Përplasje në KQZ, PD rikthen përfaqësuesit e saj

Pas deklarimit se do të dërgojë përfaqësuesit e saj në çdo KZAZ, Partia Demokratike ka dërguar sot përfaqësuesit e saj në KQZ, pas 3 muajsh mungesë, që nga djegia e mandateve.

Rikthimi i tyre është shoqëruar me debate mes anëtarit socialist në KQZ, Denar Biba dhe përfaqësuesit demokrat Njazi Kosovrasti.

Biba tha se duke “mos qenë subjekt zgjedhur keni të njëjtin rol me gazetarët”, ndërsa Kosovrasti tha se PD “është parti parlamentare dhe ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e KQZ-së.”

Ja debati i plotë:
Denar Biba: Intensiteti i pyetjeve më duket pak e tepruar. Duke mos qenë subjekt zgjedhor, me mirëdashje.

Njazi Kosovrasti: Nuk kam lidhje me mirëdashjen, kam lidhje me Kodin Zgjedhor. Nëse ky intensitet është në kundërshtim me Kodin atëherë.

Denar Biba: Vlerësoj se duke mos qenë subjekt zgjedhor.

Njazi Kosovrasti: Merrni vendimin që PD të marrë pjesë në zgjedhje, ose të marrë pjesë e të mos flasë.

Denar Biba: Jeni subjekt zgjedhor, jeni regjistruar për zgjedhjet e 30 qershorit

Njazi Kosovrasti: Jo, e çdo të thotë kjo. Por kam një nen. Unë jam parti parlamentare dhe si e tillë më takon të marr pjesë në KQZ dhe meqë ju dëshironi po ju citoj Kodin Zgjedhor.

Denar Biba: E njoh ligjin nuk keni pse të ma lexoni. PD ka një marrëdhënie të shkëputur nga parlamenti aktualisht është fakt i njohur publikisht

Njazi Kosovrasti: Çfarë pune keni ju. Pa diskutim që jemi parti parlamentare dhe kuptimi i partisë parlamentare përcaktohet nga rezultati i zgjedhjeve të radhës

Denar Biba: Po, por ju ato mandate i keni dorëzuar

Njazi Kosovrasti: Bëni detyrën zoti Biba si anëtar i KQZ mos u merr me probleme të politikës.

Denar Biba: Unë qëndrova tek elementi i pastër administrativ i ndërhyrjes së vazhdueshme

Njazi Kosovrasti: Problemin e intensitetit, e vendosi ju masën e ndërhyrjeve të mia?

Denar Biba: Ju lutem qëndroni ligjin.

Njazi Kosovrasti: Unë i qëndroj ligjit jo preferencave tuaja.

Kandidatë në zgjedhje JO, anëtarë në KZAZ PO

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se pavarësisht se nuk do hyjnë në zgjedhje, do të dërgojnë anëtarë në KZAZ me arsyetimin se po bëhen manipulime të rënda në procesin zgjedhor. Bardhi tha se do të faktojmë se Rama nuk garanton dot zgjedhje legjitime.

“Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshmëritë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit.” – tha Bardhi

Protesta e 6-të Kombëtare! PD vendos datën

25 maji është vendosur nga opozita si dita për protestën e 6-të kombëtare dhe pritet të filloj në orën 19:00. Partia Demokratike ka mbledhur pasditen e sotme kryesinë për të vendosur se si do të vijohet me planin e saj për vijimësinë e protestave për rrëzimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Mbledhja e kryesisë u bë pas takimit që Basha para paradite me aleatët ku konfirmuan se do të vijojnë takimet me ndërkombëtarët.

Deri tani opozita ka zhvilluar pesë protesta kombëtare dhe disa të tjera para parlamentit, ndërsa ka bllokuar edhe dy herë akset kryesore rrugore në vend.

“Nuk ka asnjë paketë negocimi dhe as negociata për të shtyrë zgjedhjet”

Nuk ka asnjë negociata dhe as paketë negocimi me opozitën. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme për shtyp ku sqaroi njëherë e mirë se nuk do të pranojë negociata për të shtyrë zgjedhjet. Rama tha se për t’u futur në dialog me opozitën është i hapur edhe pa ndihmën e ndërkombëtareve, ndërsa theksoi se ka qenë PD që ka hedhur lajmin se ekziston një paketë negocimi, vetëm që të pengonte kandidatët që regjistroheshin në garën elektorale si të pavarur apo nën siglën e ndonjë partie tjetër.

“Shpreh mirënjohjen për përfaqësuesit e unionit kristian demokrat, të cilës i ka rënë edhe PD si anëtare e familjes, që mbajtën një qëndrim absolutisht korrekt dhe të qartë.

Sa i përket dialogut unë nuk kam nevojë as për gjermanë as për amerikanë as për holandezë, as për francezë, as për anglezë, as për norvegjezë, për tu ulur dhe për të dialoguar. Personalisht. E kam thënë dhe e përsëris që dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj tek vota. E kam kërkuar këtë gjë edhe kur nuk kishte kapsolla dhe mbase pala tjetër kishte më pak nevojë për dialog. Sot pala tjetër ka më shumë se asnjëherë për dialog. Dhe vendi ka më shumë se asnjëherë nevojë për dialog, sepse nuk ja kanë borxh shqiptarët politikanëve që në vend të mendojnë se çfarë do bëjnë me familjen ditën e shtunë, ose të pushojnë, duhet të festojnë vitin e ri që ëndërron imagjinata qesharake e udhëheqësve të PD-së dhe të përballojnë zhurma që as për Vit të ri në kohën kur ishin armët rrugëve nuk i dëgjonin. Për sa i përket dialogut nuk diskutohet që është gjithmonë i nevojshëm, jo më për të krijuar komunikim mes njerëzve, që përfaqësojnë të tjerë që kanë një barrë të madhe për t’i përfaqësuar.

E dyta, në leximin tim miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë kushtetutën e Shqipërisë. Bëmë një marrëveshje në 2017 nuk e negociuam Kushtetutën e Shqipërisë, e kam refuzuar që në sekondën e parë dhe deri në sekondën e zgjedhjeve përtej afatit kushtetues. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë se për shkak se presidenti mes 23-shit dhe 30-ës ka zgjedhur 30-ën. Zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen më 30 qershor. Unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, sepse është kushtetuta e Shqipërisë.

Do të shikoni shumë paketa këto ditë, paketa që prodhohen këtu për shumë arsye të ndryshme, për t’i thënë kryetarëve të bashkive, që PD-së, që tundimet për tu regjistruar si të pavarur, apo me një parti tjetër, janë gabim, sepse ndërkohë ka një paketë, paketa për të mbajtur njerëzit që kanë filluar të firojnë nga manifestimet”, tha Rama.

PD: Dhuna nuk është dhe nuk do jetë kurrë qëllimi ynë

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi i ka cilësuar si dashakeqe dhe sajesë të neveritshme deklaratat e Ministrisë së brendshme për qëllimin e protestës së opozitës. Bardhi tha se dhuna nuk është dhe nuk do jetë kurrë qëllim i PD dhe se nuk ka shpërndarë kurrë bomba molotov.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Minstrisë së Brendshme si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit. Qeveria që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike.

Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët.” – tha Bardhi

Bardhi tha se Partia Demokratike ka thirrur sot në një marshim protestë të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa.

“I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet.” –tha Bardhi

Gjithashtu Bardhi tha se mbishkrimet në banesën e ambasadorit të OSBE nuk janë vepër e protestueseve dhe se i kërkon prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata përpara përgjegjësisë.

Dhuna në protestë, Alibeaj: Të shkarkohet Sandër Lleshaj

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dënoi dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve dhe Sahit Dollapit. Ai tha se Lleshaj do të mbaj përgjegjësi ndaj urdhërit të dhënë për dhunë fizike gjatë protestës.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi dhunën kriminale të policisë kundër protestuesve të shtunën dhe kundër sekretarit organizativ Sahit Dollapi. Sandër Lleshaj, ky mbeturinë tranzicionit shqiptar do të mbajë përgjegjësi personale për urdhrat e paligjshëm që i ka dhënë policisë për goditjen e qytetarëve me gaz helmues luftarak dhe për përdorimin e dhunës fizike kundër protestuesve paqësore. Partia Demokratike disponon të dhëna të mjaftueshme për ta çuar sadistin Sandër Lleshajn para drejtësisë për shkelje flagrante të ligjit të policisë së shtetit!” – tha Alibeaj

Alibeaj i ka bërë thirrje prokurorisë të nis hetimet për dhunën që është ushtruar ndaj protestuesve paqësorë, urdhër ky i dhënë me porosi të Edi Ramës sipas ish deputetit demokrat. Alibeaj kërkoi dhe shkarkimin e Sandër Lleshaj, ndaj të cilit ka prova filmike për shkelje të ligjit gjatë protestës.

“Prokuroria duhet të nisë hetimet e menjëhershme për të provuar se urdhri për dhunën shtazarake kundër qytetarëve është dhënë nga Sandër Lleshaj me porosi të Edi Ramës. Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi dhe krimineli tjetër me uniformë Arben Baro duhet të shkarkohen nga detyra dhe të hetohen menjëherë. Ka prova filmike se Sandër Lleshaj, i cili në shkelje të ligjit komandon operacionet e policisë kundër opozitës, është duke u larguar si hajdut nga dera dytësore e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi njoftohet të shtunën në mbrëmje për zhvendosjen e protestës së opozitës.” – tha Alibeaj

Asnjë hap pas! Basha bën thirrje për një tjetër protestë, sot pasdite

Pas protestës së dhunshme të dielën, me bomba e zjarr ndaj policisë e kryeministrisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha bën thirrje për një tjetër protestë pasditen e sotme.

“Asnjë hap pas”, shkruan ai në Facebook ndërsa shton se protesta do të zhvillohet më 13 maj në orën 18.30.

Deri tani protestat e opozitës kanë qenë të dhunshme, pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar.

Gjatë protestës së të djelës policia arrestoi 50 persona, ndërkohë që në total janë 84 persona të proceduar, mes të cilëve ish-deputetët Gent Strazimiri, Flamur Noka dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.

Nga protesta u lënduan 14 policë, dhe 4 protestues.

Meta lë në detyrë Konin, PD: Garantoi autonominë universitare

Ish deputetja e PD-së Albana Vokshi ka reaguar pas vendimit të Metës për lënien në detyrë të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Vokshi e cilësoi këtë vendim të drejtë dhe ka mbrojtur autonominë e Universiteteve, duke mos e lënë në duart e Ramës.

“Përshëndes vendimin e Presidentit për të mos lejuar shkarkimin e paligjshëm nga qeveria të Rektorit Mynyr Koni. Vendimi i Presidentit është në mbrojtje të autonomisë universitare dhe lirisë akademike, që u cënuan rëndë nga akti i paligjshëm i Ministres së Arsimit.

Është shumë i drejtë dhe i saktë argumenti i Presidentit se Ministrja Shahini nuk ka ushtruar kompetencat e saj në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente.

Autonomia universitare duhet mbrojtur me çdo kusht për të mos e lënë edhe Arsimin e Lartë, edhe jetën akademike në duart e një Kryeministri që kontrollon gjithçka tjetër: Gjykatat, prokurorinë, mediat dhe të ashtuquajturën shoqëri civile.

PD është e përkushtuar ta garantojë autonominë universitare me një ligj të ri për arsimin e lartë, që do ta hartojmë së bashku me pedagogët e studentët.” – shkruan Vokshi

Pershendes vendimin e #Presidentit për të mos lejuar shkarkimin e paligjshëm nga qeveria të #Rektorit Mynyr Koni….

Publiée par Albana Vokshi sur Lundi 6 mai 2019

Arsyeja pse PD refuzon të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit në emër të kryetarit Gramoz Ruçi i dërgoi një shkresë zyrtare Partisë Demokratike, përmes të cilës e ftonte të merrte pjesë në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Partia Demokratike i ka kthyer përgjigje negative ftesës së Kuvendit duke dhënë edhe arsyet pse PD refuzon të marrë pjesë në këtë komision.

Në shkresën zyrtare Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shkruan se “asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”.

Të martën mblidhet komisioni për Reformën Zgjedhore. Ruçi fton PD-në

Ditën e martë do të zhvillohet mbledhja e parë e Komisionit të ri Parlamentar për Reformën Zgjedhore që drejtohet nga Damian Gjiknuri për PS-në dhe nga Rudina Hajdari për PD-në. Por kryetari i kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër edhe selisë blu që nuk ka asnjë përfaqësues në parlament për shkak të djegies së mandateve, që të marrë pjesë në komision.

“PD të caktojë përfaqësuesin në Komision”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e PS-së. Mbledhja e Komisionit do të zhvillohet më 7 maj, ora 17:00.

Skip to toolbar