Lejuan gërmime dhe shpyllëzime, 3 punonjës në pranga, 7 në hetim në Shkodër

AKTUALITET


Tre punonjës të administratës së Zonave të Mbrojtura janë arrestuar nga policia e Shkodrës pasi akuzohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos ushtruar kontroll dhe duke lejuar shpyllëzimin dhe gërmimet në zonat e mbrojtura në Velipojë. Ndërkohë 7 persona të tjerë janë vënë nën procedim penal për  “Pushtim toke”.

Policia e Shkodrës ka ndërmarrë operacionin policor “Bregdet i Pastër”, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe si rezultat ka kryer arrestimin e punonjësve: R. Z., 57 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë rojë mjedisore në Zonat e Mbrojtura.  V. T., 56 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë specialist në Zonat e Mbrojtura, dhe P. K., 65 vjeç, banues në Shkodër, me detyre rojë mjedisore në Zonat e Mbrojtura.


Po kështu janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Pushtimit toke” shtetasit: Gj. P., 64 vjeç, E. L., 35 vjeç, L. K., 66 vjeç, Gj. M., 58 vjeç, Gj. L., 72 vjeç, M. K., 61 vjeç, dhe A. P., 47 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.

Policia e Shkodrës ka ushtruar kontrolle në Zona të Mbrojtura në Qarkun Shkodër dhe si rezultat i kontrolleve në Velipojë, janë konstatuar një sërë shkeljesh, si gërmime, shpyllëzime, rrethime me gardh me rrjete dhe me shtylla betoni.

Sektori i Monitorimit, ku bëjnë pjesë specialistët dhe rojet mjedisore, ka për detyrë parandalimin, zbulimin dhe luftimin e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretëtirëzimit a degradimit të natyrës, të pyjeve e të tokës pyjore, të cenimit nga ndërhyrjet e pakontrolluara ne mjedisin natyror e ujor të zonës së mbrojtur. Por siç duket nuk e kanë kryer siç duhet punën e tyre, ndaj dhe janë arrestuar nga policia për shpërdorim detyre.




Skip to toolbar