Kryeqyteti italian, Roma, është ngritur në këmbë për shkak të një alarmi për sulme terroriste ndërsa policia është vënë në kërkim të një shtetasi sirian 27-vjeçar.
Në një përgjim telefonik, i riu sirian është dëgjuar të thotë: “nesër në Romë do të shkoj në parajsë”.
Policia ka ndërmarrë hetime të fshehta ndaj pothuajse të gjithë shtetasve sirianë që jetojnë atje. Ndërkohë që Komiteti i Analizës Strategjike Anti-Terroriste është mbledhur dhe ka bërë një analizë më të thellë të kërcënimit në fjalë. Mediat italiane shkruajnë se Shtabi i Policisë së Romës ka dërguar në të gjitha departamentet “një raport shumë urgjent për gjetjen” e një subjekti me dy identitete të ndryshme, në të cilën ishte bashkangjitur fotografia.
Fotografia e shpërndarë nga policia tregon një të ri me mjekër, të lindur në Siri më 5 maj 1991. Një imazh i fotografuar në “Pariser Platz”, përpara Portës së Brandenburgut në Berlin. Një zgjedhje simbolike ndoshta. I njëjti qytet ku në 2016 Anis Amri, një 25 vjeçar tunizian, rrëmbeu një kamion dhe kaloi mes përmes turmës së njerëzve duke i shtypur dhe duke i marrë përpara në tregun e Krishtlindjeve, si pasojë mbetën 12 persona të vdekur dhe 56 të plagosur. Amri u gjet dhe u vra në Itali, në “Sesto San Giovanni” në Milano, ndërsa po kërkonte kontaktet e një rrjeti të pretenduar të mbështetësve ekstremistë. Ndoshta janë po të njëjtat grupime që mund të mbështetesin të dyshuarin sirian.