Gjithë verës në rrugë. Zbardhet skenari i PD për kryebashkiakët e djathtë

AKTUALITET


Nuk do të ketë asnjë ditë pushim për demokratët gjatë kësaj vere. Vendimi i tyre është që të vazhdojnë në rrugën e protestave. Këtë e tha vetë Basha në fjalën e mbajtur në protestën e së hënës që “beteja do të vazhdojë”, por e ka konfirmuar edhe ish deputetja Oriola Pampuri.

Në një intervistë televizive Pampuri ka deklaruar se opozita do të vijojë gjatë gjithë verës aksionin kundër qeverisë së Edi Ramës. Sipas saj, do të ketë protesta lokale dhe kombëtare, si dhe takime me qytetarët.


“Do të ketë zhvillime të tjera, PD do jetë gjithë verës në aksion, do ketë dhe protesta, takime me qytetarët, protesta lokale. Besimi i ndërkombëtarëve te Rama ka rënë.

Asnjë nuk mund ta pranojë një kryeministër që po ecën në kahun e kundër të standardeve evropiane. Ne duam që Shqipëria të ketë demokracinë që ka fituar 30 vite më parë, ne nuk mund të bëjmë hapa prapa, siç kemi bërë këto 6 vitet e fundit”, është shprehur Pampuri.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se kryebashkiakët e PD nuk do t’i lirojnë zyrat, pavarësisht thirrjes së ndërkombëtarëve.

 “Kryebashkiakët e majtë janë qesharakë, se nuk mund të jenë të tillë pa garë. Të djathtët kanë vendosur të mos lirojnë vendet e tyre në bashki me mbështetjen e qytetarëve”, ka theksuar Pampuri.

Ky qëndrim i PD-së bie në kundërshtim të hapur me thirrjen e ndërkombëtarëve të cilët i kanë njohur zgjedhjet e 30 qershorit dhe kanë bërë thirrje që të zgjedhurit e rinj të marrin zyrat dhe të nisin menjëherë nga puna.




Skip to toolbar