Nga Brizida Gjikondi
Letër e hapur zonjës Lindita Nikolla !
Përshëndetje zonja Lindita,
Me një shpresë të vagëllt po ju shkruaj këto rrjeshta, duke dashur të ndez tek ju dritën e një Nëne dhe besimtareje shqiptare, pak të politikanes por edhe atë në shërbim të dy të parave.
Po hy në temë.
Siç jeni në dijeni për shkak të funksionit tuaj, pranë Kuvendit të Shqipërisë ka ardhur një projekt ligj i quajtur “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”
Projekt/Ligj i cilë në tërësinë e tij lexuar me qetësi dhe vëmëndje (pasi dihet që djalli fshihet përherë në detaje)godet barbarisht Institucionin themelor kur ngrihet shoqëria dhe shteti shqiptar, godet Familjen.
Për shkak të besimit tuaj që është i njëjtë dhe me timin besoj se jeni e familjarizuar me Shën Mërinë e Fatimës, që sot ka dhe ditën, dhe që është ndër të paktat raste e njohur dhe nga Vatikani. Motër Luçia e mbijetuara e asaj ngjarje mistike, bashkëkohëse e Nënë Terezës dhe Papa Gjon Palit të II’të, ka lënë të shkruar në ditarin e saj se “përplasja finale mes të ligës dhe të mirës do të jetë mbi Familjen dhe martesën, kush do të luftojë për shenjtërinë e tyre të mos trëmbet edhe pse do të vuajë”
Si dhe fiks 30 vjet më parë Papa i shenjtë i shqiptarëve, Papa Gjon Pali i II’të në maj të 1994 i sapo dalë nga spitali në sheshin Shën Pjetër u shpreh me dhimbje “ Familja është nën kërcënim dhe sulm duhet ta mbrojmë qoftë dhe duke vuajtur” Pikërisht atë vit, ai e quajti viti i familjes.
Po çfarë ju ofron si risi ky projekt ligj familjeve shqiptare ?
Shkurtimisht po ja u kallëzoj.
1. Sipas këtij projekt ligji, çdo shqiptar ose shqiptare i garantohet me ligj pa asnje shkak mjekësor ose ligjor ti plotësohet dëshira e tij për tu sterilizuar, ose siç e shpjegon ky ligj “Sterilizimi është një procedurë mjekësore kirurgjikale, me anë të së cilës kryhet ndalimi i përhershëm i aftësisë për riprodhim të një individi” … dhe të mendosh që ironikisht këtë “të drejtë” e kanë vendosur tek Neni i quajtur “planifikimi familjar”
2. Adoleshentët dhe të miturit nën moshën 16 vjec mund të bëjnë abort edhe pa pëlqimin e prindit, ndërkohë ky paradoks që do e quaja thikë në shpirt të familjes shqiptare dhe të autoritetit prindëror, bie ndesh me trajtimin që i bëhet të miturve në Kushtetutën e Shqipërisë, Kodin e Familjes, Kodin Civil, Kodin Penal etj.
3. Rritet mosha e abortit për fetuset dhe lejohet aborti edhe në javën e 22. Dmth 5 muajsh e gjysëm. Dhe për mua ky është një nga Nenet më kriminalë. Domethënë falë teknologjisë së përparuar tashmë është vërtetuar që në javen e 22 të jetës, fetusit i rreh jo vetëm zemra e vogël dhe i janë krijuar të gjitha organet por tashmë i janë krijuar edhe shënjat e gishtave, ai është 27 centimetra, dhe peshon 380 gram por për hartuesit e këtij projekt ligji kjo vrasje nuk përbën as krim, as mëkat.
4. Femra pa partner. Lejohet dhe njihet që edhe një femër pa partner të përdorë teknika mjekësore për riprodhim të asistuar mjekësor. Dmth për vec egoizmit në piedestal aplikohet edhe një tjetër shkallmim i themeleve të familjes dhe shoqërisë shqiptare, fëmijët pa prindër natyralë dhe pa familje.
5. Nënat surrogate, sipas një marrëveshje me shkrim (biznes i pastër) mes dy grave njëra do mbart fetusin e tjetrës dhe do të lind fëmijën për llogari të porositëses.
6. Çdo shtetasi shqiptar ose i huaj, qoftë dhe pa shtetësi fare i ofrohen këto “te drejta” në territorin tonë.
Ky projekt ligj kryekëput i zymtë dhe për mua anti kombëtar, jo vetëm që bie ndesh me frymën e Kushtetutës së Shqipërisë që në Nenin 53 të saj sanksionon “ MARTESA DHE FAMILJA GEZOJNE MBROJTJEN E VECANTE TE SHTETIT” por bie dhe ndesh me realitetin shqiptar, ku edhe pse familja shqiptare po kalon kriza të thella stabiliteti dhe agresioni nga antivlerat dhe imoraliteti që sundojnë, dhe nga interesat individualiste që kjo epokë po ushqen, ajo vazhdon të mbijetojë, ndaj kurrësesi ky projekt ligj jo vetëm nuk mbron interesat e saj, por përkundrazi godet me varé në shtyllat mbajtëse dhe identifikuese të saj.
Të flasësh për familjen shqiptare dmth të flasësh për diçka shumë të brishtë dhe të plagosur të shoqërisë, nga traumat e së cilës derivojnë shumë palumturi dhe tragjedi të shoqërisë sonë.
Unë nuk e idealizoj familjen, pasi ne jemi qënie të gjalla dhe ajo e parë nga afër është jo perfekte siç jemi edhe ne, çështja është që mos bëhet kompromis me thelbin e saj. Kjo epokë po i mëson shqiptarët të jenë individualistë dhe të pashpirt, po na mëson dhe orienton të duam dikë osë të kujdesemi për dikë vetëm nëse na duhet ose na shërben, dhe kur mos na duhet më, ta flakim.
Në rast se këtë projekt ligj do e kishin propozuar klinika private ose segmente me orientime jo mbisunduese të shoqërisë edhe mund ta mirëkuptoja, por që ky projekt ligj të ofrohet nga shteti shqiptar, kjo më flet jo vetëm për dështimin e tij të thellë përballë dështimit (abortit) por dhe për një orientim totalisht miop dhe të dyshimtë drejt shtyllave bazë të një shoqërie dhe shteti, popullsia dhe institucioni i shenjtë i familjes.
Shumë, shumë ligje të këtij shteti sidomos në fushën e shëndetësisë dhe të mbrojtjes së jetës së shtetasve kanë dështuar, kanë dështuar pasi jo vetëm nuk janë bazuar në realitet dhe statistika konkrete por edhe sepse ky shtet nuk ka strukturat dhe personelin shëndetësor, mbulimin e territorit me këto struktura, edukimin e popullatës dhe filozofinë pro jetës që duhet ta udhëhiqte.
Ky projekt ligj është një projekt ligj kundër jetës, agresiv dhe ekzekutues i saj. Ky projekt ligj i pa konsultuar nga mbarë shoqëria shqiptare është i varfër në logjikën mjekësore, juridike dhe sidomos humane. Dhe mos harrojmë ky projekt ligj nëse aprovohet është porta e ferrit të degjenerimit, imoralitetit dhe modelit kriminal që i ofrohet të rinjve shqiptar si normalitet.
Kurse për sa i përket Abortit, dua të them me pak fjalë vështrimin tim.
Aborti është një çështje morale dhe kombëtare, personalisht mendoj se kurrë nuk mund të shkëmbejmë një krim (vrasjen e një qënie të gjallë) për një të drejtë të grave.
Çdo abort është jo vetëm një fëmijë i vrarë por edhe një shtet i dështuar në ekzistencën dhe politikat e tij sociale dhe shëndetësore.
Aborti është një traumë e madhe që pak gra nuk e kanë përjetuar. Dhe kush e ka përjetuar është e pamundur mos ta mbart me vete si dhimbje shoqëruar me pyetjet, si do ishte ai fëmijë në fytyrë, cfarë fati do të kishte, sa do e doja..
Egoizmi nuk mund të fitojë mbi jetën. Aborti nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e grave por edhe të drejtën e jetës. Fetusi ka trupin e tij, zemrën dhe të drejtën të jetojë.
E rithem fortë, që vetëm një shtet dështak që ka dështuar me vizionin e rritjes së popullsisë (fatkeqësisht ende nuk kanë dalë rezultatet e censusit të vitit që shkoi) që ka dështuar, në edukimin, mbrojtjen dhe mbulimin e territorit me sistemin shëndetësor bën kësi projekt ligjesh dhe autogolash.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpara një viti, kthyen sytë dhe Kushtetutën në filozofinë e pro jetës, shumë shtete të Evropës po i rezistojnë, sulmeve, degradimit dhe zhbërjes së familjes, ndaj ky nxitim i shëmtuar i këtij projekt ligji që nuk reflekton realitetin shqiptar është i frikshëm për kulisat dhe interesat anti kombëtare që e kanë mbrujtur.
Dhe për ta mbyllur, dua të sjell në vëmëndje diçka, shpesh ne shqiptarët tradhëtojmë simbolet tona kombëtare dhe ndërkombëtare, këtu e kam fjalën jo për Skënderbeun, por për Nënën tonë Terezë, e cila është Shenjtorja e të varfërve, familjeve dhe fëmijëve kurrë të lindur. Në fjalën e saj që tronditi më të fuqishmit e botës në dhjetor të 1979’ës kur mori çmimin Nobël, ajo ndër të tjera tha..
“Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur. Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin. Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, nuk është lufta, është aborti, Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj.., apeloj kudo! “
E nderuar zonja Lindita, shpresoj shumë që në shpirtin tuaj qoftë dhe si besimtare të ndizet dritëza pro jetës dhe familjes, duke mos harruar fjalët që thoshte Don Bosko “ nëse Zoti është me ne, ne jemi shumica”
Punë të mbarë dhe Gëzuar Festën ndërkombëtare të familjes që është në 15 Maj.
Brizida.