Haradinaj mbrohet në heshtje në Hagë: Jam këshilluar të mos flas

AKTUALITET


Kryeministri i dorëhequr i Kosovës Ramush Haradinaj është paraqitur të mërkurën në Prokurorinë Speciale të Hagës për t’u pyetur në lidhje me akuzat për krime lufte. Ai deklaroi se ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje, pasi kështu e kanë këshilluar avokatët e tij, ndërkohë që ende nuk e di se për çfarë është i dyshuar.

“E kam kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem.


Këto janë procedura ligjore jo për të fshehur diçka nga publiku, por meqë ligji nuk ma lejon”, është shprehur Haradinaj duke shtuar se ende nuk e di rolin e tij se për çfarë është ftuar si person i dyshuar.

Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që i trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.

Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së dhe kjo është hera e dytë që ai jep dorëheqje nga posti i kryeministrit për t’u përballur me drejtësinë në Hagë.

Hera e parë ka ndodhur në vitin 2005, kur është akuzuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat që lidhen me luftën: në vitin 2008 dhe pastaj në rigjykim të pjesshëm, më 2012.

Duke shpallur vendimin për dorëheqje të pakthyeshme më 19 korrik, ai tha se “nuk do që të shkojë në Hagë si udhëheqës qeverie, por si qytetar i Kosovës”.

Ekspertët e së drejtës penale ndërkombëtare thonë se pas marrjes në pyetje të Haradinajt në Prokurorinë Speciale, pritet të ngrihen akuza ndaj tij.

Në një intervistë më herët Haradinaj tha se ai “e ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë” dhe se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, të cilën e mbajti nga viti 2017, “për ta ruajtur nderin e shtetit dhe të kryetarit të qeverisë”.

Thirrja për së treti e Haradinajt në Hagë u interpretua si një presion i ndërkombëtarëve që qeveria e Kosovës të heqë taksën 100% për mallrat serbe, taksë kjo e vendosur si kusht nga Kosova që Serbia të njohë shtetin e pavarur të saj. Por ndërkombëtarët prej muajsh kanë bërë thirrje që të hiqet kjo taksë dhe të vijojë sërish dialogu mes dy vendeve deri në gjetjen e një marrëveshje mes palëve.




Skip to toolbar