PD: Prokuroria vërtetoi akuzat, Agim Kajmaku, në burg

AKTUALITET


Partia Demokratike kërkon futjen në burg të Agim Kajmakut, kryebashkiakut të Vorës, pasi prokuroria ka vërtetuar akuzat për shkelje të ligjit të dekriminalizimit nga ana e tij. Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata akuzoi Ramën se vijon të mbajë në detyrë Agim Kajmakun, ndërkohë që prokuroria ka “vërtetuar çdo akuzë të bërë nga Partia Demokratike dy muajt e fundit”.

Sipas Gjatës, Agim Kajmaku gënjeu qytetarët shqiptarë dhe votuesit e Bashkisë së Vorës për të kaluarën e tij kriminale në Greqi.


“Përpjekja e Edi Ramës për të mbrojtur një zyrtar të lartë që ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ligjin nuk ka mbaruar. Agim Kajmaku qëndron në detyrë dhe akoma nuk është shkarkuar nga Edi Rama, njeriu që i dha mbështetje politike, duke e kandiduar për Bashkinë e Vorës.

Ligji i dekriminalizimit shprehet fare qartë se një funksionuar i lartë publik, i cili kapet në falsifikim të formularit të dekriminalizimit, humbet mandatin dhe dënohet deri në 4 vjet burg.

Sjellja me rastin e Agim Kajmakut, duke e mbrojtur, edhe pas verifikimit zyrtar të Prokurorisë, është tregues se Edi Rama nuk ka ndërmend të marrë seriozisht as kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman, ku zbatimi i ligjit, lufta kundër krimit, ndëshkimi i zyrtarëve të lartë dhe i kujtdo që ka vjedhur zgjedhjet janë rruga për të çuar Shqipërinë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian”, tha Gjata në një deklaratë për mediat.

PD akuzoi kryebashkiakun e Vorës se ka shkelur ligjin për dekriminalizimin pasi nuk ka deklaruar se ka qenë i dënuar më parë në Greqi.

Pas akuzave të PD-së, Prokuroria nisi hetimet pasi deklaroi se letërporosia nga Athina vërtetoi se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto, ishin i njëjti person, i cili është arrestuar në Greqi. PD ishte e para që denoncoi rastin që vuri në punë prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës, ndërsa vetë Kajmaku mohoi të ketë pasur dijeni se po hetohej nga Gjykata e Janinës.




Skip to toolbar