Ndarja nga jeta e mjekut të njohur, Rama: Privilegj që pata mundësinë ta njoh dhe të bisedoj me të 

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet që po bëhen në nder të mjekut të shquar Ilir Ohri, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e së enjtes. Kreu i qeverisë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thotë se e ka pasur privilegj që pati mundësinë të njihte dhe të bisedonte me profesorin Ohri.

“Ilir Ohri ishte më i miri nga ne, thonë njëzëri kolegët e tij. Sot profesori i shumërespektuar, u nis për në banesën e fundit. Ishte një privilegj që pata mundësinë ta njoh dhe të bisedoj me të. Ngushëllime familjes, kolegëve, mjekëve e studentëve që humbën sot një mik dhe një pikë referimi në botën e mjekësisë shqiptare”, shkruan Rama.


Ohri ka qenë një prej figurave më të shquara të shërbimit të anestezi-reanimacionit dhe tё mjekësisë shqiptare. Ai ka dhënë prej më shumë se 40 vitesh një kontribut të veçantë dhe të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij shërbimi në vendin tonë. Ohri ishte një nga themeluesit e shërbimit modern të anestezi-reanimacionit dhe drejtues i tij prej 30 vitesh.

Profesor Ilir Ohri ka lënë gjurmën e tij në ngritjen, funksionimin dhe perfeksionimin e të gjitha njësive të reanimacionit në Tiranë e në mbarë vendin. Ai bën pjesë në bërthamën e shkëlqyer të mjekëve, që themeluan Shkollën e Anestezi-Reanimacionit që në gjysmën e parë të viteve ’80.

Ai i ka ndarë pa kursim dijet e tij të gjera ndër vite, me qindra mjekë anestezistë, të cilët i janë mirënjohës dhe janë krenarë, që kanë qenë nxënës të tij.

Një nga kulmet e veprimtarisë së Prof. Ohrit në fushën akademike është edhe krijimi i Shkollës së Anestezi-Reanimacionit në Republikën e Kosovës dhe përgatitja e një plejade specialistësh të fushës atje. Gjithashtu, ai ka udhëhequr mjaft doktoratura në Universitetin e Prishtinës.

Veprimtaria shkencore e Prof. Ohrit është e gjerë, cilësore dhe e larmishme. Ajo pasqyrohet jo vetëm në aplikimin klinik të të rejave bashkëkohore të fushës, por edhe në artikujt e referimet e shumtë në shtypin shkencor kombëtar e ndërkombëtar.

Ai ishte një nga themeluesit e Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit dhe një nga drejtuesit aktivë të saj. Gjatë gjithë jetës profesionale Prof. Ilir Ohri është karakterizuar nga puna e pakursyer në shërbim të të sëmurëve më të rëndë, nga ndershmëria e lartë, nga profesionalizmi i rrallё, nga integriteti solid dhe nga personaliteti i palëkundur.




Skip to toolbar