Mini-Schengeni, Basha akuzon Ramën për vetëpërjashtimin e Kosovës

#NËRADAR


Lulzim Basha reagoi të dielën, një ditë pasi u mbyll Samiti i Tiranës mes Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Mini-Shengenin. Basha shprehet fillimisht se mirëpret në parim “çdo nisëm rajonale që ka për qëllim afrimin e shteteve dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre”. Megjithatë, kryedemokrati e sheh këtë si nismë “përjashtuese për Kosovën”. “Por ne gjykojmë se fqinjësia e mirë në Ballkanin Perëndimor kurrsesi nuk mund të arrihet duke përjashtuar Republikën e Kosovës”, thotë Basha.

Mirëpo, Kryeministri Edi Rama është shprehur se “Kosova po vetëpërjashtohet” nga ky proces, pasi për liderët e shtetit të Kosovës nuk kanë munguar ftesat për të marrë pjesë, në të paktën dy samitet e fundit të mbajtura në Ohër dhe Tiranë. “Uroj që Kosova të dalë nga një rreth vicioz që nuk i bën mirë. Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush refuzon më shumë dialogun. Kosova duhet të qëndrojë fort afër Shqipërisë dhe miqve të vet SHBA dhe BE dhe të mos kthejë vizionin e të ardhmes në një luftë politike të ditës”, tha Rama të shtunën për gazetarët.


Vetëpërjashtimin e kanë pranuar dhe vetë liderët e Kosovës. Ishte Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që pak ditë para Samitit të Tiranës, duke konfirmuar ftesën, tha se nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Duke arsyetuar se  “Serbia është pengesa kryesore e mungesës së konsolidimit të shtetit të Kosovës”, Thaçi u shpreh “se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë”, tha ai disa ditë para samitit.

Basha gjithashtu mendon se nisma për krijimin e Mini-Shengenit “cënon orjentimin perëndimor të ShqipërisË”. Sipas tij, blloku i ri i vendeve që po krijohet ka dyshime se mund të orjentohet drejt Rusisë. “Pavarësisht retorikës pro-perëndimore, gjatë viteve të fundit Serbia ka thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë duke ndërmarrë manovra të përbashkëta dhe bërë blerje masive armatimi. Të gjitha këto veprime të Serbisë hedhin hije dyshimi mbi orientimin gjeopolitik të një blloku të ri shtetesh ballkanike ku shteti më i fuqishëm që shërben si lokomotivë e kësaj nisme, flirton haptazi me Rusinë dhe nuk e ka të sinqertë orientimin drejt perëndimit”, thotë Basha.

Por, të paktën siç kanë deklaruar dhe vepruar publikisht, vendet perëndimore e kanë mbështetur krijimin e kësaj zone të re ekonomike, që mundëson lehtësira në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Në Samitin e Tiranës ishin të pranishëm drejtues të përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Ndërsa me një artikull kushtuar këtij samiti, Deutsche Ëelle thoshte se “ideja për krijimin e këtij mini-shengeni është hedhur nga kancelarja gjermane Angela Merkel”. Pra, duket që ky projekt jo vetëm s`mund të orjentohet drejt lindjes, por “bekimin” e ka nga Perëndimi, ku qëllimi final është “integrimi në Bashkimin Europian”, siç tre liderët kryesorë, Rama, Vuçiç dhe Zaev kanë deklaruar. /Realstory.al/




Skip to toolbar