Apeli i Gjermanisë: Bashkëpunim, nëse doni negociatat

AKTUALITET


Susanne Schütz i ka bërë apel politikës që të ketë bashkëpunim mes opozitës dhe qeverisë nëse kërkojnë një PO për negociatat. Schultz ka mbajtur postin e ambasadores gjermane në Shqipëri, ndërsa aktualisht është e Ngarkuara Federale për Evropën Juglindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-s në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme. Ajo ka deklaruar se Gjermania do të bëjë gjithçka që integrimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut të jetë në krye të axhendës së BE-së, por edhe forcat politike në Shqipëri duhet “ta tërheqin litarin në të njëjtin drejtim”, nëse duan të avancojnë drejtë BE-së.

“Bashkëbiseduesit shqiptarë në takimet e sotme më shprehën zhgënjimin dhe mungesën e mirëkuptimit për faktin, që para një jave në Bruksel nuk u mbërrit dot tek një PO për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Edhe  unë jam e keq ardhur lidhur me rezultatin e konsultimeve në Bruksel. Gjermania ishte angazhuar për një PO. Sido që të jetë, premtimi i Selanikut mbetet – e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE! Ne do të bëjmë gjithçka, që të vazhdojmë të mbajmë në krye të agjendës së BE-së interesin legjitim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hedhur hapat e radhës në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe të angazhohemi për një nisje të shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit.


Por për këtë do të kemi sërish nevojë për argumente të mira. Ndaj është me rëndësi të jashtëzakonshme që Shqipëria të vijojë më tej përpjekjet reformuese të viteve të fundit, veçanërisht ato në sektorin e drejtësisë, sikurse dhe të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këtë qëllim duhet që të gjitha forcat politike – dhe këtu përfshihet edhe opozita joparlamentare – të tërheqin litarin në një drejtim e të marrin përgjegjësi. Të gjitha reformat e nisura janë para së gjithash në dobi të popullsisë shqiptare”, tha Schutz. Ajo theksoi se e rëndësishme për Shqipërinë është pasja e një administrate publike profesionale dhe transparente; një sistem të pavarur drejtësie; luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; një kod zgjedhor të reformuar dhe realizimin e reformave transparente në fushën e të drejtës mbi pronën.




Skip to toolbar