Minxhozi: Tepsia, timoni, kazani dhe partia e rublave

Më të fundit


Në harkun e 24 orëve Edi Rama ka bërë një testim të fortë të opinionit shqiptar, në lidhje me sjelljen e tij publike. Të mërkurën ka hyrë në një tunel të errët sharjesh e fyerjesh ndaj opozitës, që kolegu i tij Fatmir Xhafaj i quajti ordinere pa përmendur emra. Kurse një ditë më pas kryeministri ka dhënë një mësim oratorie dhe elegance gjuhësore përballë një plateje akademikësh të mbledhur për përvjetorin e 50-të të Kongresit të Drejtshkrimit. Dy gjendje të skajshme, për të njëjtin personazh. Nga “bedelët” e “tregtarët e rublave” në Kuvend, tek Aleks Buda e Eqerem Çabej në platenë e akademikëve, Edi Rama ka shpalosur dyzimin e fortë të gjuhës dhe sjelljes publike, ku e ka futur qëndrimi i gjatë në kalin e politikës dhe pushtetit.

Gjuha ka qenë përherë një armë domethënëse në dorën e politikanëve. Aq më shumë është e tillë në duart e një manjaku të shqipes së folur e të shkruar si Edi Rama. Metaforat, antitezat dhe retorika e fortë e kumtuar nga lartësia fizike thuasje dymetroshe, i kanë dhënë rregullisht kryeministrit një pozitë dominuese mbi ata që ka  pasur përballë apo anash. Është dalluar në mes të tufës jo vetëm për shtatin, por edhe për mënyrën si sillej dhe për atë që nxirrte nga goja.


Aktualisht Edi Rama ka një problem i cili sërish lidhet me gjuhën. Ose më konkretisht me gjetjen e një fabule gjuhësore për të sulmuar kundërshtarët politikë në zgjedhjet e pranverës. Kërkohet një slogan negativ për Berishën e Metën – ja misioni i radhës brenda socialistëve, mes të cilëve duket se tashmë ka marrë formë ai që do të jetë cilësori i ardhshëm damkosës për pakicën në zgjedhjet e majit: opozita e rublave.

Dikur ishte Luli që flinte gjumë, më pas erdhi tepsia e Metës, pastaj timoni që kërkonte për të drejtuar i vetëm vendin e më në fund kazani i mediave me personazhet e tij të njohur e të panjohur. Edi Rama nuk ka hyrë në asnjë fushatë zgjedhore pa ja besuar atë një slogani përmbledhës, një lloj stigme nga ato që i vihen me hekur të nxehtë në trup kundërshtarit politik. Ndërkohë që Berisha e Meta i kanë mbaruar epitetet sharëse ndaj tij, Edi Rama po bie jo rrallë në këtë spirale shëmtie gjuhësore, pa harruar të hedhë në fund të çdo paragrafi togëfjalëshin-damkë “partia e rublave”.

Kur kërkoi pushtetin për vete, pas bashkëqeverisjes me LSI, Rama e kishte një arsye logjike, megjithëse pjesërisht të pranueshme, për t’u thënë shqiptarëve ma jepni pushtetin se me Metën qeverisa keq për shkak të tij. Edhe kur tallej me Lulin e përgjumur e analistët sërish ishte brenda një skeme polemike që bënte sens.

A janë akuzat për financime ruse një akuzë e mjaftueshme për t’u përballur me palën tjetër në një fushatë elektorale në vitin e nëntë të pushtetit?! A është fabula e rublave një metaforë mjaftueshëm solide për të mbajtur në këmbë një betejë votash? Këto janë pikëpyetje që shqetësojnë sot më së pari vetë Edi Ramën, përtej avantazhit që i jep atij gara kundër dy figurave si Berisha e Meta, të cilët edhe pse në opozitë ngjajnë sot më të lodhur se kundërshtari i tyre.

Përzgjedhja e fabulës së rublave për zgjedhjet vendore duket një kalkulim elektoral që punon dhe ka efekt më shumë jashtë sesa brenda vendit. E integruar me situatën globale të luftës në Ukrainë, kjo akuzë ndaj opozitës, e bazuar në një fakt konkret që lidhen me PD e Bashës, metafora e partisë së rublave vlen më shumë për t’u treguar perëndimorëve se cilët janë miqtë e Putinit në Tiranë, sesa për të fituar bashkinë e Korçës apo Lezhës.

Megjithatë, aty ku akuzat ndaj Berishës për non gratan apo ndaj Metës për korrupsionin janë tashmë të konsumuara si teza fushate, historia e rublave është i vetmi element i pakonsumuar ku mund të kapet maxhoranca në përballjen me opozitën. Një slogan i largët dhe anemik, por më mirë se pa slogan fare.

Në anën tjetër, duke i identifikuar si të financuar nga Rusia, Rama duket se tenton të lidhë akuzat konkrete për financime ruse, me statusin e Berishës si i padëshëruar për SHBA e Britaninë, por edhe me Ilir Metën i cili ka valëvitur prej kohësh tezat e tij sovraniste dhe antiamerikane në debatin politik. Opozita e rublave duket si një strehë që Rama e ka identifikuar si një emërues të përbashkët për miqtë-armiqtë e tij historikë, në një moment kur lufta në Ukrainë dhe sfida elektorale e majit gjejnë një pikë sado të largët takimi. Të shohim sa ka qëlluar në shenjë!




Skip to toolbar