PD reformë paralele, Bylykbashi: Komisioni në Kuvend është farsë

AKTUALITET


Partia Demokratike ka mbledhur grupin e punës për reformën zgjedhore në të njejtën kohë kur zhvillon mbledhjen në Kuvend, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për këtë reformë. Ish deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi tha për mediat se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse që të jetë e besueshme, dhe të mos realizohet në një komision ku maxhoranca sheh veten sa e shëmtuar është.

“Grupi i punës u mblodh për të vijuar diskutimet mbi qëndrimin për reformën zgjedhore. Qëndrimi ynë është i qartë reforma duhet të jetë e plotë. Kodi zgjedhor është i mjaftueshëm për zgjedhje demokratike, por Edi Rama nuk mund të garantojë zgjedhje demokratike. Propozimi është një qeveri kujdestare tranzitore që garanton ndëshkimin e atyre që blejnë votat. Opozita është e angazhuar 100% për reformën zgjedhore, për të garantuar që zgjedhjet të jenë për zgjedhësit jo për partitë. Rama nuk garanton dhe e ka provuar që jo vetëm nuk garanton dot zgjedhje por edhe vjedh vota. Komisioni në parlament është farsë. Reforma bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe jo në një komision ku maxhoranca sheh veten e vet sa e shëmtuar është. Reforma mund të jetë vetëm konsensuale gjithëpërfshirëse për të qene e besueshme dhe për të patur zgjedhje të besueshme”,- u shpreh Bylykbashi.


Kërkesa e PD-së lidhur me reformën zgjedhore është që kjo reformë të realizohet nga një strukturë e posaçme jashtë parlamentit me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve. Propozim ky që nuk është pranuar nga maxhoranca e cila vijon punën në kuvend.




Skip to toolbar