Miratohet komisioni i “dezinformimit”/ PD heziton, pritet votimi në parlament

AKTUALITET


Opozita nuk është gati që të votojë ngritjen e një komisioni të posacëm parlamentar i cili do të luftojë informacionin e rremë dhe ndikimet e shteteve të huaja jo miqsore, duke përdorur median, teknologjinë dhe paratë e errëta  në fushata zgjedhore.

Gazment Bardhit nuk i mjafoi argumenti i mazhorancës se kjo vjen pas marrëveshjes së firmosur në Tiranë me Sekretarin Blinken.

“Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni inicistivën, të informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet. Flisni per marrveshje ndërkombëtare, marrveshje me SHBA, dhe ne nuk dimë asgjë për atë marrveshje pasi nuk na e keni vënë në dispozicion, edhe pse Kushtetuta e detyron qeverinë të na vendos në dijeni”.

Mazhoranca argumentoi përmes Bledi Cucit se një praktikë e tillë është marrë edhe nga vetë Bashkimi Evropian, i cili po ashtu ka ngritur një komision të tillë të posacëm për dy vjet.

“Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë cdo iniciative te mazhorancës. Por nuk eshte ky rasti. Per shkak të zhvillimeve nëpër botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara. Dezinformimi është një nga instrumentat që po përdoret gjerësisht për të cënuar vlerat demokratike. Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE pati një rezolutë dhe një komision të posacëm për këtë punë. Do të bëjë një analizë të plotë të situatës. S’mund të jemi ne imunë kur nuk është SHBA apo vendet e BE. Eshte ne nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni”.

Mazhoranca dha votat e saj për këtë cështje në Konferencën e Kryetarëve, duke e kaluar për votim në seancë plenare.

Ky komision i posacëm do të angazhojë anëtarë nga 4 komisioneve të tjera parlamentare( Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimit).  



Skip to toolbar