Albi Xhunga: Rama mes Erdogan e Macron

OPINION


Verën e shkuar, më 10 korrik, në orën preçize 14:53 ‘’sulltani’’ Erdogan firmosi transformimin në xhami të Shën Sofisë (Hagia Sophia), kishës së madhe bizantine në Stamboll. Zgjedhja e orës nuk shtë rastësore. Viti i largët 1453 shënon rënien e Kostandinopojës në zotërimin otoman. Ky është vetëm njëri nga aktet e presidentit Erdogan në sagën e tij të përplasjeve me Perëndimin. Lista është e gjatë…

Vizita e beftë e Edi Ramës në Paris, në kontekstin e një situate tepër të acaruar mes Francës dhe Turqisë, apo edhe më të personalizuar, mes dy presidentëve, Emanuel Macron dhe Rexhep Taip Erdogan, të bënte të mendoje për një ndërmjetësim të kryeministrit shqiptar mes tyre. Kush më mirë se kryeministri i një vendi të vogël, frankofon, i afërt kulturalisht me Francën ku ka jetuar disa vjet, do të ishte një i dërguar ideal për të qetësuar gjakrat mes tyre ? Kë më mirë se kryeministrin shqiptar do të gjente si ndërmjetës me ‘’sulltanin’’ problematik presidenti Macron ? Shqipëria, vend i cili ka nevojë jetike për përkrahjen franceze në rrugëtimin e saj drejt BE (bllokuar pikërisht nga Franca), mik i deklaruar i presidentit Erdogan, i ftuar nderi në dasmën e vajzës së tij, i pritur si kryetar i një shteti të fuqishëm në Stamboll, Edi Rama ka padyshim ‘’veshin’’ e Erdoganit dhe mund ta kryejë më së miri një ndërmjetësim underground mes tyre. Zgjedhja e negociatorëve nga vende pak të rëndësishme është praktikë e njohur ndërkombëtare për të mos kompleksuar palët me negociatorë që përfaqësojnë vende të mëdha e interesa të rëndësishme. Për çmimin nobel të paqes, ish presidentin finlandez, Marti Artisari, negocimi i çështjes Kosovë-Serbi ishte vetëm një nga dhjetra misionet e rëndësishme ndërkombëtare që i ishin besuar, natyrisht, jo për shkak të fuqisë së vendit nga vinte.


Vizita mjaft e çuditshme e Edi Ramës në pallatin Elize (Elysée) për të drekuar me presidentin Macron vështirë të besohet se u realizua për të diskutuar për investimet franceze në Shqipëri. Lajmi për një tjetër vizitë po aq të beftë të kryeministrit shqiptar sot (24 mars) në Stamboll e përforcon këtë ide. Mosprezenca në takime elektorale për shkak të këtyre dy vizitave i kushton jo pak kryeministrit në këtë fushatë intensive të fokusuar veçanërisht rreth lidershipit, por misioni që i ofrohet duket edhe më i rëndësishëm dhe përfitimet e mundshme edhe më të mëdha. Nga dy vendet që udhëheqin BE-në, Gjermania e ka shfafur hapur dhe në mënyrë konstante përkrahjen e Shqipërisë në rrugën e saj europiane. Ka qenë Franca ajo që i ka vënë barriera vendeve kandidate dhe pikërisht presidenti Macron me vizionin e tij se BE së pari duhet të reformohet e pastaj të zgjerohet.

Pranverën e shkuar në orën preçize 14:53 ‘’sulltani’’ Erdogan firmosi transformimin në xhami të Shën Sofisë (Hagia Sophia), kishës së madhe bizantine në Stamboll. Zgjedhja e orës nuk shtë rastësore. Viti i largët 1453 shënon rënien e Kostandinopojës në zotërimin otoman. Ky është vetëm njëri nga aktet e presidentit Erdogan në sagën e tij të përplasjeve me Perëndimin. Të tjerët janë më pak simbolikë dhe lista është e gjatë. Por nëse për marrdhënien e tij me SHBA-të presidenti Erdogan duhet të presë reagimet e para të administratës Biden, me Europën çështjet e hapura janë vërtet shumë dhe Franca zë padyshim vendin e parë. Ndërhyrja turke në Libi bie ndesh direkt me interesat frnceze. Ndërhyrja në Siri gjithashtu. Çështja e refugjatëve (3 milionë rrefugjatë sirianë ndodhen aktualisht në Turqi) është një kartë e fortë e Erdogan kundra Europës. Përplasja me Greqinë dhe për rrjedhojë edhe me Francën. Çështja e Qipros mbetet gjithmonë e hapur. Lista është vërtet e gjatë.

BE miratoi sanksione kundra individëve turq (përjashtohej Erdogan), por Keshilli i Ministrave e shtyu për më vonë vendimin për aplikimin e tyre. Sanksionet eventuale të BE ndaj Turqisë janë të komplikuara për shkak të shkëmbimeve të shumta. Gjermania nuk shprehet qartë dhe preferon një zgjidhje diplomatike, pasi shkëmbimet me Turqinë shkojnë në 40 miliardë dollarë në vit, pa llogaritur komunitetin turk prej 4 milionësh në Gjermani.
Edhe vetë Franca e ka shumë të komplikuar vendosjen e sanksioneve, pasi kjo do të penalizonte edhe firmat franceze që prodhojnë në Turqi, si psh Renault.

Ekspansioni turk dy dekadat e fundit, kryesisht drejt Afrikës, është impresionues. Në vitet 2000 Turqia kishte 9 ambasada në Afrikë, tani ka 45. Turkish airlines mbulon fluturime në të gjithë Afrikën. Në Algjeri ka sot mbi 800 firma turke. Eksportet turke në Afrikë janë 10 fishuar në 20 vjet. Tani shkojnë në 15 miliardë dollarë. Turqia, përveç xhamive ka ndërtuar në Afrikë edhe porte e aeroporte, si aeroporti i Dakarit apo porti i Suakin në Sudan. Ndëhyrja turke në Libi dhe Siri. Turqia ka ndërtuar baza ushtarake në Somali dhe Sudan dhe ushtria turke po formon dhe trajnon ushtrinë somaleze.

Turqia është gjithashtu një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe i perëndimorëve në përgjithësi, qoftë për pozicionin e saj strategjik, qoftë për frenimin e ekspancionit rus, qoftë për bashkëpunimin e frytshëm në luftën kundra ekstremizmit fetar. Nëse opsioni ekonomik (sanksionet) është i komplikuar dhe me kosto për të gjithë, opsioni ushtarak nuk mund të imagjinohet kundra ushtrisë së dytë më të madhe të NATO-s.

Nga ana tjetër edhe Turqia ka problemet e saj. Kohët e rritjes së fortë ekonomike duken tashmë të largëta. Presidenti Erdogan e di se, nëse autoritarizmi i është toleruar deri tani, asnjë popull nuk e toleron varfërinë. Situata ekonomike e Turqisë në këtë kohë pandemie është veçanërisht kritike. Specialistë vlerësojnë se fuqia blerëse në Turqi ka rënë tashmë në vlerat që ajo kishte dy dekada më parë. Presidenti Erdogan ka interes të qetësojë marrëdhëniet me Perëndimin e veçanërisht me Francën, një nga dy vendet lider të BE në këtë situatë të vështirë.

Nga ana tjetër edhe presidenti Macron ka interes të qetësojë marrëdhëniet me Turqinë, të acaruara edhe për shkak të lëvizjeve të tij, si psh rreshtimi i hapur në krah të Greqisë, apo plani kundër separatizmit islamik në Francë, që kishte si shënjestër pikërisht islamizmin që vinte nga Turqia me ndërtimin e rreth 300 xhamive, me fonde të konsiderueshme dhe me dërgimin e dhjetra imamëve çdo javë për të drejtuar faljet e së premteve në xhamitë e komunitetit turk në Francë.
Duke parë se sanksionet janë opsion i vështirë (Gjermania ngurron) dhe se Turqia nuk impresionohet nga dy fregata në Mesdhe në krah të atyre greke, opsioni i vetëm që mbetet është qetësimi i marrdhënieve.

Në një intervistë dhënë ditën e djeshme (23 mars) fill pas një bisede me videokonferencë me homologun e tij turk për televizionin Francë 5, toni i presidentit Macron dukej veçanërisht i zbutur. Ai vinte theksin tek nevoja për të gjetur përmes dialogut rrugën drejt zgjidhjeve të atyre shumë çështjeve që ndajnë palët, si dhe të rëndësisë që ka aleanca me Turqinë me Perëndimin dhe me Francën në veçanti.

Në këtë kontekst nuk është për t’u çuditur që si ndërmjetësues të zgjidhet pikërisht kryeministri shqiptar. Është i gabuar mendimi se, duke qenë kryeministri i një vendi të vogël, Edi Rama nuk mund ta kryejë këtë mision. Përkundrazi, është pikërisht fakti që përfaqëson një vend të vogël ai që e bën më të përshtatshëm Edi Ramën për këtë mision. Natyrisht këtu bëhet fjalë vetëm për një tentativë për të përafruar qëndrimet e palëve. Franca dhe Turqia kanë aq shumë çështje të hapura, saqë edhe një dekadë bisedime nuk do të mund t’i zgjidhte të gjitha. Por ne mund të shpresojmë se përfshirja e kryeministrit tonë në këto tratativa mes të mëdhenjve mund t’i sjellë edhe disa të mira Shqipërisë.




Skip to toolbar