Rama: Mos ngatërroni negociatat me çështjet politike në vend

Më të fundit


Gjatë prezantimi të platformës “Ambasada Ime” ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili u bëri një thirrje të gjithë ambasadorëve që të punojnë për mundësimin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe të mos përfshihen në çështjet politike që po ndodhin në vend. Rama tha se këtë lojë politike nuk kanë pse e vuajnë shqiptarët dhe se KE rekomandoi vitin e kaluar të hapeshin negociatat pa kushte për Shqipërinë.

“Të gjithë ambasadorëve dua t’iu them bëni atë që mundeni që të mos lejoni që loja me negociatat e brendshme të kthehet në lojë me zjarrin këtu në vendin tonë. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë. Sigurisht kjo është përgjegjësi e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve. Ka diçka të rëndësishme që vendet tuaja e kanë në dorë: Ta nxjerrin çështjen e integrimit dhe negociatave nga loja politike, duke i hapur negociatat dhe duke e bërë të pamundur që për arsye politike një palë apo një palë tjetër të marrin peng publikun dhe të shfrytëzojnë vështirësitë për çeljen e negociatave si benzinë për të hedhur në zjarrin e përplasjes politike. KE tha vitin e kaluar se në këtë qershor do të çelen negociatat dhe në dhjetor do të bëhet konferenca e parë, duke vendosur dhe disa detyra të tjera, që janë normale. Ajo që ka shumë rëndësi për ne është se u hap dera që Shqipëria të fillojë procesin. Kushedi çfarë do ndodhë në qershor! E them këtë sepse duhet të presim ditën. Ne do vazhdojmë t’i bëjmë detyrat tona, jo se i kërkon komisioni, por se në fund të gjithë duhet të jenë të kënaqur, por edhe sepse e kërkon e ardhmja e vendit tonë. Integrimi është një proces që na jep një fuqi njohjeje, dijeje, shtet-bërje, që nuk na buron nga tradita, sepse tradita nuk është aty për të na mësuar se si bëhet një shtet funksional demokratik dhe për këtë arsye na vjen nga e vetmja rrugë, që është BE. Askush nuk e di këtu se çfarë do të vendoset në qershor, por jam i bindur se ky është viti ku të gjitha rrethanat janë dhe do të jenë aty për të çelur negociatat.” – tha Rama


Kryeministri Rama tha gjithashtu se “komisioni ka rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë pa kushte, që do të thotë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë. Kontestimi nuk lidhet më me kriteret objektive.”




Skip to toolbar