Minxhozi: Racizëm shëndetësor evropian ndaj (një pjese të) Ballkanit Perëndimor

CORONAVIRUS


Nga Skënder Minxhozi

Bashkimi Evropian pritet të aprovojë të martën një listë vendesh që do të lejohen të hyjnë në hapësirën e përbashkët pas datës 1 korrik. Në listë bëjnë pjesë vende si Ruanda, Algjeria, Tailanda etj, por kur vjen puna tek Ballkani Perëndimor, “të përzgjedhurit” e BE janë vetëm Serbia e Mali i Zi. Ju të tjerët (nënkupto Shqipëria, Kosova, Bosnja e Maqedonia e Veriut) ngrohuni në diell, siç thotë batuta e famshme e një filmi të vjetër shqiptar.


Brukseli po i drejtohet kështu një përzgjedhjeje shtetesh në këtë pjesë të kontinentit, e cila do të shkaktojë më shumë se një rrudhje buzësh në rajonin tonë. Dhe me shume të drejtë.

Ndër akuzat më të përhapura historike, që lidhen me skepticizmin evropian për afrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ka qenë ajo e paragjykimeve kulturore e fetare që vendet e klubit evropian kanë për disa shtete të kësaj zone. Si rast klasik dhe më me peshë konsiderohet Turqia me 82 milion banorët e saj, e cila prej thuajse 40 vjetësh ka negociuar vetëm 16, nga 35 kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit.

Kjo sagë turke është në fakt pjesë e një historie më të gjerë, që luhet edhe me vende të tjera si Bosnja, Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut. Të gjitha, për dreq, me popullsi të konsiderueshme muslimane në përbërjen e tyre.

Nuk është ndoshta mënyra me e mirë e fillimit të një shkrimi, kjo e përmendjes së elementit fetar në raport me Evropën. Sepse duhet besuar se në një proces hapjeje ndaj pandemisë më të madhe të historisë moderne, Brukseli ka parë parametrat shëndetësorë të trajtimit të infeksionit, numrin e të sëmurëve, viktimave, përhapjen e virusit, politikat e ndjekura nga vende të caktuara dhe shkallën e luftës ndaj koronavirusit. Por kur vendos përballë shifrat, diçka nuk shkon në vendimin e BE për kufinjtë e pas 1 korrikut. Serbia ka shumë më tepër raste, të vdekur dhe parametra të tjerë negativë se vendi ynë. Edhe Kosova ndodhet në një pozitë ngjashme me ne, por edhe asaj i përplaset dera në fytyrë nga Evropa.

Elementi fetar ka qenë dhe do mbetet me gjasë një detaj gjysëm-provokativ, kur flitet për raportet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Por a nuk është ky selektim i padrejtë sanitar, në mesin e pandemisë, një provë se, më së paku, ka paragjykim dhe përzgjedhje preferenciale mes shteteve të rajonit tonë, nga ana e Brukselit? Pse serbët qenkan më pak infektues e të rrezikshëm se shqiptarët, ndërkohë që kanë katërfishin e vdekjeve nga Covid dhe koeficientët e pandemisë ku e ku më të këqinj se tanët? A kuptim që evropianët të vijojnë të shfaqin kompleksin e tyre të fajit ndaj Beogradit, për bombat që i hodhën mbi kokë 20 vjet të shkuara, duke i hapur dyert e duke e përkëdhelur sa herë që i paraqitet rasti?

Pse një vend si Shqipëria,  duhet mbajtur jashtë një hapësirë shtetesh (duke marrë për bazë ekskluzivisht faktorin koronavirus), të cilat nga ana numerike, janë në fakt ato që rrezikojnë shqiptarët, e jo këta të fundit italianët, francezët apo skandinavët? Kujt i shërben një sjellje e tillë ndaj një vendi që ka qenë e mbetet një fans historik i Evropës së Bashkuar, e që numerikisht nuk përbën asnjë rrezik për 500 milion evropianët, edhe në aspektin e ngushtë të pandemisë?

Gjithçka shkon për mirë, në të mirën e botëve, thoshte dikur Volteri, duke u tallur me teorinë pozitiviste të Leibnicit. Kësaj shprehjeje i ngjan sot hipokrizia evropiane e selektimit të të sëmurëve në bazë të kombësisë, gjuhës, madhësisë së shtetit nga vijnë, e pse jo, edhe fesë! Sepse drejt këtij leximi të sforcuar dhe jo të këshillueshëm, po na shtyn vetë qasja e Bashkimit Evropian ndaj pandemisë në Ballkanin perëndimor. Ajo që duhej të ishte një procedurë burokratike e mjekësore vendimmarrjeje, është kthyer edhe një herë në një lojë të pisët gjeopolitike. S’kemi patur kurrë një racizëm shëndetësor. Ja që e pamë edhe atë…




Skip to toolbar