Lirohen 15 gra/ Nëntë të dënuarave femra u ulet dënimi

AKTUALITET


Nuk ishte një ditë e zakonshme në burgun e grave të Ali Demit në Tiranë. Familjarët mbërritën herët jashtë rrethimit të burgut, për të pritur hapjen e derës, nga ku do të dilnin të afërmet e tyre.

Bedri Çelhaka priti me padurim për të marrë me vete në shtëpi vajzën e tij, Rexhinën në shtëpi, pasi vuajti dënimin për shkaktimin e një aksidenti me viktima në Qafë Muzinë.


“Sa vite ka që qëndron këtu? Tre vjet. Si ndiheni sot? Njeriu më i lumtur në botë”.

Përqafimi i munguar mes babait dhe vajzës ndodhi. Dera e burgut të Ali Demit u hap këtë të mërkurë për 15 gra, që fituan lirinë. Emocione të forta, lot gëzimi dhe përqafime të ngrohta.

Pas daljes nga qelia, për këto gra nis jeta e re në liri. “Do shkojmë nëpër familjet tona sepse dhe ata janë lodhur duke ardhur dhe na vizituan”.

“Pavarësisht gabimit gjithmonë ka një mundësi të dytë”.

Kjo e dënuar që fitoi lirinë, thotë se burgu i dha mësime të mëdha.

“Ndihem e plotësuar kalova një sprovë, e kënaqur që ma dha Zoti. Ajo që la pas e trishton”.

“Kam ikur me zemër të thyer. Aty ka nëna me fëmijë të vegjël me gji”.

Të gjithë e meritojnë një shans të dytë. Drejtoresha e burgut, Lindiana Kaleci, mesazhin e të burgosura që u liruan e adreson tek reflektimi dhe mësimi që kanë marrë.

“Të gjithë në jetë gabojmë, por meritojnë një dorë të ngrohtë që t’i ndihmojë dhe të ecin përpara”.

“Shpresojmë që jeta për këta persona të jetë me e mirë nga sot”, tha avokatja e popullit.

24 gra përfituan nga amnistia penale në burgun e grave, 15 prej tyre u liruan menjëherë, ndërsa 9 të tjera përfituan ulje të dënimit.




Skip to toolbar