KPK shkarkon kryeprokurorin e Matit. Rrëzohet në të tre kriteret

AKTUALITET


Mungesa e burimeve të ligjshme të pasurisë por edhe pastërtia e figurës, janë bërë shkak për shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Matit, Hysni Vata.

Nga hetimet e kryera është zbuluar se analiza financiare e tij ka balancë negative dhe mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive.


Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka dorëzuar një raport pranë Komisionit, sipas të cilit prokurori Vata nuk ka kryer deklarim të saktë, nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive, ka kryer fshehje dhe deklarim të rremë, por se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Jo vetëm pasuria, por edhe për pastërtinë e figurës, Vata ka të dhëna negative. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, e konsideron prokurorin Hysni Vata si të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Lidhur me profesionalizimin, KPK kujtoi se Vata është është larguar nga detyra e prokurorit me dekret të Presidentit për shkelje të rënda gjashtë ushtrimit të detyrës. Por ka arritur të rikthehet në vitin 2008, pasi gjykata rrëzoi dekretin e Presidentit. Ndërkohë, gjatë tre viteve të verifikimit, Vata është vlerësuar shumë mirë nga Prokuroria e Përgjithshme.

Relatori Lulzim Hamitaj tha se pranë Komisionit kanë mbërritur 8 denoncime dhe nga dosjet e administruara ka rezultuar të ketë pasur raste të moskryerjes së hetimeve të plota, të thelluara e gjithëpërfshirëse.

“Konkretisht, problematikat janë konstatuar në procedime penale që kanë pasur të bëjnë me dëmtimet fizike të punonjësve në minierën e Bulqizës. Sipas ONM, veprimet dhe mosveprimet nuk kanë qenë të bazuara në ligj”, tha relatori. Vata i kundërshtoi gjetjet e ONM-së duke pretenduar se në katër rastet e vendimeve të mosfillimit nuk është konstatuar vepër penale. Ai tha se në asnjë rast nuk ka pasur ankim nga asnjë palë.

Në përfundim KPK mori vendimin për ta shkarkuar krye prokurorin e Matit.




Skip to toolbar