Ngrihet Komisioni me 101 vota pro, 3 muaj hetime për shkarkimin e Ilir Metës

AKTUALITET


Parlamenti ka votuar me 101 vota pro dhe 6 kundër, 2 abstenim, ngritjen e Komisionit Hetimor, që do të hetojë shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Fjalën e hapjes në seancën parlamentare e mbajti Ulsi Manja, i cili lexoi argumentet dhe gjetjet e raportit të Komisionit të Ligjeve, i cili i propozoi Kuvendit më pas votimin për ngritjen e Komisionit Parlamentar.

Më pas, ishte Kryeministri Edi Rama, që mbajti një fjalim më pak se koha e parashikuar, por i argumentuar ku cilësoi shkeljet e rënda kushtetuese të Ilir Metës, si dhe sulmet e paprecedenta të Presidentit ndaj partnerëve ndërkombëtar. Rama i bëri thirrje gjithashtu deputetëve të opozitës që të votojnë pro ngritjes së Komisionit Hetimor.

Në fakt, këtë thirrje e konfirmuan shumica e deptetëve të opozitës, të cilët gjatë fjalës së tyre në parlament, u shprehën pro shkarkimit të Ilir Metës, dhe ngritjen e Komisionit Hetimor, që i hap rrugë ligjërisht këtij vendimi. Komisioni Hetimor, pas votimit në Parlament, ngrihet brenda dy ditësh dhe nis punën për nisjen e hetimit dhe përgatitjes së raportit përfundimtar, që do të votohet nga Parlamenti për shkarkimin e presidentit.

Po çfarë ndodh pas ngritjes së Komisionit Hetimor. Ligjërisht, ky komision do të ketë një periudhë  kohore tre mujore për të hetuar shkeljet kushtetuese të Ilir Metës. Presidenti do të thirret për të folur para anëtarëve të Komisionit Hetimor, një e dretjë ligjore e tij. Më pas, vijohet me hetimin e shkeljeve të ndryshme kushtetuese, të cilat në fakt, mazhoranca pothuajse i ka gati, pasi ato janë pjesë e raportit të Komisionit të Ligjeve të miratuar në Parlament, dhe përbëjnë bazën kryesore të pikave ku bazohet shkarkimi i Ilir Metës. Megjithatë, afati tre mujor i funksionimit të Komisionit Hetimor, ka dhe një tjetër domethënie.

Nëse ky komision, dorëzon në Parlament raportin përfundimtar të hetimit të Metës, dhe Kuvendi voton shkarkimin e Presidentit, është Gjykata Kushtetuese ajo që thotë fjalën e fundit për shkarkimin ose jo të kreut të shtetit. Ndaj, mazhoranca, brenda këtij afati 3 mujor të Komisionit Hetimor, paralelisht, ka mundësi të votojë në Kuvend edhe emrat për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të jetë funksionale në momentin e shkarkimit të Presidentit nga Parlamenti, dhe si rrjedhojë, e gjithë procedura e shkarkimit të Ilir Metës, përfshi dhe vlerësimin në Kushtetuese, mund të mbyllet brenda vjeshtës.

Komisioni Hetimor përbëhet nga:

1-Ulsi Manja, kryetar

2-Vasilika Hysi, anëtar

3- Klotilda Ferhati, anëtar

4-Bashkim Fino, anëtar

5-Alket Hyseni, anëtar

Nga opozita parlamentare:

1- Alban Zeneli

2- Halit Valteri

3- Adriak Alimadhi

Nga deputetët jashtë grupeve parlamentare:

1-Krenar Rryçi



Skip to toolbar