Rikthimi i Neymar në “Camp Nou”, Barcelona i ofron Coutinhon PSG-së

LA LIGA


Philippe Coutinho mund të largohet nga Barcelona në drejtim të Paris Saint-Germain, duke i hapur rrugë rikthimit të Neymar në “Camp Nou”. Prej ditësh agjenti i Coutinho thuhet se ka nisur bisedimet me drejtuesit e PSG, për të siguruar një lëvizje të lojtarit drejt Parisit, gjë që do të lehtësonte kthimin e Neymar në Barcelonë.

Që kur u bashkua me Barçën për 145 milionë euro në janar të 2018, ish-sulmuesi i Liverpool, nuk ka pasur sukses në “Camp Nou”, në krahasim nga çka pritej prej tij. Sipas gazetës katalanase, Sport, agjenti i Coutinho ka negociuar me drejtorin e ri sportiv të PSG-së, Leonardon, për të parë mundësinë e një transferimi të mundshëm të brazilianit drejt Parisit.


Në këtë mënyrë do t`i hapej rruga rikthimit të Neymar te Barcelona, pasi kostoja e transferimit do të ulej. Katalanasit, sipas këtij skenari, do të paguajnë 130 milionë euro për rikthimin e Neymar, duke dhënë në këmbim edhe Coutinhon.

27-vjeçari ka qenë prej kohësh objektiv i kampionëve francezë dhe, siç thekson Sport, paga e tij do të jetë dukshëm më e ulët se ajo e Neymar. Nëse Coutinho do të largohet drejt Parisit, Barcelona do të ishte gati të bënte dhe hapin e radhës duke i ofruar pronarëve të PSG-së edhe dy emra të tjerë, Ivan Rakitiç dhe Ousmane Dembele.




Skip to toolbar