Xhunga: Profesor Didier Raoult, hero apo sharlatan ?!

CORONAVIRUS


Nga Albi Xhunga

Kriza pandemike që po përjetojmë do të ketë pasoja të gjata në ekonominë botërore. Edhe pse sot ka më së shumti lajme të mira e duket sikur virusi i tmerrshëm covid-19 po menaxhohet, pasojat ekonomiko-sociale do t’i ndiejmë gjatë. Në një botë gjithmonë e më shumë të globalizuar e të konektuar pasojat do t’i ndiejnë edhe ato vende që u prekën pak ose aspak nga virusi. Ekonomia është zinxhir dhe kur hallka më e rëndësishme e më me peshë e këtij zinxhiri, Perëndimi, detyrohet të mbyllë thuajse totalisht ekonominë, pasojat do t’i ndiejë bota mbarë. Uzina e botës, Kina, u prek pak nga kjo krizë krahasuar me vendet perëndimore, por duke parë varësinë e prodhimit kinez nga tregjet e pasura perëndimore, një ngërç i këtyre të fundit nuk mund të mos ketë pasoja të ndjeshme (katastrofale sipas disave) në ekonominë kineze. Pra edhe pse disa vende u prekën më pak nga virusi kjo nuk do të thotë se ekonomitë e tyre do të kenë më pak pasoja.


Në mesin e llahtarisë së shkaktuar nga një virus i panjohur, kur edicionet e lajmeve të botës mbarë jepnin shifra alarmante dhe pamjet njerëve që vdisnin në korridore spitalesh në vende si Italia e Spanja tmerronin këdo që i shikonte, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë jepte direktiva kontradiktore me ato që ajo vetë kishte dhënë më parë (njëherë maskat nuk janë të nevojshme pastaj maskat janë të domosdoshme), kur shoqëritë farmaceutike e laboratorët më prestigjozë u vunë në garë me kohën për të krijuar një vaksinë sa më shpejt që të ishte e mundur, një profesor nga Marseja pretendonte të kishte gjetur ilaçin që mund të ngadalësonte agresivitetin e virusit që po pushtonte njerëzimin e po shkaktonte mijëra të vdekur, klorokinën (chloroquine) një ilaç i përdorur gjerësisht kundra malarjes. 

Didier Raoult, epidemiolog, shkencëtar, profesor mikrobiologjie 

68 vjeçari Dider Raoult, president (rektor) i Universitetit Mesdhetar të Marsejës që nga viti 1999 ka një karrierë të gjatë në studimin dhe kurimin e epidemive në vende të ndryshme të botës. Fitues i çmimeve ndërkombëtare, i njohur për të folurit troç e me një gjuhë të kuptueshme edhe për publikun e thjeshtë, profesori nga Marseja është një nga shkencëtarët më të njohur të Francës në fushën e mikrobiologjisë.

Çfarë e bën të veçantë profesor Raoult është mbi të gjitha fakti që ai nuk ka frikë të marrë një pozicion të qartë në situata delikate e të rrezikshme si pandemia aktuale. 

Kur shkencëtarët e botës mbarë përpiqen të jenë sa më të kujdesshëm në ato që thonë, sepse e dinë që deklaratat e tyre mund të kenë pasoja të rëndësishme në jetën e njerzve e nesër do t’u duhet të përballen me ato që kanë thënë sot, Dider Raoult ka një qasje origjinale. Ai jep mendimin e tij për çdo gjë që pyetet e që i përket fushës që formimi e eksperienca e tij mbulojnë, duke krijuar njëfarë sigurie në situatën e panikut total. 

Pas epidemisë SARS me kërkesë të qeverisë franceze, profesor Raoult bën një raport mbi bioterrorizmin dhe risqet epidemike në vitin 2003, duke vënë theksin në mungesën e parapërgatitjes së sistemit shëndetësor francez në rast pandemie. 

Rreziku i mospërballimit të fluksit nga spitalet dhë rëndësia e kapacitetit të testimit të shpejtë në një botë të superkonektuar (situata që u bënë realitet gjatë pandemisë aktuale) ishin pjesë e këtij raporti.

Ndarja në dy kampe e opinionit publik

Deklaratat e profesor Raoult për efektet pozitive të klorokinës (trajtimi i propozuar prej tij është hydroxychloroquine, një ilaç me dy përbërës klorokinë dhe quinacrine, një përzierje që e bën klorokinën më pak toksike) ngjallën debate të forta në rrethin e shkencëtarëve. Sipas shumë syresh ky trajtim ishte i rrezikshëm sepse klorokina mund kishte efekte anësore kardiovaskulare që mund të ishin vdekjeprurëse sidomos në të sëmurët me zemër dhe se ky trajtim nuk i ishte nënshtruar një studimi serioz që plotësonte parametrat shkencorë dhe që vërtetonte efektet pozitive të këtij ilaçi.

Zhurma mediatike e krijuar ishte e paprecedent. Zërat kundra Raoult flisnin për një sharlatan, për një delirant dhe për një njeri që po bënte eksperimente me jetën e njerzve vetëm për të kërkuar famën që vjen nga sensacioni. 

Profesor Raoult i përgjigjet kritikëve duke thënë se histeria mediatike e krijuar për rrezikun e trajtimit me klorokinë ishte fare e pabazë. Shifrat tregojnin se vetëm në vitin 2019 në Francë ky medikament ishte shitur në 36 milionë tableta, me të ishin trajtuar 900 mijë pacientë dhe si pasojë nuk kishim as edhe një atak kardiak të vetëm që t’i atribuohej efektit anësor të trajtimit. Klorokina është ilaçi më i përdorur në botë pas aspirinës, mund të blihej në farmaci pa recete mjeku dhe befas tani disa shkencëtarë bëhen pjesë e një histerie kolektive fare të pabazë për risqet që vijnë nga ky ilaç. Sipas profesor Raoult trajtimi i propozuar prej tij nuk përbën asnjë rrezik të qënësishëm, me kusht që dozat e dhëna pacientëve të jenë të arësyeshme dhe të survejuara nga mjekët përkatës.

Megjithëse autoritetet franceze janë shumë të kujdesshme në marrjen e një pozicioni për trajtimin e virusit me klorokinë dhe ende nuk e kanë autorizuar trajtimin e tij në masë, një video që qarkullon në internet tregon një sasi të konsiderueshme klorokine të porositur në Kinë që mbërrin në depot e ushtrisë franceze. Në video tregohet edhe fatura që si porositës ka Ministrinë e Mbrojtjes. Publiku u skandalizua për faktin se autoritetet franceze nuk e autorizojnë përdorimin e gjerë të klorokinës, por blenë klorokinë për të trajtuar me të ushtarakët. 

Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes nuk e mohuan klorokinën e ardhur nga Kina, por thanë se e kishin blerë për ta përdorur nëse studimet do të konfirmonin në mënyrë përfundimtare se ky ilaç ka efekte pozitive në trajtimin e covid-19. Pra kjo ishte thjesht një masë paraprake për të pasur një stok të ilaçit nëse ky do të rezultonte efikas. 

Debati u bë pjesë e niveleve të larta të politikës. Donald Trump foli për një ilaç shpresdhënës që vjen nga Franca ndërsa Emanuel Macron shkoi dhe takoi profesor Raoult në zyrën e tij në Marsejë. Pas këtij takimi autoritetet shëndetësore franceze ndryshuan qëndrim duke autorizuar trajtimin me klorokinë, por vetëm për të prekurit nga virusi që ishin në gjëndje të rëndë. 

Aludimi se pas histerisë anti-klorokinë e anti Didier Raoult qëndrojnë interesat e shoqërive farmaceutike

Didier Raoult kritikon fort sistemin shkencor farmaceutik perëndimor. Ai argumenton se kërkimi shkencor në kohën tonë është i orientuar në kërkimin e molekulave të reja dhe shumë të shtrenjta, duke anashkaluar mundësinë e efikasitetit të ilaçeve ekzistuese. Sipas profesor Raoult, askush nuk ka interes sot në studimin e efikasitetit të ilaçeve ekzistuese për arësyen e thjeshtë se kjo nuk sjell përfitime financiare për shoqëritë farmaceutike. Shembull; nqs një kërkim do të dilte në përfundimin se një ilaç ekzistues është efikas në trajtimin e një sëmundje X askush nuk do të nxirrte përfitim nga kjo sepse ky ilaç e ka kaluar periudhën e brevetës (breveta është titull pronësie industriale që i garanton shpikësit monopolin e prodhimit për një periudhë maksimumi 20 vjeçare) dhe kushdo mund ta prodhojë. Pra në një botë shkencore të diktuar nga logjika e ekonomisë së tregut dhe ku shoqëritë farmaceutike janë financuesit më të mëdhenj në kërkimin e ilaçeve të reja, askush nuk ka interes të hedhë para për të studiuar efikasitetin e ilaçeve ekzistuese. 

Kjo teori që nuk është aspak konspirative, por që bazohet në logjikën e funksionit të shkencës në bazë të fitimit financiar dhe që lë në plan të dytë të mirën e njerëzimit nga përdorimi eventual i ilaçeve ekzistuese me një çmim të lirë, bën që shoqëritë që mundësinë e fitimit maksimal e shohin vetëm në shpikjen e një vaksine apo trajtimi për të cilën do të kenë ekskluzivitetin për 20 vitet e ardhshme të mos kenë interes në promovimin e klorokinës për trajtimin e covid-19. 

Studimet e efikasitetit të klorokinës në trajtimin e covid-19

Profesor Raoult vuri në diskutim reputacionin e tij në promovimin e trajtimit me klorokinë. Covid-19 u shfaq së pari në Kinë dhe ishin kinezët ata që kishin mundësi të bënin testet e parë ndaj tij. Në studime të publikuara nga kinezët shihej se klorokina kishte efekt pozitiv në trajtimin e virusit të ri. Në këto kushte, në vend që të qëndronte më së shumti pasiv përballë pacientëve që po vdisnin në masë siç bënin shumica e kolegëve të tij në vende të ndryshme, profesor Raoult vendosi të provojë klorokinën. Fillimisht ai e testoi në 135 pacientë. Rezultati ishte shpresdhënës. Atëherë ai nisi trajtimin me klorokinë në një shkallë më të gjerë në spitalin e Marsejës duke vazhduar njëkohësisht studimin tashmë me survejimin e efekteve të klorokinës në më shumë pacientë. Sipas rezultateve të profesor Raoult klorokina nuk ka një efekt magjik, ajo nuk e zhduk virusin sa hap e mbyll sytë. Por sipas vëzhgimeve të tij trajtimi me klorokinë shkurton kohën e shërimit të pacientëve të prekur dhe mbi të gjitha ul ndieshëm numrin e të vdekurve. Sot Marseja ka numrin e të vdekurve nga virusi më të ulët në Francë.

Pas deklaratave të profesor Raoult klorokina u bë objekt i disa studimeve në shkallë të gjerë në Europë rezultatet e të cilave nuk kanë dalë akoma.

Por është sot fakt që në vendet e lindjes së largët si Kina dhe Koreja e Jugut që kanë përdorur në masë klorokinën numri i të vdekurve nga covid-19 është më i ulët se në Europe e SHBA. Është ky rezultat i efikasitetit të klorokinës apo këtu ndikojnë faktorë të tjerë si kushtet klimaterike, rigoroziteti i karantinës apo politika e testimit në masë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na i japë koha. 

Kritikët thonë se Didier Raoult nuk ka respektuar të gjithë parametrat shkencorë bashkëkohorë në studimet e tij. Për shembull ai nuk ka studiuar se si kanë reaguar grupe me të njëjtat parametra (moshë gjëndje shëndetësore) që nuk janë trajtuar me klorokinë. Mirëpo përkrahësit e tij thonë se edhe nëse kritikët kanë të drejtë dhe studimet e profesor Raoult kanë mangësi në praktikën e ndjekur, a duhet të rrimë e të presim rezultatet e studimeve me profesionale që marrin muaj në këtë kohë kur njerëzit po vdesin si mizat ?

Mundësia e një vale të dytë

Për mundësinë e shumëpërfolur të një vale të dytë të covid-19 profesor Didier Raoult në një intervistë dhënë për BFM thotë :

– ‘’Teoria e një vale të dytë të pandemisë është haluçinante dhe e pabazuar në shkencë. Historia e epidemive na mëson se ato vijnë dhe ikin dhe shkenca nuk e ka kuptuar akoma përse. Historia na mëson se ato zakonisht kanë një kurbë të vetme në formë këmbane. Pra arrijnë një pik dhe pastaj zhduken. Ndoshta ky virus mund të bëjë përjashtim dhe mund të ketë një rikthim. Por deri tani nuk kemi asnjë arësye të qënësishme për ta besuar një gjë të tillë.

Njerëzimi i ka mbijetuar epidemive edhe atëherë kur nuk kishite asnjë ilaç e asnjë vaksinë kundra tyre.’’ 

Ndoshta kritikët kanë të drejtë, ndoshta studimet e profesor Raoult nuk i përmbushin kërkesat e studimeve shkencore bashkëkohore. Por ai mori përsipër përgjegjësinë të bënte diçka kur shumë nga kolegët e tij në të gjithë botën ngrinin duart lart e prisnin krijimin e një vaksine që ndoshta nuk do vijë kurrë. Sot nuk kemi ende një vaksinë kundra virusit HIV. Nuk u arrit të krijohej një vaksinë as për SARS megjithëse tentativat ishin të shumta. Didier Raoult iu desh të reagonte në kushtet e një emergjence shëndetësore të paprecedent. 

Ata që kanë marrë patentën e makinës e që kanë ndjekur kursin e ndihmës së shpejtë me siguri e kanë dëgjuar këtë frazë; ‘’Edhe nëse përballë një personi të aksidentuar nuk të kujtohet asgjë nga këto që mësove këtu, mos harro se është më mirë të bësh diçka gabim se sa të mos bësh asgjë fare’’.

Shënim: Sipas ekspertëve (edhe sipas profesor Didier Raoult) vetëmjekimi me klorokinë pa një recetë të dhënë nga mjeku është absolutisht i ndaluar. Një dozë e gabuar mund të vrasë.




Skip to toolbar