“Në Shqipëri tatohet mendja më shumë se malli”, Tabaku: Pse mungova në protestën para Bashkisë

Më të fundit


Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka deklaruar në emisionin “Real Story” se sistemi i taksimit është i padrejtë sepse së pari ka shumë nivele dhe së dyti për të njëjtin nivel pune njerëzit tatohen ndryshe. Sipas saj, në Shqipëri tatohet mendja më shumë se çdo gjë tjetër.

“Sa i përket profesioneve të lira dhe mënyrën dhe sistemin e taksimit. Në 10 vite unë kam ngritur shqetësimin për sistemin e padrejtë që është sot. Dhe sistemi është i padrejtë sepse së pari ka shumë nivele dhe së dyti për të njëjtin nivel pune njerëzit tatohen ndryshe.


Sot kemi dividentët e bizneseve të mëdhaja që tatohen 8%, ndërkohë sot profesionistët e lirë e kanë normën maksimale 23 % por siç më dëshmuam e po ndodh në realitet, janë duke paguar 30-40 % dhe pse ka ndodhur kjo?

Kjo ka ndodhur prej anomalive të sistemit, prej arrogancës që këto e kanë të pamundur të mbledhin taksa aty ku duhet dhe i bien gjithmonë shtresës së mesme. Sot biznesi i madh merr favore fiskale me ligje në parlament, sot biznesi i madh në turizëm paguan më pak taksa nuk paguan taksë ndikimi në infrastrukturë, e ka TVSH 6%, sot biznesi i madh në shumë fusha dhe sektorë ka marrë favore fiskale që e kanë ulur dhe e kanë prishur sistemin, dhe këto përpiqen që ta mbushin me shtresën e mesme.

Këto përpiqen që këtë shtresë, që ka krijuar edhe një zinxhir rritjesh çmimi, dhe këtë shtresë e mbingarkojnë se së pari janë arrogant dhe klientelist me ato që kalojnë ligje në parlament dhe së dyti janë në një situatë të tillë ku sistemi është totalisht i prishur dhe unë mendoj që ky 30 mijë do të shkaktojë një dëm shumë të madh që është në një shtresë që është edhe mendim bërëse. Këtu bën pjesë edhe komplet grupi i teknologjisë së informacionit që kanë kontrata individuale, që thanë s’e kam problem që këtë kontratë ta regjistron në Gjermani. Sepse mendja nuk tatohet njësoj si malli.

Ndërkohë që në rastin e Shqipërisë tatohet mendja më shumë se çdo gjë tjetër“, tha Tabaku.

E pyetur nga analisti Mentor Nazarko, se pse mungoi në protestat përpara Bashkisë, në të cilat nuk munguan as molotovët, deputetja tregoi arsyen dhe u shpreh se opozita duhet të arrijë të tregojë se është një alternativë e besueshme, por kjo bëhet me forcën e zërit

“Opozita duhet t’i bëjë të gjitha. Duhet ta bëjë edhe protestën. Opozita duhet së pari të arrijë t’i tregojë njerëzve se është një alternativë e besueshme dhe kjo bëhet me argumentin dhe me forcën e zërit. Dhe këtë nuk kam për t’u lodhur duke e thënë. Mendoj se sigurisht ka nevojë edhe për t’u protestuar, se shumë njerëz mendojnë se nuk ekziston ky reagimi opozitar.

Por nuk mendoj se protesta duhet të jetë e vetmja mënyrë. E kisha njoftuar këtë takim për profesionet e lira kohë më parë, dhe nuk nuk doja ta ndryshoja dhe qëlloi në të njëjtën orë me protestën, dhe nuk besoj ka diçka të keqe apo anormale që paralelisht zhvillohen dy aktivitete të tilla“, deklaroi ajo./abcnews.al




Skip to toolbar