Plani i Evropës për të kaluar krizën energjetike gjatë dimrit

BOTA


Bashkimi Evropian pritet të prezantojë pakon e re të masave që kanë për qëllim të ulin çmimet e gazit dhe energjisë, të cilat po rrisin inflacionin në nivel rekord. Rritja e çmimeve po pengon po ashtu aktivitetin industrial dhe po shtrenjton faturat për qytetarët para sezonit të dimrit.

Në fillim të këtij muaji, Rusia njoftoi se nuk do të rihapë gazsjellësin kryesor që sjell gaz në Evropë, Rrjedhën Veriore 1.


Ky është vendimi i fundit në një seri vendimesh që kanë kufizuar furnizimet e energjisë ruse për Evropën. Moska ka thënë se këto kufizime po bëhen në kundërpërgjigje të sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Komisioni Evropian pritet që të mërkurën, më 14 shtator, të paraqesë propozimet e BE-së dhe më pas qeveritë e shteteve anëtare mund të punojnë mbi detajet e propozimeve, dhe ka të ngjarë që t’i miratojnë masat më 30 shtator në takimin e ministrave të Energjisë.

Më poshtë mund të mësoni detajet nga drafti i propozimeve të Komisionit Evropian, dokument të cilin e ka parë agjencia Reuters.

Taksë për centralet që funksionojnë pa gaz

Në draft-propozimin e BE-së thuhet se do të vendosen taksa mbi të ardhurat e gjeneruesve të energjisë elektrike që nuk punojnë me gaz dhe u kërkohet qeverive që të shpenzojnë paratë e mbledhura për të mbrojtur konsumatorët dhe industrinë nga rritja e faturave të energjisë.

Kontribut për qytetarët

Kompanive që kanë përfituar shumë nga shitja e lëndëve djegëse fosile me çmim jashtëzakonisht të lartë, do t’u kërkohet që të japin kontribut financiar për të ndihmuar qytetarët dhe industritë që janë prekur nga faturat e shtrenjta, thuhet në draft-propozimin e BE-së.

Ulje e konsumit të rrymës

Sipas draft-propozimit të BE-së, do të vendoset një objektiv i detyrueshëm për të gjitha shtetet që të ulin konsumin e energjisë elektrike gjatë këtij dimri, për të siguruar që Evropa të ketë energji të mjaftueshme për të kaluar muajt e ftohtë.

Likuiditet emergjent për kompanitë e energjisë

Shteteve të BE-së po ashtu, sipas draftit, pritet t’u kërkohet që të hartojnë “instrumente emergjente të likuiditetit” për të ndihmuar kompanitë e energjisë që të përballen me nevojat në rritje për kolateral.

Pa çmim tavan për gazin

Në draft-propozimin e BE-së, të parë nga Retuers, nuk është përfshirë vendosja e një çmimi tavan për gazin, një ide kjo që ka krijuar ndarje në mesin e shteteve të bllokut, shkruan REL.




Skip to toolbar