Putin përmend sërish Kosovën: Pavarësia e saj ishte nën presionin e shteteve ndërkombëtare 

BOTA


Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përsëritur se Rusia ka të drejtë të njohë si të pavarura republikat e vetëshpallura në Donbas të Ukrainës, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ai ka marrë sërish si shembull “vënien e precedentit” në rastin e Kosovës, siç e ka quajtur.

Gjatë fjalimit në “Forumin Ekonomik Ndërkombëtar” në St. Petersburg ka përsëritur deklaratat që pati dhënë disa ditë pasi Rusia njohu si të pavarura dy republikat në Ukrainë.


“Kur Kosova u pavarësua, nën presionin e shteteve ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se nuk është shkel ligji ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara. Do të thotë se nuk duhet të pyetet qeveria qendrore për t’u pavarësuar. Ky ishte një precedent”, ka deklaruar Putin.

Ai ka thënë se kjo nënkupton që dy rajonet, Luhansku dhe Donetsku, s’kanë nevojë të marrin leje prej Kievit. Këto dy rajone shpallën pavarësinë pak para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës.

“Ato shpallën pavarësinë. A kemi të drejtë t’i njohim? Sigurisht që po”, ka thënë Putin.

Presidenti rus po ashtu theksoi se pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, “Perëndimi iu kthye ndarjes së Kosovës nga Serbia”.




Skip to toolbar