Tusk: Vendimi për negociatat, para majit

AKTUALITET


Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk shpreson që liderët e BE të marrin një vendim për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para samitit te Zagrebit që do të zhvillohet në maj të vitit 2020. Tusk shkruan në një raport përfundimtar për vendimet e samitit të Brukselit se liderët e BE mund të gjejnë konsensusin dhe unanimisht të japin një vendim pozitiv para majit, ndërsa e ka cilësuar të gabuar vendimin e marrë një javë më herët.

“Udhëheqësit zhvilluan një debat të vështirë për zgjerimin. Pas rekomandimit të qartë nga Komisioni, një shumicë dërrmuese e vendeve anëtare dëshironin të hapnin bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Përkundër kësaj, unanimiteti i kërkuar nuk ishte i mundur javën e kaluar. Sipas mendimit tim, ky ishte një gabim, të cilin ua kam thënë udhëheqësve (dhe unë kam qenë pak më i drejtpërdrejtë atëherë). Tani mund të shpresoj vetëm se liderët nxjerrin përfundimet e duhura, kur diskutojnë procesin e pranimit përpara samitit të Zagrebit në maj të vitit 2020”, shkruan Tusk në raport.


Ndërsa më herët në një mesazh në twitter Tusk ka theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur detyrimet e tyre, BE nuk ia doli të mbante premtimet si dhe ka shprehur besimin se shumë shpejt të dy këto shtete do të bëhen anëtarë me të drejta të plota në BE.

“Dua të çojë një mesazh miqve tanë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut: Mos u dorëzoni. Ju e bëtë pjesën tuaj, ne nuk e bëmë. Por unë nuk kam asnjë dyshim se ju do të bëheni anëtarë me të drejta të plota në BE”, shkruan Tusk.




Skip to toolbar