstradimin.


Bëhet fjalë për Dmytro Chornyi, 58 vjeç, banues në Ukrainë. Ai ishte i dënuar me 25 vjet burgim, nga autoritetet e Perusë, për trafikim të armëve dhe për krime kundër shtetit. Pas vënies në pranga, uniformat blu njoftojnë se Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Peru, për ta ekstraduar shtetasin Dmytro Chornyi, drejt këtij shteti.

“Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i dënuar me 25 vjet burgim, nga autoritetet e Perusë, për trafikim të armëve dhe për krime kundër shtetit, arrestohet me qëllim ekstradimin, 58-vjeçari.

Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve nga shërbimet e Interpol Tiranës, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Perusë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht Dmytro Chornyi, 58 vjeç, banues në Ukrainë.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 58-vjeçari ishte i dënuar nga autoritetet gjyqësore të Perusë, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i armëve” dhe “Krimet kundër shtetit dhe mbrojtjes kombëtare”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Perusë.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Peru, për ta ekstraduar shtetasin Dmytro Chornyi, drejt këtij shteti”.




Skip to toolbar