Emërimet në Kushtetuese, Meta kërcënon Kuvendit: Do i çoj në Venecia

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta njofton se emërimet në Gjykatën Kushtetuese, të bëra në një proces pa garë, sipas tij, nga Kuvendi i Shqipërisë, do t’i dërgojë në Komisionin e Venecias. Reagimi i presidentit erdhi pas vendimit që mori Komisioni Hetimor Parlamentar që votoi pro kërkesës së maxhorancës për të përfshirë në objektin e tij të hetimeve edhe shkeljet kushtetuese që ka bërë Meta në dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në një kohë kur për këtë post KED kishte emëruar Arta Voprsin.

Meta thotë se nuk e ndalon aspak Kuvendin të marrë këshillat miqësore të Komisionit të Venecias, dhe lajmëron se edhe ai do t’i drejtohet këtij komisioni për të shqyrtuar shkeljet ligjore të bëra nga Kuvendi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.


“Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese”, njofton presidenca.

Më herët presidenca reagoi në lidhje me vendimin që mori Komisioni Hetimor për të thirrur si dëshmitar kundër Metës edhe kreun e KED-së, Ardian Dvorani. Ai do të pyetet në komision për shkeljet kushtetuese të bëra nga presidenti në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por për presidentin ky vendim i Kuvendit është marrje në mbojtje e një personi nën hetim nga prokuroria dhe është presion ndaj organeve të drejtësisë.

“Veprimet e fundit të komisionit parlamentar janë qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të z.Dvorani, i cili është kallëzuar në Prokurori për veprimtarinë e tij të mirë dokumentuar kriminale.

Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim.

Dihet botërisht respekti që ka për Komisionin e Venecias ky grup i strukturuar dhe i specializuar për dhunimin e Kushtetutës.

Ndaj veprimet e tyre fundit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës nuk janë asgjë tjetër veçse një presion i qartë politik ndaj organit të akuzës”, njofton presidenca.

Meta ka depozituar padi penale ndaj kreut të KED-së, Dvorani pasi e akuzon atë për shpërdorim detyre dhe marrje kompetencash për emërimin e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Duket se i gjithë ky konflikt tashmë do të zbresë në sallën e Komisionit të Venecias, i cili do të duhet të dalë sërish me një vendim nëse presidenti Meta ka shkelur apo jo Kushtetutën./realstory.al




Skip to toolbar