Albi Xhunga: Rrota nuk mund të shpiket dy herë

Më të fundit


Presidenti me jetëgjatë i Francës, Fransua Miteran (François Mitterrand), erdhi në krye të të majtës franceze pas një militimi në ekstremin e djathtë. Konvertimi i Miteran në socialist nuk ishte një çështje doktrinore. Ai thjesht kuptoi se për të marrë pushtetin duhet t’i largohej ekstremeve, snobizmit dhe të përdorte strukturat e një partie të madhe. Për këtë do t’i shërbente Partia Socialiste Franceze, ku fitoi postin e sekretarit të parë (kryetarit). Pas bashkimit të së majtës franceze dhe fitores së presidencës, ai do ta abandononte socializmin për t’u konvertuar në liberal pro-europian. Për të lehtësuar pushtetin, presidenti Miteran do të instrumentalizonte ekstremin e djathtë, duke urdhëruar ministrin e tij të komunikacionit, Zhorzh Filiu (Georges Fillioud), që të ftonte rregullisht kreun e Frontit Nacional, Zhan-Mari Lë Pen (Jean-Marie Le Pen) në mediat shtetërore. Skema funksionoi për mrekulli. Diskurset ekstreme e plot urrejtje të kreut të Frontit Nacional kompesuan konsumimin dhe dobësimin politik të presidentit Miteran si pasojë e pushtetit të gjatë dhe penguan bashkimin e të djathtës. Sipas filozofit, Mishel Onrfej (Michel Onfray), Fransua Miteran e vrau të majtën franceze duke u orientuar drejt liberalizmit. Por bashkë me të majtën franceze ai vrau edhe çdo tendencë të ekstremit të majtë, përfshirë komunizmin. 

Edi Rama nuk erdhi në krye të së majtës shqiptare si një ish anëtar i ekstremit të djathtë edhe për faktin se Shqipëria nuk ka prodhuar kurrë një ekstrem të djathtë. Ai erdhi në politikën shqiptare si një liberal ekstrem (të paktën për parametrat e kohës). Pak nga pak ministri snob i kulturës dhe kryebashkiaku ekstravagant, me veshje të eksagjeruara (çorapet e tij të kuqe u bënë epike)  e me eksperienca plazhesh nudo, u bë politikan. E kishin përzënë nga dera, por iu hyri në politikë nga dritarja dhe i mundi të gjithë. Pushteti thonë se ka një tërheqje të fortë magnetike dhe Edi Rama nuk mund të përbënte përjashtim. Për të marrë realisht pushtetin i duhej struktura e një partie të madhe dhe t’i largohej snobizmit. Pakkush besonte në vitin 2005 se befas kryebashkiaku atipik kishte filluar të ndihej socialist duke përqafuar doktrinën. Mirëpo socialistët ishin të çoroditur nga humbja e zgjedhjeve dhe të dërrmuar nga krijimi i LSI-së që iu shkaktoi atë humbje, e cila duhet thënë se në vitin 2005 ishte ende një forcë me moral. Edi Rama ishte i vetmi yll që shndrinte në qiellin e zymtë socialist. Puna e tij në krye të bashkisë së Tiranës ishte e dukshme dhe e prekshme. Kishte edhe atëherë zëra kundër tij (Lubonja ishte më tipiku) për mënyrën se si po zhvillohej kryeqyteti, por askush nuk mohonte se në bashkinë e Tiranës po punohej. Kjo e ndihmoi të fitonte kreun e Partisë Socialiste dhe të merrte rrugën e gjatë e të mundimshme drejt pushtetit qendror. E nisi me një grup parlamentar të cilin nuk e kontrollonte, por dalë ngadalë Edi Rama arriti t’i japi partisë formën që ai dëshironte. E quajnë rëndom Rilindje, por ajo që ndodhi në Partinë Socialiste ishte më shumë se një zëvendësim elitash. Kjo parti do të largohej gjithmonë e më shumë nga e majta, duke marrë formën e një force liberale. Gramoz Ruçi duket sot si një figurë politike e ardhur nga një epokë tjetër. Shqipërisë nuk mund t’i mungonte shumë një forcë e majtë për sa kohë në skakierën politike nuk u formua kurrë një forcë e vërtetë e djathtë. Edhe Edi Rama, si Fransua Miteran, bashkë me liberalizmin që solli në Partinë Socialiste, vrau çdo ekstrem të majtë të mundshëm që mund të lindte prej saj.


Edi Rama e ka kuptuar prej kohësh qe shqiptarët janë lodhur me këtë klasë politike dhe me pushtetin e tij të gjatë. Të gjitha sondazhet e besueshme tregojnë se të pavendosurit dhe ata që nuk votojnë, përfshirë këtu të zhgënjyerit nga forcat tradicionale, përbëjnë sot partinë më të madhe në Shqipëri. Në kushtet kur asnjëra nga forcat e reja në skenën politike nuk i ka shanset reale të garojë për postin e kryeministrit, atij i mjafton të mundë kundërshtarin direkt për të ruajtur pushtetin edhe për katër vjet të tjera, deri sa, (siç ka thënë ai vetë) të dalë një forcë e re politike e t’i fshijë të gjithë. Edi Rama është divorcuar nga elektorati gri që kur nuk guxoi të garonte i vetëm në vitin 2013, por lajmi i mirë është se në kampin kundërshtar ujërat nuk kanë rrjedhur, por vazhdojnë të qelben erë nga pengmarrësit e vulës së PD-së dhe partia familjare presidenciale. 

Diskursi politik i kryeministrit nuk ngec, megjithë peshën dhe konsumin e tetë viteve në pushtet. Trillet cinike të fatit i dhuruan atij një tërmet dhe një pandemi në mes të mandatit të dytë, dy justifikime me peshë për mungesën e bilancit. Nga njëra anë show me shtëpitë e reja për të pastrehët nga tërmeti dhe me vaksinat që përbëjnë lajm në çdo sasi që mbërrin në Rinas dhe nga ana tjetër instrumentalizimi i vektorëve realë të opozitës, Edi Rama duket i qetë në rrugën drejt mandatit të tretë. Ai nuk ka nevojë të urdhërojë dikë për t’u hapur atyre rrugën mediatike. Paratë e fituara nga korrupsioni iu lejojnë, jo vetëm të kenë mbulim mediatik të bollshëm, por edhe të kenë televizione private e intervista sur mesure. Edi Ramës i mjafton të tregojë me gisht ‘’gogolët’’, doktorin digital dhe shkëlqesinë e tij dhe kjo mjafton që ata të shërbejnë si dordolecë që mbajnë larg opozitës zogjtë e elektoratit gri. Diskurset e tyre plot urrejtje dhe niveli i korrupsionit që përfaqësojnë, kompesojnë konsumimin e Edi Ramës nga pushteti i gjatë dhe mbajnë ende të përçarë opozitën, e cila garon e ndarë në disa parti. Një kryetar opozite që thotë se është i djathtë, por që premton se do ta shpërndajë paranë publike si qejfli dasmash, plotëson mozaikun.

Edhe kundërshtarët e tij e pranojnë se Edi Rama është një mjeshtër i marrëdhënieve publike, një orator i spikatur dhe njeriu që diti më së miri të përdorë fuqinë e mediave në shërbim të karrierës së tij politike. Shfaqja së fundmi në një emision televiziv shumë agresiv ndaj qeverisjes socialiste, në të cilin nuk shkonte prej katër vjetësh, të kujton marrëdhënien e pushtetit të tij me një nga dy televizionet e mëdha pas vitit 2013. Batuta e njohur ‘’Të fala Sandrit’’, që mbyllte çdo dalje publike të kryeopozitarit Edi Rama, kishte si zanafillë një përplasje të hershme të tijën me TV Klan. Duke mos u mjaftuar me përkrahjen pa limite për pushtetin e Berishës në vitet 2005-20013, ky televizion arriti deri aty sa t’i mbyllte derën kryeopozitarit kur ai po shkonte i ftuar në një emision tip tallava që tenton edhe një pjesë politike. Gjithkush priste që pas marrjes së pushtetit nga socialistët në vitin 2013, pushteti i ri, në mos të ishte represiv ndaj  TV Klan, së paku ta mënjanonte atë nga fondet publike, lejet e ndërtimit, koncensionet etj. Por për çudinë e të gjithëve e kundërta ndodhi. Jo vetëm që socialistët nuk u treguan represivë, por TV Klan filloi të përfitonte edhe më shumë se më parë, duke shkaktuar edhe xhelozinë e rivalëve historikë të Top Channel. 

Në atë kohë kryeopozitari Edi Rama kishte për këshilltar politik ish kryeministrin britanik, Toni Bler (Tony Blair). Ne natyrisht që nuk mund të dimë këshillat që Edi Rama ka marrë nga zoti Bler, por ne dimë se si është sjellë ky i fundit me mediat kundërshtare. 

Në fundvitet 80 dhe fillimvitet 90 mediat e manjatit Rupert Murdok (Rupert Murdoch) ishin pranë të djathtës britanike dhe masakronin opozitën laburiste, përfshirë sulme personale ndaj liderëve të saj. Në vitin 1995 kreu i laburistëve në opozitë, Toni Bler, shkon dhe takon manjatin Murdok në rezidencën e tij në Australi. Sipas Xhon Preskot (John Prescott), nënkryetar i laburistëve në atë kohë, vizita kishte për qëllim të ndalte sulmet e mediave të Murdok ndaj Partisë Laburiste. Vizita rezultoi e frytshme. Mediat e Murdok përkrahin kandidaturën e Toni Bler dhe ai bëhet kryeministër në vitin 1997. Se si Murdok u shpërblye për këtë është histori shumë e gjatë.

Fakti që publiku nuk është në dijeni të ndonjë takimi të përfaqësuesve socialistë me drejtues të TV Klan nuk do të thotë se ky takim nuk ka ndodhur. Është e sigurt se paqja nuk mund të ketë ardhur vetvetiu. 

Merita apo faji për mandatin e tretë të Edi Ramës i shkon plotësisht opozitës. Nëse kjo opozitë do të kishte ditur të prezantohej me një lider të panjollë, nëse do të kishte lobuar për listat e hapura aq të dashura për shqiptarët, nëse do të kishte ditur të bashkohej, nëse do të kishte përkrahur reformat dhe veçanërisht reformën në drejtësi të mbështetur fort nga SHBA dhe BE, Edi Rama do t’i kishte të limituara kalkulimet pragmatiste që i japin fitoren në tavolinë. Mirëpo një opozitë ngjyra ngjyra, me republikanë e me ruajalistë, me çamë e me grekë, e mbi të gjitha me parti blloku, me vila të pajustifikuara me 11 tualete, nuk mund të krijojë frymë. 

Edi Rama e di se nuk mund të marrë në masë votën e elektoratit gri pas tetë viteve në pushtet. Ama në një garë ku morali mungon, avantazhohet status quo-ja. Përballë një opozite të paaftë, të trembur e të çoroditur, nuk i duhet të rishpikë rrotën për të marrë fitoren në tavolinë. Rrota është shpikur njëherë. 




Skip to toolbar