Veliaj: Jo PS-PD, sot zgjedhjet janë mes Rusisë dhe SHBA

AKTUALITET


Pas deklaratës së fortë të Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit në SHBA, Matthew Palmer, i cili tha se nëse në protestën e së shtunës do të ushtrohet dhunë, përgjegjës do të jenë organizatorët e saj, Kryemadhi dhe Basha, dhe se kush tenton të cenojë zgjedhjet nuk do të shkelë më në SHBA, ka reaguar edhe kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliaj. Nga Shëngjergji, ku vijoi fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj tha se: “Lajmi i mirë është që Shqipëria nuk është pa miq. Sot ishte një lajm i jashtëzakonshëm deklarata e zyrtarit të lartë të DASH, Palmer, me emër dhe mbiemër, për Monën dhe për Lulin, që nëse shkaktoni dhunë, ta dijë bota mbarë se është faji juaj. Jeni ju përgjegjës, do të shkoni ju para drejtësisë”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj u shpreh se sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një hetim të hapur për financime të pista nga Rusia të Partisë Demokratike. “Një parti që prodhon çadra të personalizuara për secilin protestues nuk është parti fukarenjsh dhe qartazi ka një financim të padeklaruar, por fatmirësisht paratë ruse që financojnë Partinë Demokratike kanë hapur një hetim në Amerikë dhe ka ardhur koha të hapet edhe një hetim në Shqipëri.”, tha Veliaj.


Veliaj theksoi se këto zgjedhje janë edhe një zgjedhje mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Sot nuk është punë PS-PD, sot është një zgjedhje mes Rusisë dhe Amerikës. Amerika foli qartazi se me kë është dhe kë po mbështet më 30 qershor për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për ata që paraqiten në fushë. Nuk po mbështet PS-në, por po mbështet Shqipërinë. Sepse nuk po kandidon vetëm PS, fakti që unë jam numri dy do të thotë që është edhe një tjetër”, tha Veliaj.




Skip to toolbar