Klandestinë për 3 mijë euro, 2 në pranga, hetim policit

AKTUALITET


Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat procedoi penalisht një punonjës policie, ndërsa në pranga janë vënë dy shtetas të tjerë. Nga një njoftim i shpërndarë nga SHÇBA, mësohet se këta shtetas akuzohen për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave, që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm”, pasi këta shtetas organizonin trafikim të personave nëpërmjet  Pikës së Kalimit në Portin e Durrësit.

Këta shtetas, bënin të mundur kalimin e paligjshmë të kufirit të personave që kishin probleme në zonën Shengen, kundrejt pagesave të konsiderueshme që shkonin deri në 3.000 euro për person. Pas hetimeve 3-mujore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit: B.D., 44 vjeç, lindur e banues në Durrës, me detyrë punonjës në Zonën e Terminalit, i një shoqërie të kontraktuar nga Autoriteti Portual Durrës.

Ky shtetas, në rolin e sekserit, organizonte dhe ndërmjetësonte me punonjës policie, duke krijuar kushte për kalim të paligjshëm të personave me probleme në zonën Shengen. Në cilësinë e provës materiale në momentin e arrestimit, iu sekuestrua vlera prej 1300 euro, vlerë e përfituar nga kalimi i paligjshëm i shtetasit.

U arrestua gjithashtu shtetasi me inicialet T.D., 28 vjeç me banim në Durrës, me detyrë agjent doganor i një agjencie doganore private, në rolin e bashkëpunëtorit, i cili ndihmonte në gjetjen e klientëve për kalime të paligjshme. Iu kapën dhe sekuestruan 500 euro. Ndërkohë, ndiqet në gjendje të lirë punonjësi i policisë V.C., 32 vjeç, me detyrë kontrollor në stacionin e Policisë Kufitare Durrës. Hetimi vijon për zbulimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.



Skip to toolbar