“Merkel kërkon “peshqit” e mëdhenj për negociatat”

AKTUALITET


Në ditët e fundit të qershorit, kryeministri Rama në të paktën dy fjalime të tij deklaroi se: dhënia e provës nga Shqipëria se sistemi i drejtësisë funksionon në vend, do të jetë edhe baza e hapjes së negociatave për vendin në BE.

Duket se po ndodh pikërisht ky paralajmërim i tij, që ndryshe do të thotë se Merkel dhe BE kërkojnë të shohin politikanë me pranga në duar.


Realstory.al njoftoi në qershor, referuar burimeve diplomatike se Shqipëria ka një kusht për hapjen e negociatave në muajin tetor. Dhe kjo është ngritja e prokurorisë speciale të hetimit të krimeve të korrupsionit SPAK, si dhe rezultatet e para konkrete të saj. Megjithëse burimet frenohen ta pohojnë, plotësisht, ata kanë lënë të kuptohet qartë për realstory.al se kjo përkthehet me arrestime konkrete kokash të mëdha. Vetë Rama në parlament iu referua modelit Sanader, ose ajo qe i ndodhi Kroacisë në vitin 2010, kur arrestoi për korrupsion kryeministrin që firmosi për Zagrebin, anëtarësimin në Bashkimin Europian. Anëtarësim që ndodhi vetëm pas dënimit të tij, në vitin 2013.

Pikërisht kështu shkruan edhe avokati Spartak Ngjela, pas takimit të Ramës me Merkel.

“Shqipëria sot është në të njëjtën situatë me Kroacinë e disa viteve më parë, kur Berlini dhe Brukseli i vendosën si kusht anëtarësimi, arrestimin e kryeministrit kroat Ivo Sanader”, shkruan Ngjela ndërsa i thekson gjithnjë e më shumë kushtit që Shqipëria duhet të përmbushë, të arrestojë “peshq” të mëdhenj.

“Kancelarja gjermane, Merkel, ka kërkuar që të hapen negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian, por me një kusht dhe me afat kohor. Rama ishte në takim me të… Por ajo e drejtoi në Bundeshtag. Pse?

Hapja ose çelja e negociatave me BE, do të ndodhë me kusht. Cili është kushti? Rama nuk e thotë. Fakti që nuk e thotë, kuptohet se kushti është likuidimi ligjor i të korruptuarve të mëdhenj, madje, dhe me afat.

Shqipëria sot është në të njëjtën situatë me Kroacinë e disa viteve më parë, kur Berlini dhe Brukseli i vendosën si kusht anëtarësimi, arrestimin e kryeministrit kroat Ivo Sanader. Ky është kushti themelor edhe për Shqipërinë: arrestimi i të korruptuarve të mëdhenj. Por këtu, likuidimi i të korruptuarve do të vijë mes organeve të SPAK-ut, të cilin e drejtojnë ndërkombëtarët.

Politika shqiptare sot është nën shtypjen e dy trysnive të mëdha: njëra është presioni që i bëhet nga shqiptarët të cilët janë në ankthin e pranimit në Bashkimin Europian. Shqiptarët duan punë dhe një shtet që të jetë garant i jetës së tyre, sepse e dinë që sot nuk e kanë. Por e dinë dhe i njohin se shkaktarët e kësaj gjendjeje janë liderët e tyre, të gjithë të korruptuar. Prandaj e duan anëtarësimin në Bashkimin Europian, se e dinë që, struktura perëndimore e shtetit europian, do të likuidonte domosdoshmërisht të korruptuarit e mëdhenj”, shkruan Ngjela.

SPAK dhe BKH, dy strukturat që do të hetojnë dhe vënë para drejtësisë zyrtarët e lartë dhe politikanët e korruptuar janë drejt ngritjes dhe shumë shpejt është premtuar se do të kemi rezultate të dukshme. Madje Gent Ibrahimi kreu i KLP në një deklaratë për mediat pak javë më herët tha se SPAK mund ta nisë punën me dosjen e Adriatik Llallës, ish kryeprokurorit. Ndoshta mund të jetë ky peshku i madh në tavën që Shqipëria do t’i ofrojë BE-së./realstory.al




Skip to toolbar