“SPAK mos bëj qoka”/ Gjikondi: Politikanët e korruptuar të goditen ku u dhëmb më shumë

AKTUALITET


Aktivistja dhe juristja e njohur, Brizida Gjikondi ka komentuar situatën politike dhe jovetëm në Shqipëri. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Gjikondi shprehet se ka ardhur koha që politikanët e korruptuar në Shqipëri të goditen aty ku ju dhëmb më shumë dhe madje t’u konfiskohen pasuritë që u kanë grabitur shqiptarëve.

Ndërsa thekson se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duhet të dalë nga “letargjia” dhe tregojë që është e interesuar të godasë korrupsionit dhe krimin që ka mbërthyer vendin tonë. Sipas aktivistes së njohur, SPAK nuk duhet të bëj qoka, por të nis ofensivën ndaj politikanëve të korruptuar në Shqipëri.


Zonja Gjikondi, Autoriteti i Dosjeve aludon se ish-Presidenti Ilir Meta ka qenë spiun i ish-Sigurimit të Shtetit. Sa qëndron ky pretendim sipas jush?

Mbetet për t’u provuar dhe për ti shkuar deri në fund kësaj historie që ka të bëjë jo vetëm me një ish President Republike por me shumë figura të larta të shtetit shqiptar këto 30 vjet. Do të doja të besoja që kjo nuk është thjesht një fushatë politike jo serioze që përfundon kur arrihet pazari po vërtet një vizion dhe shkëputje nga e kaluara që aq shumë e përgojojnë, por nuk e dënojnë me vepra.

Ish-presidenti Meta e ka mohuar se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, ndërkohë në një farë mënyre ka pranuar ekzistencën e 2 mbiemrave, “Meta” dhe “Metaj”. Keni një koment?

Si të quhet Meta ose dhe Metaj, ai mbetet një figurë e zymtë e historisë së Shqipërisë post diktatoriale. Asnjë operacion plastik, ndërrim emir partie ose mbiemri nuk i heq atij personazhi thelbin e tij të errët.

Si ju duket nisma e qeverisë për të shpërndarë pasaporta për ata që investojnë në Shqipëri?

Nuk i vjen Shqipërisë e keqja nga shpërndarja e këtyre pasaportave, agresiviteti dhe filozofia diskriminuese që komenton këtë projekt më duket pak e pavend në një shtet si Shqipëria që ëndërr ka patur daljen nga izolimi.

Shumë afera koncesionare, ku janë përfshirë ish-ministra dhe ministra të qeverisë “Rama” janë duke u hetuar nga SPAK. A besoni se do të shkohet tek arrestimi u atyre që kanë abuzuar?

Jam skeptike për moralin, ritmin dhe forcën goditëse të SPAK. Ashtu siç thotë populli, dita e mirë duket që në mëngjes, jam e zhgënjyer dhe e pezmatuar nga kjo strukturë parazitare, që ka vetëm shashka dhe asnjë rezultat.

Ndërkohë, ka pasur disa thirrje nga qytetarët që SPAK të arrestojë Berishën. Por nga ana tjetër ky i fundit po e sulmon fort prokurorinë? Mendoni se do marrë fund paprekshmëria e Berishës dhe a ka sot prova për korrupsionin e tij?

SPAK s’ka nevojë për thirrje popullore, pavarësisht se morali kombëtar është udhërrëfyes i qeverisjes dhe drejtësisë së një shteti, jo vetëm ndaj Berishës por edhe shumë e shumë personazheve të politikës dhe qeverisjes shqiptare majtas e djathtas që këtij vendi ja kanë venë shqelmin në fyt SPAK ka zero rezultat, përkundrazi ju ka dhënë këtyre personazheve kohën dhe imunitetin e duhur që të fshehin provat dhe të mbyllin pazaret më njëri-tjetrin.

Një zhvillim i fortë ishte ai i dëshmive të Nuredin Dumanit, ku është zbuluar se ky i fundit akuzon Metën si të përfshirë në vrasjen e vëllait të një ish deputeti. Si ka mundësi që emri i Metës del kudo kur bëhet fjalë për vrasje edhe ekzekutime?

Botimi i dëshmive të Dumanit është një nga skandalet më të rënda që nxjerr zbuluar SPAK dhe tregon përpara shqiptarëve se sa jo serioz është si institucion, si dhe me këtë administrim kriminal të dëshmive mund të amplifikojë krimin dhe vetëgjyqësinë në mes të shqiptarëve. Sa për pyetjen në lidhje me Metën, duhet parë se mos i ka bërë këto krime Ilir Metaj, jo Ilir Meta.

Meta është vënë nën hetim nga SPAK. Mendoni se Prokuroria Speciale do t’i çojë deri në fund këto 2 hetime apo në fund do mjaftohet me fjalët lapidar: “Nuk konstatuam elementë të veprës penale”.

Nuk do çuditesha të ndodh kjo që ju shkruani, në fund të pyetjes. Ka ndodhur dhe herë të tjera, forca dhe goditja e ligjit ekziston vetëm për shqiptarët e thjeshtë dhe të ndershëm, jo për autorët dhe regjisorët e plaçkitjes së Shqipërisë.

Sali Berisha së fundmi është shfajësuar për vrasjet e “21 janarit”, duke akuzuar Ramën se donte t’i merrte pushtetin me dhunë, a mendoni se SPAK do i shkojë deri në fund kësaj dosjeje?

Jam skeptike.

Mendoni se vizita e krerëve të  SPAK dhe BKH në Uashington do të sjellë arrestime në nivele të larta në politikën shqiptare?

Jo, nuk mendoj se është USA që i jep kurajon SPAK të bëj detyrën që duhet të kishte bërë prej 3 vjetësh.

Britania ka paralajmëruar një tjetër “listë të zezë”, mendoni se emri i Ilir Metës ndodhet aty?

Ndoshta, por mendoj që këto personazhe duhet të shpallen non grata nga morali kombëtar, jo nga shtetet e ndryshme ku ndoshta kanë dhe pasuritë dhe investimet e tyre të ndryshme. Personazheve që kanë rrjepur Shqipërinë unë nuk do ju uroja burgun sa do ju uroja konfiskimin qilizmë të çdo plaçkitjeje që i kanë bërë shqiptarëve. Ata duhet të ndëshkohen aty ku ju dhëmb më shumë dhe për aq sa vlejnë.




Skip to toolbar